Home KRYESORE Burg për shokët e Shullazit që kërcënuan biznesmenin e kafesë

Burg për shokët e Shullazit që kërcënuan biznesmenin e kafesë

Krimet e Rënda dënuan me 7 vjet burg Pajtim Serjanin për vendosjen e një gjobe ndaj një biznesmeni kafeje në kryeqytet.

Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit u shpall fajtor dhe u dënua me 7 vjet burg, së bashku me Elvis Karolin, Arianit Lulin, Klevis Kardashin, Ditmar Reçin.

Ndërsa Genc Ferhati dhe Arben Hashihyseni janë dënuar me nga 8 vjet burg për akuzat e gjobvënies dhe marrje të pasurisë përmes shtrëngimit.

Bëhet fjalë për një shumë prej 13 mijë eurosh, që Pajtim Serjani, Ditmar Reçi dhe 4 personat e tjerë i kishin kërkuar biznesmenit të kafes, duke e kërcënuar me jetë.

Denoncimi i tij është provuar gjatë hetimeve që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Kryeqytetit.

Ashtu siç është provuar edhe një lloj “kontrate” që të arrestuarit e detyronin biznesmenin të nënshkruante me ta, edhe pse pa laps e letër, që e detyronte atë të paguante tek autorët 10% të xhiros vjetore, në këmbim të jetës së tij e të familjarëve.

Pajtim Serjani njihet në kryeqytet si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, ndërsa rreth 4 muaj më parë ai u plagos gjatë një atentati ndaj tij, ku u vra personi që e qëlloi, Artur Baze.

Serjani u plagos në praninë e Ditmar Reçit, që po ashtu u arrestua mbrëmë dhe dy miqve të tjerë të tij, efektivit të Policisë Roland Meta, i cili qëlloi për vdekje atentatorin e Serjanit dhe shtetasit Denis Ramani./Lapsi.al

Share: