Home KRYESORE Fotoja Rama-Obama, një person i dytë pranon fajin për transfertën 80 mijë...

Fotoja Rama-Obama, një person i dytë pranon fajin për transfertën 80 mijë USD

Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi të hënën në një njoftim për shtyp se një person i dytë u deklarua fajtor për rolin e tij në transferimin e 80 mijë dollarëve nga një “burim i huaj” drejt komitetit të ngritjes së fondeve për fushatën presidenciale të vitit 2012 të presidentit Barack Obama.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, William Argeros, 57 vjeç e deklaroi veten fajtor përballë gjyqtares Madeline Cox Arleo të distriktit të Nju Xhersit, mbi një informacion që e akuzonte atë se kishte bërë donacion të huaj me “vetëdije dhe dashje”, duke gjeneruar 25 mijë dollarë ose më shumë brenda një viti kalendarik për komitetin e mbledhjes së fondeve si dhe për deklaratë të rreme përpara Jurisë së Madhe.

Vendimi për William Argeros do të jepet më 9 Nëntor nga gjyqtarja Arleo.

Sipas marrëveshjes së pranimit të fajësisë së dorëzuar në gjyq, Argeros pranoi se në shtator 2012 ai lehtësoi transferimin e 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj tek Bilal Shehu- një qytetar amerikan me banim në Nju Xhersi. Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë më tej se Shehu i dorëzoi paratë në komitetin e autorizuar të ngritjes së fondeve-në përpjekje për të fshehur origjinën e parave si dhe për të mundësuar pjesmarrjen e një shtetasi të huaj në aktivitetin e datës 8 tetor 2012 në San Francisko.

Argeros pranoi gjithashtu se u kishte dhënë këshilla individëve të huaj mbi mënyrën e transferimit të parave si dhe të dorëzimit të tyre në komitetin e mbledhjes së fondeve. Ligjet federale u ndalojnë shtetasve të huaj të bëjnë donacione për kandidatët amerikanë apo komitetet e ngritjes së fondeve gjatë fushatave elektorale.

William Argeros është personi i dytë që pranon fajin lidhur me donacionin e paligjshëm të 80 mijë dollarëve, që dyshohet se u pagua për realizimin e një fotografie të presidentit amerikan, Barack Obama me kryeministrin Edi Rama, asokohe në opozitë. Në 29 qershor, Bilal Shehu pranoi gjithashtu fajësinë në transferimin e 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj drejt komitetit të mbledhjes së fondeve për fushatën presidenciale të vitit 2012.

Çështja u hetua nga FBI, ndërkohë që asnjë anëtar i komitetit të mbledhjes së fondeve nuk u akuzua për ndonjë shkelje. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, anëtarët e komitetit kanë bashkëpunuar ngushtësisht me hetuesit.

Në vitin 2013, një kongresmen republikan e identifikoi ngjarjen dhe bëri thirrje për hetime mbi blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për një aktivitet për mbledhje fondesh në San Francisko në tetor 2012.

“Në aktivitetin e tetorit 2012, Rama, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Obamën,” shkruajti agjencia e lajmeve, Reuters.

Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Obamën u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Obamës gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, zgjedhje që e bënë atë kryeministër.

Prokurorët thanë se biznesmeni Shehu, banor në Nju Xhersi, shkoi në San Francisko dhe u përpoq të hyjë në aktivitetin për grumbullimin e fondeve me nënshtetasin e huaj, por këtij të fundit iu refuzua hyrja. Gjithsesi, nënshtetasit të huaj, (Ramës) iu dha mundësia të fotografohej me Obamën./BIRN

Share: