Home KRYESORE “Pum! Pum! Pum! Nana Tereza do të vijë shpejt”!

“Pum! Pum! Pum! Nana Tereza do të vijë shpejt”!

Nga Albert Nikolla

Në “Histori kurrë e shkrueme”, Atë Zef Pllumi përshkruan një dëshmi interesante mbi një ndër vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri. Nënë Tereza kishte planifikuar një vizitë rreth datës 20 shkurt të 1991 dhe sekretarja e Nënë Terezës mbante kontakte të vazhdueshme me Atë Zefin për detajet e pritjes dhe planin e vizitës.

Mirëpo dihet se çfarë ndodhi në 20 shkurt të 1991: u rrëzua busti i E. Hoxhës dhe vendi ishte në prag lufte civile. Për këtë arsye Nënë Tereza e kishte shtyrë ardhjen e saj nga Roma ku ishte ndalur pas ardhjes nga India. Sekretarja e Nënë Terezës takohet me atë Zefin dhe, si çdo e huaj asokohe, përpiqej të përdorte gjeste ose pasthirrma për të komunikuar duke menduar se kurrkush nuk e kuptonte anglishten. E ndodhur përpara habisë dhe pyetjes se Atë Zefit se pse nuk po vinte Nënë Tereza sipas planit, ajo, duke dëgjuar krismat e armëve, i përgjigjet: “Pum! Pum! Pum! Nana Tereza do të vijë shpejt”!

Sa herë më vjen ndërmend ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri, kujtohem për një novelë të mrekullueshme të L. Pirandello-s: “Çaula zbulon hënën”. Çaula është një djalosh skllav miniere dhe është mësuar me errësisrën e minierës, por ka tmerrësisht frikë nga errësira e natës jashtë minierës sepse nuk orientohet dot. Një natë, me thesin e mineralit mbi shpinë, i raskapitur e plot frikë del nga porta e minierës. Papritmas thesi i rrëzohet dhe ai mrekullohet përballë dritës së hënës. Kjo situatë kaq e bukur dhe e paparashikuar e bën të qajë prej gëzimit. Kështu mendoj ka qënë dhe do vazhdojë të jetë Nënë Tereza për shqiptarët: dritë që u jep shpresë. Lum ata që orientohen prej kësaj drite!

Edhe vetë Nënë Tereza në dëshmitë e saj e ka cekur shpesh çështjen e “dritës dhe errësirës”. Në një pasazh të dëshmive të saj drejtuar atit të saj shpirtëror Atë Albert Huard, pohonte:”Atë, sa herë hap gojën të flas për Zotin e për veprën e Tij, arrij të kuptoj se kjo gjë përçon dritë tek njerëzit”.

Përshkrimi Atë Zefit për largimin e Nënë Terezës nga Shqipëria është mbresëlënës: “Kur hipi në avion më përshëndeti me dorë nga dritarja. Më vinte me kja, se me dukej sikur po shkëputej prej tokës sonë të dashtun pjesa mâ e mirë, mâ e dijtun e mâ e shêjtë e kombit, për të lanë këtu vetëm ata që dijnë më shkatërrue”. /(“Hylli i Dritës”, 5-6/1997)

at zef plluminene tereza

Share: