Home KRYESORE Ambasadorja franceze flet per marredheniet me Shqiperine per Albania Daily News

Ambasadorja franceze flet per marredheniet me Shqiperine per Albania Daily News

1
0
SHARE

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës kanë patur një zhvillim të gjithanshëm që arriti pikën më të lartë me nënshkrimin e deklaratës së partneritetit strategjik në mars të vitit 2017.

Nga Genc Mlloja

Cilat janë disa nga ngjarjet më kryesore në marrëniet midis dy vendeve gjatë vitit të kaluar dhe cilat janë pritëshmëritë për 2018?

– Nëse përdor një fjalë shqip, do t’i konsideroja marrëdhëniet dypalëshe si të “mira”. Përtej peripecive politike, këto marrëdhënie shumë të vjetra karakterizohen nga besimi reciprok dhe e kanë burimin e tyre në historinë e trazuar të Evropës. Deklarata e angazhimit politik e marsit 2017, si një dokument në formën e një programi, është pjesë e kësaj vazhdimësie. E njëjta gjë vlen edhe për takimet e ndryshme dypalëshe apo ndërkombëtare dhe vizitat e personaliteteve në Francë dhe Shqipëri. E kam fjalën sigurisht për vizitat e vitit të kaluar nga Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministri i Punëve të Brendshme në Paris, si dhe për vizitën në Tiranë të Ministrit të Brendshëm, numri dy në Qeverinë franceze. Në mes të prillit, ne presim vizitën e ministrit tonë të Evropës dhe Punëve të Jashtme, z. Le Drian, gjatë një turneu në Ballkan. Shpresojmë gjithashtu të presim në Shqipëri, në muajt e ardhshëm, Presidentin e Republikës.

Në fushën ekonomike, Franca kujdeset që Shqipëria të përfitojë nga fondet strukturore evropiane (p.sh. përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH / EBRD) dhe të mund të përfitojë sa më shumë nga instrumentet e para-aderimit të Bashkimi Evropian. Të gjera dhe të shumta në numër, këto financime synojnë që Shqipëria, pas disa kohësh, t’u ofrojë qytetarëve të saj kushte jetese të ngjashme me ato të Evropës Perëndimore. Në mendje më vjen një projekt për furnizimin me ujë të pijshëm të Tiranës, i cili duhet të përmirësojë jetën e përditshme të banorëve, ose hekurudha nga Tirana në portin e Durrësit, e cila duhet të kalojë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Këto projekte financohen nga BERZH.

Për më tepër, menjëherë pas zgjedhjeve në dy vendet tona, ne kemi punuar me Komisionin për Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për të zgjeruar dialogun mes pushteteve ligjvënëse. Një punë premtuese është bërë gjatë legjislaturës së mëparshme në Shqipëri (2013-2017). Varet nga ne që të vazhdojmë dhe t’i thellojmë këto marrëdhënie së bashku. Nga kjo pikëpamje, sistemi dydhomësh në Francë ofron një hapësirë më të gjerë manovrimi.

Në momentin kur ka filluar ??Pranvera e Frankofonisë?, unë do të dëshiroja të nënvizoja cilësinë dhe ambicien e marrëdhënieve në fushën e artit dhe kulturës. Një shembull i mirë është hapja më 5 mars e Sallës së leximit franceze në Bibliotekën Kombëtare.

– Problemi i influksit të emigrantëve ilegalë shqipëtarë dhe azilkërkuesit janë bërë shqetësim për Francën i shprehur nga autoritetet e vendit tuaj. A mund të flisni më gjërë mbi këtë shqetësim i shprehur edhe nga disa vende të tjera të Bashkimit Europian? 

– Franca ndjek nga shumë afër çështjen e imigracionit të parregullt me origjinë shqiptare. Që nga prezantimi në Paris më 20 korrik 2017 i planit të veprimit për të luftuar imigracionin e parregullt, shkëmbimet e shumta dhe takimet midis Ministrive të Brendshme shqiptare dhe franceze kanë bërë të mundur disa përparime në këtë çështje. Në nëntor të vitit 2017, tre Zëvendësministrat e Brendshëm kanë qenë me mision në Francë për të përgatitur vendosjen e oficerëve ndërlidhës shqiptarë, projekt ky i konkretizuar përmes një marrëveshjeje të nënshkruar në Tiranë më 15 dhjetor 2017 nga Ministri i Shtetit dhe Ministrër i Brendshëm, Gerard COLLOMB, dhe homologu i tij Fatmir XHAFAJ. Vendosja në Francë, në Paris, Lion dhe Metz, e këtyre oficerëve të policisë shqiptare është planifikuar të bëhet këtë muaj.

Këto masa do të plotësojnë punën që bën Shërbimi i Sigurisë së Brendshëm, në veçanti oficeri ndërlidhës për emigracionin që është vendosur në Tiranë në shtator 2017. Ai punon ngushtë dhe në mirëkuptim me kolegët e tij shqiptarë. Me praninë e tij të rregullt pranë tyre në aeroportin e Rinasit dhe në portin e Durrësit, ai kontribuon në efektivitetin e planit të veprimit shqiptar.

Përveç kësaj, në sajë të ardhjes së kolegut tonë, në janar 2018 ka filluar një program trajnimi në vendin e punës për policinë kufitare. Efektivët e policisë në aeroportin e Rinasit dhe portin e Durrësit u trajnuan në luftën kundër përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, në identifikim e personave dhe në zbatimin e rregullores sëShengenit. Ky program do të vazhdojë edhe në pikat e tjera kufitare gjatë vitit 2018 dhe do të plotësojë trajnimetfranko-gjermane që zhvillohen në akademinë e policisë.

Edhe pse të gjitha këto nisma ndihmojnë për të kufizuar emigrimin e parregullt, duhet të pranojmë se presioni në kufirin shqiptar nuk po ulet. Puna e policisë nuk është gjithçka. Vetëm, ajo nuk do të jetë në gjendje të merret me këtë çështje në afat të gjatë. Duhet që qeveria shqiptare të analizojë shkaqet e fenomenit dhe, nëpërmjet reformave të thella, të bëjë të mundur që popullsia, kryesisht të rinjtë, të mos tundohet më nga aventura e emigrimit të parregullt.

– Si një vend Frankofon, brezat e vjetër por edhe të tjerë shikojnë tek Franca një model të qytetërimit, demokracisë dhe kulturës. Po ashtu, gjuha frënge është shumë popullore ne Shqipëri. A mund t’na flisni, ju lutem, për disa nga aktivitetet më të spikatura të realizuara gjatë vitit të kaluar këtu?     

– Frankofonia është shumë më tepër se një gjuhë e përbashkët. Frëngjishtja, përhapja e së cilës është e  dukshme çdo ditë, është gjuha e Republikës Franceze, por e tejkalon atë pasi jeton dhe praktikohet në pesë kontinente dhe ka një status ndërkombëtar, duke filluar nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Të nxisësh zhvillimin e frankofonisë në Shqipëri do të thotë të promovosh, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, shumëgjuhësinë në gjirin ebrezave të rinj. Frëngjishtja është gjuha e dytë që mësohet në shkollë, pesë shkolla të mesme ofrojnë një seksion dygjuhësh frëngjisht-shqip dhe frëngjishtja është një nga gjuhët për vazhdimin e studimeve në arsimin e lartë në Shqipëri, si dhe në të gjitha vendet frankofone. Ekziston edhe një program edukimi i vazhdueshëm për mësuesit e frëngjishtes me qëllim për t??u ofruar nxënësve, fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve, në shkollë ose në rrjetin e pesë aleancave franceze, një mësimdhënie për marrjen e diplomave të dhëna nga Ministria franceze e Arsimit.

Frankofonia nënkupton gjithashtu, siç e thoni edhe ju, parime dhe vlera të përbashkëta që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, me të drejtat e njeriut në dimensionin e tyre universal dhe me demokracinë. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse Shqipëria është anëtare e plotë e Frankofonisë dhe luan rolin e saj në organizmat e saj. Ambasadori juaj në Paris dhe Përfaqësuesit tuaj të Përhershëm në New York, Bruksel apo Paris do të flisnin më mirë se unë!

– Në vijim të kësaj, Franca dhe qeveria e saj kanë qënë mbështetës të vendosur të procesit të integrimit në BE duke nxitur vendet e Ballkanit Perëndihmor të plotësojnë standardet e kërkuara për tu anëtarësuar në këtë bllok. Sipas jush, cilat janë disa nga aspektet që duhen permirësuar sipas standarteve të BE-së, e cila ka miratuar një platformë zgjërimi të vendeve të këtij rajoni ku ndodhet edhe Shqipëria?

– Presidenti Macron e nënvizoi me forcë disa muaj më parë në fjalimin e tij në Sorbonë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë një pjesë e natyrshme e familjes evropiane dhe duhet të bashkohen me të, gjë që do të thotë se ato duhet, në fund, të aderojnë në Bashkimin Evropian. Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është i vetmi që nuk i përket ish-Jugosllavisë. Historia e saj është e ndryshme, ndonjëherë tragjike, por së paku nuk e pësoi – dhe nuk u implikua – luftën që shkatërroi hapësirën jugosllave. Kjo është një përparësi. Megjithatë, ajo duhet të kapërcejë një të kaluar të dhimbshme dhe të rëndë në shumë drejtime.

Fjala kyç është shteti i së drejtës. Pa një shtet të së drejtës të denjë për këtë emër, Shqipëria, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e bëra me guxim dhe reformat, rrezikon të mbetet prapa. Kjo do të thotë, të gjithë e dinë, se duhet zbatuar dhe duhet të përfundojë reforma ambicioze e drejtësisë duke krijuar organe të qëndrueshme të përcaktuara me ligj dhe duke luftuar fort kriminelët e të gjitha llojeve (trafikimi i drogës dhe jo vetëm i kanabisit, trafikimi i qenieve njerëzore, etj.), përfshirë këtu edhe luftën kundër pasurive të tyre, apo siç thuhet në frëngjisht, portofolave të tyre. Këto kriminelët dhe rrjetet e tyre, të cilat nganjëherë kanë tentakula të gjata, e dëmtojnë Shqipërinë duke e varfëruar (dhe nuk paguajnë as taksa!), si dhe duke e nxirë imazhin e vendit, brenda dhe jashtë tij, kjo e ndihmuar herë-herë edhe nga korrupsioni.

Mund të përmend konkretisht nevojën për të përmirësuar efikasitetin e administratës tatimore shqiptare për të rritur të ardhurat e buxhetit dhe për t??u mundësuar autoriteteve të financojnë investime publike të domosdoshme në kuadrin e procesit të integrimit, pikërisht në infrastrukturë dhe në kapital njerëzor (arsim dhe aftësim profesional).

– Franca ka qënë një ndër mbështetësit kryesorë të ‘Procesit të Berlinit’ për vendet e Ballkanit Perënimor. A mendoni se ky provces po jep frutet e tij, dhe si e konsideroni rolin e Shqipërisë në rajon i cili njihet për të kaluarën e tij të trazuar? 

– Franca është realisht shumë e angazhuar në këtë proces. Ju kujtohet organizimi i Samitit të Parisit në korrik 2016 dhe vendimi i saj për të marrë pjesë financiarisht në Kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (CIBO), ku ajo ka në 2018 presidencën e grupit të donatorëve dypalësh, dhe i cili financon projektet e vendosura në kuadrin e procesit të Berlinit. Ky proces u mundëson vendeve të rajonit të përfitojnë nga investimet në infrastrukturë për të përmirësuar ndërlidhjen mes tyre, veçanërisht në transport dhe energji. Kam përshtypjen se sot ai po jep frytet e tij dhe përbën një element të rëndësisë së parë në procesin të bashkërendimit ekonomik të këtyre vendeve me synim integrimin e tyrenë Bashkimin Evropian. Për shembull, në Samitin e fundit në Trieste në korrik 2017, u vendosën shtatë projekte infrastrukturore, për një investim total prej 536 milionë eurosh dhe 194 milion euroshgrante të BE-së. Ky Samit ishte gjithashtu rasti për të nisur planin e veprimit për krijimin e një zone ekonomike rajonale me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve të rajonit dhe tërheqjen e më shumë investitorëve të huaj ndërkombëtarë.

Për sa i përket Shqipërisë, ky proces ka bërë të mundur fillimin e projektit të interkonjeksionit të energjisë elektrike midis Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM/FYROM) dhe Shqipërisë, si dhe të pjesës shqiptare të interkonjeksionit hekurudhor me Malin e Zi dhe Greqinë, duke përfshirë rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një linje të re Tiranë-Aeroporti i Rinasit si pjesë rrjetit të ardhshëm.

Këtë verë britanikët do të presin konferencën e ardhshme në kuadrin e “Procesit të Berlinit”. Aq më mirë, sepse kjo tregon se Mbretëria e Bashkuar, një vend i madh evropian, nuk po largohet nga kontinenti jonë, përkundrazi.

Por, procesi i Berlinit nuk i ka mbajtur të gjitha premtimet e veta, sepse është një punë afatgjatë. Zyra e Bashkëpunimit Ballkanik për Rininë, e frymëzuar siç e dini nga Zyra Franko-Gjermane e Rinisë (“Deutsch-FranzösischesJugendwerk”), është një shprehje konkrete e Procesit të Berlinit. Por shumë çështje specifike janë akoma të pazgjidhuradhe duhet të adresohen. Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, shtetet e tjera në rajon dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi nuk do të humbasin interesin e tyre për RYCO-n, të jeni i sigurt për këtë, sepse në thelb arsyeja e ekzistencës së tij është rinia e vendeve të përfshira. Këtyre të rinjve nga Shqipëria dhe vendet e tjera në rajonduhet t??u hapen dyert dhe dritaret me ndihmën e RYCO-s. Sfida është shumë e madhe.

Për sa i përket rolit të Shqipërisë në rajon, ai lidhet me vendndodhjen gjeografike dhe historinë e saj. Të gjithë janë të vetëdijshëm dhe të gjithë në Shqipëri, shumica në pushtet dhe opozita, kanë për detyrë të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Roma nuk u ndërtua në një ditë, me fjalë të tjera, ne duhet të ecim përpara me guxim, por edhe hap pas hapi duke shmangur që të hedhim benzinë, duam apo nuk duam, në vatrën e zjarrit që ende digjet. ?farë kuptimi do të kishte pastaj ambicia evropiane dhe ndërkombëtare e Shqipërisë?

– Shkëlqesia e Juaj, cilat janë disa nga veprimtaritë kryesore që pritet të materializojnë bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Francës në fushat e ekonomisë, tregëtisë, kulturës dhe fusha të tjera?  

– Marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve tona janë të shumëfishta. Për shembull, ae dini se gjysma e importeve në Francë, nga Shqipëria, përbëhet nga prodhime tekstili, këpucë dhe veshje të tjera?Franca gjithashtu importon produkte të naftës nga Shqipëria, pasi nëntoka e vendit tuaj është e pasur me hidrokarbure.

Nga ana tjetër, vërej se produktet franceze janë shumë pak të pranishme aktualisht. Mallrat e konsumit përbëjnë një pjesë të vogël të eksporteve tona në Shqipëri, gjë për të cilën më vjen keq edhe pse disa marka franceze janë të njohura edhe këtu (p.sh., Yves Rocher, L’Oreal, Garnier, L’Occitane, automjetet Peugeot, Renault, Citroën, linja ajrore Transavia, produktet e qumështit të markës ??Président?,etj).

Franca është furnizuesi i 8-të i Shqipërisë, shumë prapa Italisë, e cila zë një pozicion kryesor duke qenë burimi i një të tretës së importeve shqiptare. Kina dhe Turqia janë gjithashtu shumë aktive në këtë treg.

Investimet tona janë në rritje, por ne kemi ende një vend modest (investitori i 11-të në Shqipëri). Midis këtyre investimeve shquhet dukshëm Société Générale. Ne gjithashtu kemi të pranishme dy sipërmarrje industriale (ALEAT dhe KLP Industries).

Në këtë kontekst viziton Shqipërinë një delegacion i madh biznesi e rajonit Auvergne-Rhône-Alpes (me kryeqendër Lionin) përbërë nga gjashtëdhjetë sipërmarrës nga të gjithë sektorët e pranishëm në një rajon me shumë peshë në Francë: agro-ushqimor, industri, sektori terciar me disa lloje shërbimesh etj. Nëse për Italinë nuk është hera e parë, kjo vizitë është e para për Francën dhe ne jemi vërtet të gëzuar, sepse kjo do të thotë që Shqipëria ngjall kureshtje dhe tërheq vëmendje.

Së bashku me perspektivën e reformave që shkojnë paralelisht dhe, kur të vijë koha, me negociatat e aderimit në Bashkimin Evropian, investimet e huaja do të vazhdojnë, veçanërisht në energji. Potenciali mineral (nafta, kromi, bakri, hekuri, nikeli, qymyri) dhe fuqia hidroelektrike e vendit ngjallin interes. Zhvillimi i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) që sjell gazin nga Azerbajxhani në Evropën Perëndimore do të ndihmojë në integrimin e Shqipërisë në skenën rajonale të energjisë. Franca është pjesë e kësaj, sepse shoqëria franceze SPIECAPAG , filial i Grupit Vinci, është përzgjedhur për ndërtimin e tre pjesëve tokësore të gazsjellësitnë kuadrin e TAP-it: njëri prej 185 km në Greqi – mes Kipoit dhe Kavallës – dhe dy në Shqipëria me rreth 215 km midis Bilishtit dhe Topojës.Këto tubacione pritet të jenë funksionale në fund të vitit 2019.

Në fushën e kulturës kemi dy prioritete kryesore: nga njëra anë, të vazhdojmë partneritetet me operatorët kryesorë kulturorë: Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, në veçanti bashkëpunimi në partneritet me Baletin e Angjelin Preljocajt, Teatri Kombëtar dhe Teatri Eksperimental, Fototeka Marubi, ndër të tjera; dhe së dyti, të mbështesim shkëmbimet midis artistëve francezë dhe shqiptarë, duke i përqendruar përpjekjet tona tek krijimtaria e re bashkëkohore dhe edukimi kulturor i të rinjve. Këtë vit do të vihet theksi tek libri vizatimor dhe teatri i rrugës.

Gjithashtu, ka gjithnjë e më shumë marrëveshje bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare dhe franceze, në kuadrin e programit evropian Erasmus +. Nënvizojmë për shembull pistat e reja të bashkëpunimit në mjekësi, shkenca inxhinierike dhe disiplina të lidhura me luftën kundër ndryshimeve klimatike si përgjigje ndaj nismës së marrë nga presidenti Macron (“Make our planet great again?).

– Në përfundim, Zonja Vasak, si e shikoni gjëndjen në Bashkimin Europian pas procesit të ‘Brexit’ që po vazhdon ndërsa, nga ana tjetër, vihen re kundërshti të Brukselit me disa vende anëtare, kryesisht me Poloninë e Hungarinë? 

– Bisedimet pas vendimit sovran të popullit britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian janë dëshmi e qartë e kësaj. Bashkimi Evropian nuk është një klub ??à la carte?, ku secili zgjedh atë që i pëlqen dhe që i përshtatet atij. Le të mos harrojmë se ndërtimi i Evropës nënkupton një formë integrimi dhe ka kërkesat e tij. Pasi kam punuar, së bashku  me të tjerët, mbi disa nga këto çështje në Quai d’Orsay, mund t’ju them se steka është vënë lart për të gjithë dhe se duhet t’i plotësojmë këto kërkesa.

Pyetja juaj ka të bëjë me aktivizimin e mundshëm të nenit 7 të Traktatit të Bashkimit Evropian kundrejt Polonisë në rastin konkret. Ashtu si dhe Komisionin Evropian, ne mendojmë se situata e shtetit të së drejtës në Poloni është shqetësuese. Kjo mund të përbëjë një problem për sa i përket të drejtës komunitare, sepse bëhet fjalë pikërisht për pavarësinë e drejtësisë. Ju jeni njohur me qëndrimin e përbashkët të Francës dhe të Gjermanisë për këtë çështje.

Ky është një problem, për më tepër që gjykatësi polak është gjithashtu anëtar i Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian. Prandaj, ne e përkrahim qasjen e Komisionit duke shpresuar se dialogu i ndërmarrë (i cili ka rifilluar) do t’u mundësojë autoriteteve polake të zbatojnë rekomandimet e tij. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë Këshilli i Bashkimit Evropian do të duhej të shprehej, për herë të parë, në lidhje me rrezikun e shkeljes serioze të vlerave të përbashkëta evropiane nga dhe në një shtet anëtar.

Mbetet fakti se bisedimet as nuk fitohen dhe as nuk humben pa përfunduar!

Share: