Home KRYESORE Demofilia demofobe e snobit në kokonë

Demofilia demofobe e snobit në kokonë

Nga Xhemal Ahmeti

Ata thonë: «Të korruptuarit e mbytën popullin». Ky është pseudomotivi më i shpeshtë i kryeopinionistëve shqiptarë. Nga ana tjetër thonë poashtu: «S’ka kulturë, s’ka letërsi, s’ka diskurs, s’ka media, por vetëm ka idiotë, injorantë, snobë». Përfundimi logjik: Të korruptuarit e mbysin popullin injorant, idiot. Pse, çka pritët? Vërtetë është kështu apo injorantët më të mëdhenj janë interpretuesit e këtillë të realitetit?

«Shqiptarët nuk kanë histori objektive»! Vërtetë?«Në publisferën shqipe nuk ka diskurs intelektual»! Sa keq. «Shoqëria jonë diktohet nga uzurpatorë, kriminelë, injorantë, idiotë». Shumica vajton kështu. Dakord. Uu sa keq qenkan punët. Ta zëmë se autori i i këtij shkrimi «nuk është i specializuar» në historinë e re të shqiptarëve; nuk jeton në shoqëritë përkatëse për ta orkestruar një diskurs sipas kërkesave të truprimadonave aktuale, respektivisht sipas mendësisë së Michel Foucault-së («L’Ordre du discours», Paris,1971: 10-15),nuk është as prokuror në vendin përkatës dhe pyet ligjëruesin permanent publik: pse nuk e shkruan ti një histori objektive? Mund ta parafytyrojmë fytyrën e shndërruar në pikë-çuditëse dhe të dëgjojmë justifikimin: «Po unë s’jam historian»! Nëse nuk je historian ku e dinë se ç’është e shkruar e çka jo; çka nga e shkruara është objektive e çka manipulim? Pse i fut hundët aty për çka nuk je i specializuar?

Ja, pasiqë nuk qenke historian, intelektualin mirëpo e sugjeron ngase qorton moralizueshëm publikisht: Pse nuk e ndez një diskurs sipas konceptit që e paske në imagjinatë? Kësaj radhe koka i shndërrohet në pikëpyetje dhe shpërthen përgjigjja: «Po nuk ka intelektualë përveç nja dy vetave, tjerët janë snobë»! Si mendon snob? Nga cili stad etimologjik i fjalës operon; snobë si snabët skocezë (çirak këpucarësh), si jo-student/studiues (në kohën e aristokracive postmesjetare) apo e ke fjalën për dandi-të e modernës ose yuppie-t e postmodernës? «Qashtu diqysh»! Po prokuror, a je? Nuk lëviz dot nga indicet dhe dëshmitë që ta kanë mbuluar dhomën si atë të Benedict Cumberbatch në versionin e serialit më të ri britanik «Sherlock Holmes»? Apo ndoshta atë amerikan ku Dr. Watsoni është bërë femër? Ndoshta në fund i lodhur do të tërhiqesh duke thënë: «Nuk kam nevojë për fakte se shihen milionat e fukarenjve të deridjeshëm». Me plotë të drejtë. Ato shihen. Ashtu siç shihet se pse nuk paska diskurs intelektual në shoqërinë tënde. Arsyeja përse mendimi të mos ekzistojë diskurs i efektshëm por vetëm zhurmë afektive mbi probleme të paqena për t’iu ikur temave akute, je ti. Pse? Ngase tërë kohën rri i mbyllur në kokonën tënde personale duke lexuar epe e elegji romantikësh apo ese ludistësh poetikë të sotëm dhe herë pas here ”“ ndoshta sa për ta marrë ndonjë honorar apo për të treguar se je gjallë ”“ del me refrenin tashmë të mërzitshëm; s’ka letërsi; s’ka kritikë letrare; s’ka media të hairit; s’ka kritikë artesh; s’ka filozofi; s’ka kulturë; s’ka shtet; gjithë injorantë, idiotë, qenie koti ”“ mirë që të paskan ty shqiptarët e shkretë se as që do ta dinin në cilën datë e shekull janë. Pardon: ty dhe ata dy tre snabët e tu.

Edhe ti i ke fajet ngase shumica e shkrimeve që publikon duken si imitate të këqija të atij tekstit protopsikologjik të Teofrasitit mbi karakteret e njerëzve në 310 para Krishtit. Pse nuk del saora mëhallëve dhe na i bën do fotografi të tipit të Jean Chung-it mbi «jetët e dëmtuara» si ai që bëri për të dokumentuar viktimat e luftës për resurse në Kongo? Nuk ke fotoaparat? Atëherë bënja si Dideroi dhe i shkruan 6000 nga 7200 artikujt e ndonjë enciklopedie për iluminimin e shqiptarëve ”žtrushkretë“? Jo? Nuk mundesh? Ndoshta mundesh po nuk e di. Plus i ke dy tre të konsojit ”“ duket sikur qëllimisht gjithmonë si shembullorë liston më të dobëtit për të sugjeruar veten si primus intelektual. Bashkë me të cilët do të na përkujtonit trinitetin e famshëm: Volter-Diderot-D’Alambert! Qesharake apo?

PLUS: Një pjesë e konsiderueshme e opinionistëve në mediat shqipe janë si ky modeli imagjinar me të cilin debatojmë. Shumica përdor demofilinë si elementin motivues se pse shkruajnë (të korruptuarit e mbytën popullin), por në fakt janë demofobë (popull injorantësh, pa kulturë, pa letërsi, pa intelektualë, pa diskurs). Ky paradoks u del ngase për synim kapital të reflektimit të tyre nuk kanë argumentimin konkret për të luftuar dukuritë negative, anomalitë dhe keqpërdorimet por vetëm për t’u çliruar personalisht nga frustrimet që i sjell jeta e zakonshme. Po të ishte ndryshe ”“ qoftë edhe vetëm këta tre katër veta ”“ tashmë do ta kishin bërë një version të tyre të historisë objektive; do ta kishin sajuar një diskurs qoftë edhe të diktatit siç preferonte Foucault (diskursi duhet të kontrollohet, të bëhet vetëm nga të kualifikuarit e tjerëve tu mbyllen dyert, të parashikohen rreziqet); do ta kishin sajuar një «libër të zi» me fakte konkrete për kapjen e shtetit nga mafia; së paku do të kishin shkruar një memorandum të thjeshtë për hallet e masës dhe ofertën e tyre se si të zgjidhen problemet. Do të kishin shkruar pra diçka që do të mundej ta respektojë një shumicë solide. Jo asgjë nga këto, por vetëm qortime, fyerje, etiketime dhe ulërimë koti. Përndryshe diskurs në Kosovë ka edhe për tema që në shtetet tjera përreth janë tabu, sakrilegje. Përndryshe ka debat mbi historinë, madje edhe të egër pa kursyer as heronjtë edhe më të lavdishëm. Përndryshe ka letrarë që nuk janë më të këqij se ata gjermanë, zviceranë, francezë. Përndryshe ka mafi rrugës për tu bërë poaq e fortë si ajo me të cilën lufton Italia moderne që nga lindja e saj. Përndryshe ka plotë e sigurisht më shumë se tre gazetarë që në karrierën e tyre nuk janë marrë me temë tjetër përveçse me luftën kundër korrupsionit; kundër anomalive e kundër e pro të gjithave normaliteteve që i kanë shtetet dhe shoqëritë e ditëve të sotme. Ti mohosh gjithë këta për tu duk vetë është poshtërsi. Është akt aq i ulët, të cilin e ushtrojnë vetëm ata që as që duhet të mbajnë fare ligjërata publike.

Share: