Home KRYESORE Investigimi/ Ja si riciklohet sërish në treg akullorja e pashitur!

Investigimi/ Ja si riciklohet sërish në treg akullorja e pashitur!

Emisionit Fiks fare risolli fakte nga mënyra sesi tregtaret e abuzojnë me prodhimin dhe tregtimin e akullores, e cila gjatë sezonit të verës është një nga produktet që konsumohet me shumë.

Kamera e Fiks fare ka zbuluar sesi prodhohet dhe riciklohet akullorja, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Gazetarët e këtij emisioni bashkë me inspektorët e AKU kanë kryer analiza të akullores që shitet sot në Tiranë .

Nga këto analiza kanë rezultuar se në 7 subjekte niveli i ngarkesës mikrobike ishte deri në 30 herë më i lartë se norma e lejuar! Duke qenë se ky është një produkt që konsumohet shumë në ditët e verës, gazetarët mblodhën fakte tronditëse për atë ç’ka konsumohet nga qytetarët.

Akullorja e përftuar nga qumështi është e ndjeshme ndaj temperaturave të larta, ndaj edhe ruajtja e saj është një problem më vete. Po si ruhet ajo nga tregtarët?

Në bisedat me prodhues të akullores, por edhe të shitësve në pika të ndryshme në kryeqytet, kuptohet se tregtarët e akullores në Tiranë e riciklojnë akulloren e mbetur nga prodhimi i disa ditëve më parë, akullore e cila nuk duhet të konsumohet pasi është e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Nuk ka rëndësi se kur është prodhuar akullorja , një apo dy ditë më parë, nëse mbetet pa shitur ajo ripërpunohet për t’u hedhur sërish në treg.

Në shumë raste u panë në vasketa akullore të shkrira, si pasojë e proçesit të kalimit nga frigoriferi I ngrirjes tek frigoriferi i vitrinës . Të pyetur nga gazetarët për këtë fakt (ngrirja – shkrirja), për shitësit dhe prodhuesit e akullorës, kjo gjë është normale dhe justifikimet nga ana e tyre janë nga më të ndryshmet. Madje një nga shitësit e krahason akulloren me mishin, ai shprehet: “Pse mishi si rron? Ça ka mishi ka dhe akullorja, rron në frigorifer nga 18 muaj deri në 2 vjet ”.

AKU: 7 subjekte me ngarkesë mikrobike mbi normë

Gazetarët e Fiksit kërkuan të bashkëpunojnë me Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Dega Tiranë, për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave për ngarkesën mikrobike që mban kjo akullore e tregtuar në këto kushte .

Në fazën e parë inspektorët shkuan nëpër subjektet e përzgjedhura për të marrë mostrat në vasketa, nga ku më pas u analizuan dhe dolën rezultatet në afatin kohor nga 48-72 orë.

Në 11 subjektë, 9 të përzgjedhura nga Fiks Farë dhe 2 nga DRAKU Tiranë 7 prej tyre rezultuan pozitive ndaj ngarkesës mikrobike .

Në këto 7 subjekte ngarkesa mikrobike rezultoi me 20-30 fishin mbi normën e lejuar. Normë, e cila është e përcaktuar në vlerat nga 10-100 kol/gr. Ndaj këtyre subjekteve u bë bllokimi i aktivitetit prodhim- shitje i produktit të akullores, si dhe u gjobiten me 300 mijë lekë.

Infeksionisti: Kujdes nga akullorja, të helmon

Meqë akullorja është një produkt shumë i ndjeshëm dhe nëse konsumohet jo në cilësinë e duhur, rreziku për shëndetin është shumë i lartë.

Për këtë arsye gazetarët iu drejtuan mjekut infeksionist Prof. Pëllumb Pipero. Mjeku pohoi për raste të shtuara të pacientëve të intoksikuar nga ushqimet. Sipas tij akullorja dhe embëlsirat në tërësi janë një terren i përshtatshëm për zhvillimin e mikrobeve, ç’ka sjell edhe helmime .

Pipero bëri thirrje për kontrolle të vazhdueshme nga ana e institucioneve përkatëse, por edhe për kujdes nga vetë qytetarët për vendin dhe mënyrën se si u serviret akullorja.

Share: