Home KRYESORE Çfarë nuk u tha për Helikopterin e rrëzuar?

Çfarë nuk u tha për Helikopterin e rrëzuar?

Nga Blendi Fevziu

Çfarë ndodhi me helikopterin e ushtrisë shqiptare?! A ishtë rrëzimi një aksident nga ata që ndodhin në çdo vend të botës apo pas tij fshihet një histori abuzimi dhe problemesh gjithnjë prezente në strukturat shqipçtare? Përse hamendjet dhe pikëpyetjet e mediave kanë marrë përgjigje kontradiktore dhe të vakta? Përse prokuroria nisi një procedim penal të mbështetur mbi nenet 48 dhe 83 të kodit ushtarak, për “Shkelje të rregullave të fluturimit ajror” dhe “lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë”. Cfarë di ajo më shumë se sa ne ose më mirë të thuhet se për çfarë dyshon?

Pa pretenduar për të bërë një investigim, po tentoj të rendis gjithë pikëpyetjet që “rrëzimi i helikopterit” ka lënë në publik dhe të gjitha variantet e dyshimta që lidhen me të.

Sipas një vëzhgimi të thjeshtë, helikopteri EC145 me numër fluturimi 637, ka mbërritur në Tiranë në vjeshtën e vitit të shkuar. Sipas të dhënave që gjenden lehtësisht ai kushton afro 5.5 milion euro dhe konsiderohet një mjet fluturimi i sigurisë shumë të lartë. I përgatitur jo vetëm për misione vëzhgimi dhe shpëtimi, por edhe për luftime. Në një llogjikë normale rrëzimi i këtij helikopteri në kushte atmoferike të mira dhe në terren normal duket thuajse i pamundur. Një prototip i ngjashëm, i ndërtuar po për ushtrinë shqiptare u rrëzua në Francë në Korrik 2012, përpara se të nisej në Shqipëri dhe në të humbën jetën 6 pilotë dhe inxhinierë. Por Franca njoftoi menjëherë se bëhej fjalë për një difekt njerëzor dhe për prekjen e helikave të tij me telat e tensionit të lartë.

Sipas të dhënave të Opinion.al helikopteri nuk është i siguruar plotësisht, por ka vetëm një sigurim të pjesshëm. Gjë që do të thotë që Shqipëria nuk do të fitojë mbrapsht shumën e plotë. Për këtë gjë duhet të flasë edhe Qeveria, që nuk e ka bërë ende. Llogjikisht, një pajisje e tillë duhej të ishte me sigurim të plotë. Në një vend që makinat e reja sigurohen detyrimisht kasko, një helikopter 5.5 milionësh padyshim që duhej të kishte po atë trajtim.

Pikëpyetja e parë është nëse Helikopteri ka pasur një plan stërvitor dhe një itinerar të saktë? Cili ishte misioni i tij? Në Gusht 2014 një tjetër helikopter i ushtrisë i modelit Cougar u godit ndërsa kishte shkuar në dnihmë të policisë në Dukagjin, në shkelje flagtante të ligjit që nuk e lejon ushtrinë të kryejë misione policore.

Përse ai fluturonte në një lartësi shumë të ulët, sipas dëshmitarëve mbi catitë e shtëpive dhe sipas ushtarit të mbijetuar në kuotën 10 – 15 metra?

Përse helikopteri fluturonte mbi liqen, kur fluturimi mbi ujë, kur nuk është i nevojshëm, është i pakëshillueshëm për pilotët.

A është ulur Helikopteri në ndonjë vend tjetër përpara se sa të përplasej në liqen?

A kanë komunikuar avari pilotët me kullën dhe qendrën e tyre të komandës?

A ka pasur shpërthim në bishtin e helikopterit?

Si shpjegohet që copat e një helikopteri që fluturonte ulët dhe që u rrëzua larg bregut janë gjendur në tokë, afro 300 metra nga bregu siç raportoi Top Chanel dje?

Dëshmitari i vetëm i mbijetuar, Gerald Baramuça deklaron se nuk ka parë gjë dhe se ka qenë duke bërë një video, ndërkohë që Prokuroria dhe dëshmitarët deklarojnë se ai është hedhur përpara se helikopteri të përplaset në ujë. Përse ai u hodh dhe dy pilotët e tjerë jo?

Përse Baramuça nuk është lejuar ende të pyetet nga Prokuroria? Organit të hetimit i është thënë se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që ai ka dhënë që ditën e parë një intervistë për gazetën Panorama. Kur ka mundësi të flasë për gazetën si nuk ka mundësi të flasë për Prokurorinë? Dhe përse ruhet nga policia ushtarake në spital?

Përse Prokuroria nuk i bllokoi urdhërat e fluturimit që atë ditë, por e bëri këtë 3 ditë me vonëse. A është ndërhyrë në urdhërat këto 3 ditë?

A është dëmtuar kutia e zezë dhe nëse po, si shpjegohet kjo? Kutia e zezë ju mbijeton shpërthimeve dhe rrëzimeve më të fuqishme siç ndodh me avionët dhe jo më të dëmtohet nga një rrëzim i ulët në liqen!

A është e garantuar cilësia e karburantit që përdoret për këta helikopterë; a ruhet ai sipas të gjitha manualeve teknike dhe a është kryer një kontroll rigoroz për këtë gjë?

Ka ende pikëpyetje të tjera, zbardhja e të cilave, është një detyrim ligjor dhe moral. Deri atëherë dhe në mungesë të një komunikimi të hapur, media ka të drejtën të bëjë pjesën e saj të hetimit dhe do të japë versionet që zbulon./Opinion.al

Share: