Home KRYESORE Shqipëria si Republikë e Ndërgjegjes apo si Mbretëri e shurdhërisë?

Shqipëria si Republikë e Ndërgjegjes apo si Mbretëri e shurdhërisë?

arian-galdini-2

Nga Arian Galdini

Në 50 vite diktaturë komuniste të gjitha pushtetet politike, institucionale dhe individuale i kishte zaptuar Partia e Punës me Byronë Politike.

Në këto 25 – 26 vite protodemokraci langaraqe dhe rropatje nëpër tranzicion sërisht Partitë e shumta politike me ‘udhëheqësitë’ e tyre edhe kur e ‘çliruan’ Shqipërinë nga diktatura, nuk ia dorëzuan pushtetet që u takonin qytetarëve.

Liria madje u interpretua si një atribut elitar që e kanë Udhëheqësit e ndriçuar atje lart, ndërsa qytetarët poshtë mund ta përdorin lirinë vetëm si një lodër nëpër rrugë, kafene apo shtëpi nëpërmjet së cilës mund të ‘fryjnë e shfryjnë’ çdo pasion të mundshëm duke sharë e lëvduar kë të duan e mund të ankohen papushim ku e si të duan.

Thelbi qëndron në faktin se askush nuk i dëgjon. Tirania e shpërfilljes bashkëshoqërohet me qytetarin ankimues që e ka humbur rrugën duke kërkuar me nglum në adresë të gabuar lirinë. Fjala ka humbur peshën ngase ‘Udhëheqësitë Politike’ nuk ua dorëzuan qytetarëve këtë pushtet edhe pse thuhet papushim se Shqipëria është një vend demokratik që me meritë është anëtarësuar në NATO, e ka marë statusin Kandidat për BE.

Shurdhëria e tyre ndaj qytetarëve është riprodhuar si model edhe nga qytetarët të cilët gjithashtu kanë humbur shpresat e kanë mbyllur veshët ndaj Politikanëve, plotësisht në kundërshti me interesat e tyre.

Politikanët, atëherë me ngazëllim janë vetëkurorëzuar Mbretër në mbretërinë e shurdhëve ku të gjithë flasin e askush nuk dëgjon.

Të zhveshur nga pushteti i fjalës qytetarët kanë mbetur vetëm me pushtetin e veprimit.

Ndërkohë ‘Udhëheqësitë politike’ që kanë instrumenta dhe pushtete të pafundme, megjithatë vuajnë pasojat e shurdhërisë ndaj zhyten në konflikte të parreshtura të mbizotëruara nga arsyeja e më të fortit, mosbesimi dhe sigurisht ‘kapsulimi ndaj qytetarit’.

Në këtë mënyrë Udhëheqësitë të cilat me kujdes janë kapsuluar ndaj qytetarit dhe nuk e lejojnë këtë të fundit të marë pjesë në punët e politikës vetëgjymtojnë mundësitë dhe hapësirat që kanë duke synuar me çdo kusht keqpërdorimin e veprimit qytetar në po atë masë tragjike të arbitrariteti me të cilin përdorin ‘Pushtetet e Shtetit’.

Dhe ja ku mbërrijmë në këtë pikë kur qytetari zhvishet edhe nga pushteti i veprimit. Udhëheqësitë vetëmandatohen sipas rastit duke bërë 25 – 26 vite rresht batërdi elektorale, pra duke ia asgjësuar qytetarit mundësinë e veprimit nëpërmjet dhënies së votës së besimit.

Sikundër fjala bie në vesh të shurdhër, vota bie në kuti të rrejshme ose shkëmbehet me para në dorë, thes mielli, rimbushje telefoni, e gjithëfare çmimi tjetër.

Në këto kohë e ditë që po jetojmë vota shkëmbehet edhe me parcela kanabisi apl punë në parcela kanabisi. Të fortët, horrat, e batakçinjtë e lagjeve, fshatrave e qyteteve janë operatorët e terrenit për mbledhjen e votave. Kjo e bën më keq akoma punën ngase na sjell në vëmendje të vërtetat e dhimbshme se gjithësesi me vota nuk bëhen zgjedhje.

Votat janë proçedura e fundit e qytetarit shurdh, ankimues dhe shpresëhumbur që përfton produktin e fundit pas një ‘koncerti virtuoz politik’ të ekzekutuar zhurmshëm dhe paradoksalisht me luks e fatura marramendëse prej udhëheqësive shurdhe.

Qytetari është i dobët po aq sa fjala dhe veprimi i tij. I fundmi pushtet që i mbetet ‘të dobëtit’, dmth qytetarit, është vetësublimimi për ti dhënë ngasje ndërgjegjes së më të fortit që të kuptojë dhe reagojë edhe kur nuk ka veshë të dëgjojë.

Fjala dhe veprimi janë kredibiliteti i qytetarit që në kushte normale demokratike nuk duhej kurrësesi të ishte ‘i dobëti’.

Në liri dhe demokraci reale fuqia është në duart e qytetarit.

Në mbretërinë e shurdhëve fuqia është në duart e Udhëheqësive.

Kur udhëheqësitë e kapsuluara kaplohen nga “kompleksi i pafuqisë” për shkak të hileve reciproke e kësisoj triumfimit të më ‘të fortit’, kandisen në këtë farësoj gjendjeje kur ‘gardhëzojnë’ dhe zaptojnë pa leje dhe pa përunjësi pushtetet dhe kredibilitetin e qytetarit.

“I forti’ shtiret për ‘i dobët’ dhe qytetari degëdiset në zgrip të mospërfilljes i paracaktuar të jetë humbësi i madh i përhershëm.

Qytetari i dobët nuk e ka më as pushtetin, institucionin e vetësublimimit si klithmë për të qenë i dëgjuar apo kuptuar, sepse sotdita Udhëheqësitë kanë rënë aq poshtë sa në ndërgjegjen e tyre mbivlejnë vetëm arsyet e përdorimit të cilitdo pushtet që potencialisht apo realisht ekziston duke filluar nga pushtetet e indvidit qytetar deri tek Pushtetet e Shtetit.

Ndaj do të volitet ngritja e qyetetarëve si luftëtarë të një beteje të madhe për dinjitet që do ta vendosë qytetarin në atë lartësi kur ‘udhëheqësitë’ do ç’kapsulohen duke ua dorëzuar pushtetet qytetarëve, që jo thjesht e vetëm vota, por zgjedhja të jetë e shenjtë.

Sot me vota nuk behen zgjedhje, por sillen në pushtet ‘më të fortët’ brenda ‘llogoreve të udhëheqësive’.

Lartësimi deri ne Dinjitet i qytetarit, do të bëjë që ‘udhëheqësitë’ do të duhet të shkulin ‘gardhet’ me të cilat kanë zaptuar liritë e qytetarit, drejtësinë, zyrat e shtetit, pronat shtetërore apo private, etj.

Lartësimi deri në Dinjitet i qytetarit, nuk do të lejojë më që ‘udhëheqësitë’ ta përdorin shtetin si ‘trofe’ për të bërë dhe ndarë plaçkë fitimtarët, nuk do të lejojë që zyrat e shtetit të përdoren si ‘tokë e xanun’ dhe administrata publike të përmbytet nga hordhitë e ‘mercenarëve’ politikë që shpërblehen për kontributet e tyre në fitoren e fitimtarëve, do të çlirojë hapësirat publike të gardhëzuara dhe zaptuara nga ‘udhëheqësitë’, do të çlirojë hapësirat mediatike të gardhëzuara dhe zaptuara nga ‘udhëheqësitë’, do të çlirojë të gjitha pushtetet e shtetit për ti vënë në shërbim të qytetarit.

E shenjtë është e drejta për garë dhe konkurencë të ndershme me rregulla loje të drejta dhe të barabarta për të gjithë.

E shenjtë është e drejta për të zgjedhur.

Në një shoqëri të traumatizuar sikurse është shoqëria shqiptare e cila vuan pasojat e ‘konsensusit negativ te elitave’, nuk ekzistojne shanset, mundësitë, atributet dhe hapësirat që i krijojnë qytetarit kushtet dhe kapacitetet për të zgjedhur, atëherë edhe pse ‘elitat’ kanë prodhuar gati-gati në kushte laboratorike një lojë konkurueshmërie, zgjedhjesh ku garojnë e marrin pjesë shumë parti, votat në kuti të rrejshme apo transparente janë thjesht copa letre që ‘shenjtërojnë’ pushtetarët dhe zhvleftësojnë qytetarët.

Sfida e intelektualëve, aktivistëve politikë dhe civilë shqiptarë është që të ndihmojnë qytetarin që të kuptojë, dhe që të ngrihet në lartësinë e dinjitetit, gjë që do të shenjtërojë mundësinë që në Shqiperi qytetarët të zgjedhin përfaqësues që u shërbejnë dhe jo më ‘udhëheqës’ që i qeverisin të ngrefosur ngase janë të votuar.

Arian Galdini

Share: