Home KRYESORE Ne bejme përjashtim nga rregulli. Të anasjelltë nuk gjen dot!

Ne bejme përjashtim nga rregulli. Të anasjelltë nuk gjen dot!

Nga Luan Kurti

Jam krenar për këtë popull! Është gjithë virtyte. Nuk di të ankohet kurrë dhe e përballon fatin me shpirt ndër dhëmbë! Ankohet me vete por hallin se nxjerr në mexhilis. Sepse të vetët po ja fusin, siç ja kanë futur historikisht. Dhe kur do që të shprazi shpirtin shan armiqtë shekullorë: grekun, serbin, turqit… Lëre pa bukë, lëre pa ujë, lëre pa drita, dhe hiç,… sus! Thonë se qingji i urtë pi dy nëna. Por nëna e dytë ka qëlluar njerkë dhe këta e kanë harruar shijen e qumështit. Gjithmonë bien nga shiu në breshër dhe mbeten qull. Por shyqyr zotit që memorien e kanë të shkurtër. Qark të shkurtër ju ka bërë qyshse kanë lindur. Dhe atë që sot e quajnë të zezë, nesër e quajnë të bardhë dhe anasjelltas. Kështu edhe me historinë, me mitet dhe heronjtë. Secili është kokë më vete, dhe i beson tymit të oxhakut të tij. Po i vajti drejt, se ha meraku për fqinjin. Dhe anasjelltas. E anasjellta është kuti i asgjësë. Të tjerët për të bërë provën e së vërtetës nisen nga e njohura për tek e panjohura. Këtu anasjelltas. Thonë nga asgjëja nuk lind asgjë, por ja që këtu lindin, shtohen, trashëgohen dhe… mbijetojnë… dhe anasjelltas. Përjashtim nga rregulli. Të anasjelltë nuk gjen dot!

Share: