Home KRYESORE Qeveria do të taksojë minimalisht 50 euro për banesë! Për Ramën, shqiptarët...

Qeveria do të taksojë minimalisht 50 euro për banesë! Për Ramën, shqiptarët janë kurbani!

Nga Jorida Tabaku

Duhet ta pranojmë, kjo qeveri me Ramën në krye kanë qenë korrektë vetëm konform një politike të nisur që në fillimet e mandatit, rritja e taksave dhe tarifave përmes çdo mënyre të mundshme, e në fakt kanë qënë dhe shumë kreativë. Në fillimet e mandatit Rama rriti taksat dhe tatimet për çdo sektor ekonomik dhe për çdo fitim të mundshëm, pastaj pasi shtrydhi mirë e mirë nga xhepat e shqiptarëve rreth 450 mln dollarë në tre vjet u përpoq të ishte kreativ e të gjente mënyra të reja, rrugë me pagesë, tarifa, cmime të fshehura, taksa lokale e kështu me rradhë!

Në fundin e muajit gusht, ndërsa kanë bërë publik Arnimin Normativ duke ulur fondet për shërbime si dhe pritshmëritë në dogana edhe tatime duke treguar dështimin e radhës me buxhetin e vitit 2016, qeveria ka ndërmarrë një nismë të radhës, një rritje të re taksash, vendosjen e sigurimit të detyrueshëm për banesat dhe bizneset në rast të fatkeqësive natyrore. Nën ombrellën e këshillës së Bankës Botërore, qeveria në bashkëpunim me AMF ka nisur projektin për të detyruar çdo qytetar të vendit që të paguajë minimalisht 50 euro për banesë.

Një veprim i tillë, megjithëse i sugjeruar nga BB, nuk është aspak logjik sa i takon realitetit të vendit tonë. Me një popullsi të varfër dhe që ka një papunësi që sipas të dhënave të INSTAT është më e madhe se sa viti 2013 (është mbi 17%) dhe me një gjendje ekonomike të rënduar, një veprim i tillë do t’i rëndojë buxhetet e familjeve dhe është jashtë cdo llogjike ekonomike, morale e sociale.

Nga ana tjetër, qeveria pretendon t’i vendosë një taksë për banesat apartamenteve dhe bizneseve në mënyrë të tillë që buxheti i shtetit të mos preket nga ndonjë rrezik fiskal. Përtej një arsyetimi se sa mund të preket një vend nga këto rreziqe dhe në cilën masë, a nuk është më parë e nevojshme të llogarisim se sa para ka hedhur qeveria në zonat që preken përgjithësisht nga përmbytja apo rrëshqitja e dheut apo edhe nga zjarri?

Nga të dhënat e buxhetit ne shohim që në vitin 2016 shpenzimet kapitale të qeverisë (pra ato që kalojnë në funksion të investimeve edhe në bonifikime zonash apo në ndërtimin e mbrojtjeve për vendet që rrezikohen nga përmbytjet) janë më të ulëtat e kësaj dekade, 82.5 mld lekë. Përgjatë gjithë këtij mandati, Rama ka shpenzuar gjithnjë më pak para në shërbim të komunitetit si dhe ndërtimit të lehtësirave për zonat që rrezikohen nga katastrofat natyrore. Jo vetëm kaq, por fondet dhe provigjionet që kanë qenë dedikuar për përmbytjet apo rastet e emergjencës jo pak herë janë rialokuar nga qeveria për zbukurime apo mbushje boshllëqesh në buxhet duke lënë në baltë fermerët që u përmbytën përpara dy vitesh në jug.

Me çfarë të drejte kjo qeveri do të taksojë me minimalisht 50 euro për banesë rreth 1 milionë banesa të regjistruara në Shqipëri (dhe bizneset akoma më shumë) ndërkohë që nuk ka shpenzuar as sa viti 2013? Sa e besueshme është një qeveri e cila provigjionet në buxhet i ka harxhuar për zbukurime jo pak herë, se do të mirëmanaxhojë një pjesë të shumës së mbledhur në buxhet pa e përvetësuar në tendera abuziv si ato që i jep deputetëve të saj? Apo arsyet korruptive kësaj here lidhen me tregun e sigurimeve?
Sikur të mos mjaftonte kaq!

Përveç kësaj takse të re mbi apartamentet, qeveria në bashkëpunim me kompanitë e sigurimit që jo pak herë janë akuzuar si kartelë kanë vendosur që të rrisin TPL me 25%. Një veprim që nuk gjen asnjë argument logjik në favor të saj dhe që dukshëm nuk favorizon qytetarët por kompanitë e sigurimeve.
Në buxhetin e vitit 2015, në diskutimin e buxhetit i drejtova ish ministrit Cani puetje që lidheshin pikërisht me heqjen e TVSH nga policat e sigurimit që në atë periudhë u propagandua si një bamirësi e qeverisë karshi qytetarëve. Madje propaganda e qeverisë u përpoq ta përhapte këtë lajm për të zbutur rritjen e taksës së qarkullimit, por ndonëse e propaganduar heqja e TVSH-së nuk u reflektua aspak tek çmimi i siguracioneve që u ulën fare pak. Kjo shprehet qartë dhe në relacionin e buxhetit ku thuhet se heqja e TVSH nuk u relflektua në cmim, për këtë arsye nqs do të vendoset një taksë e re nuk do të ndikojë ëprsëri në cmim.

Sot, qeveria dhe institucionet e saj, duke parë që heqja e TVSH-së nuk ka ndikuar në uljen e kostos së sigurimeve ka vendosur që të rrisë primin nga 3 në 10%. Kjo rritje, sot po paguhet tërësisht nga qytetarët të cilët pasi kanë paguar në po të njëjtin çmim sigurimin kur u hoq TVSH-ja do të duhet të paguajnë edhe rritjen e taksës së sigurimit në vend të kompanive private. Në pak fjalë Rama, në kundërshti me çdo logjikë të një tregu të lirë, bëhet palë me sipërmarrjen private që dukshëm ka një përfitim në kurriz të konsumatorit.

Edhe kjo sjellje, njësoj si ajo e sigurimit të banesave dhe bizneseve, ka për qëllim të qartë abuzimin me paratë e qytetarëve që nuk kanë nga të shkojnë. Po përplasen përditë e më shumë me një qeveri që i abuzon sistematikisht, i ngarkon me taksa dhe tarifa tërësisht absurde dhe në fund nuk i jep as shërbimin e kërkuar dhe as atë që e ka me detyrim. Në të kundërt, kryeministri Rama nuk lë qokë apo shpërblim në shërbim të interesave të tij personale ndaj bizneseve dhe kompanive pranë tij. Duke shpërndarë qoftë edhe fondet e provigjoneve në llogaritë bankare të miqve të tij.

E gjithë kjo rrëmujë që jo pak herë justifikohet me kërkesa të Bankës Botërore apo Bashkimit Europian, organizohet me qëllim që Rama dhe i gjithë rrethi i tij të përfitojnë edhe monedhën e fundit nga qytetarët. Rritën cdo taksë e cdo tarifë në këtë vend, rritën cmimin e energjisë e cd taksë lokale, po vendosin tarifa nga më të paimagjinueshmet e përsëri nuk po realizojnë dot të ardhurat. Kam qënë bujare e deri dje e kam quajtur paaftësi, por sot kjo ka vetëm një emër vjedhje!

Për Ramën, shqiptarët janë kurbani!

Share: