Home KRYESORE Kush fshihet pas bllokimit të Vetting-ut?

Kush fshihet pas bllokimit të Vetting-ut?

Nga Desada Metaj-

Sado i pakuptueshëm të jetë për publikun tërësia e reformës në drejtësi, ajo që për të cilën të gjithë janë të ndjeshëm dhe nuk hezitojnë të komentojnë apo të jenë entuziastë është “vettingu”, shpata e Demokleut që u qëndron në kokë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Shumëkush që mezi pret që kasta e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të zhduken nga sistemi ndoshta është ndjerë i tradhtuar nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese që e pezullon zbatimin e vettingut deri në një sqarim nga Komisioni i Venecias për rrjedhimet antikushtetuese që mund të pasojnë zbatimin e këtij ligji.

Por faktet dhe qëndrimet (të paktën në këtë rast konstante) të opozitës për antikushtetueshmërinë e këtij ligji treguan nxitimin dhe joseriozitetin me të cilin u trajtua i gjithë procesi që solli hartimin e një prej LIGJEVE më të rëndësishme të reformës në drejtësi.

Aq e vërtetë duket kjo sot, sa dhe reagimi i ndërkombëtarëve që ishin iniciatorë dhe shtytësit më të mëdhenj të kësaj refome, ishin 2 fjali të zbehta që i japin të drejtë pretendimeve që si gjithmonë presim të na i zgjidhë një institucion i huaj, kësaj here Komisioni i Venecias.

Nga ana tjetër, i gjithë procesi për të cilin ndërkombëtarët e Tiranës kryesisht zyrtarët e BE kishin nxitimin për ta miratuar në ditët e nxehta të verës, duket se ka ngecur pikërisht në zyrat e tyre. Dhe kjo nuk ka lidhje me vendimin e djeshëm të Gjykatës por me atë që duhet të jetë angazhimi i vërtetë i BE në procesin e reformës në drejtësi.

Ngulmimi aq i madh i zonjës Vllahutin për reformën, u zbeh gjatë muajve të fundit po aq sa daljet e saj ne TV shqiptare. Nëse Vettingu është një proces i monitoruar tërësisht nga ndërkombëtarët, asnjë prej tyre nuk ka mbërritur deri më sot në Tiranë.

Struktura e ONM që është përgjegjësja direkte për këtë proces dhe që kërkon gjykatës dhe prokurorë nga vendet anëtare të BE ende është një projekt në letër pasi duket se mungojnë jo vetëm fondet por dhe institucionalizimi i konkursit për përzgjedhjen e tyre. Më shumë se politikë shqiptare, i gjithë vettingu është një proces kryesisht i ndërkombëtarëve, që të dirigjuar nga përfaqësitë diplomatike në Tiranë deri tani kanë heshtur.

Në të vërtetë, e gjithë reforma e trumbetuar me të madhe gjatë muajve të verës, u pasua me apatinë e vjeshtës, kjo, që kur ambasadorja e BE në Tiranë nuk ishte më stari i TV shqiptare por thjesht pjesmarrëse në seminare të dorës së dytë ku flitej për çdo gjë, por jo për reformën.

Edhe gjuha e drunjtë e përdorur ndaj opozitës kur ajo vendosi të ankimonte vettingun në Kushtetuese nuk i shërbeu konsensusit aq të përfolur dhe aq pak të arritur mes opozitës dhe mazhorancës për një nga ligjet më të rëndësishëm të 20 viteve të fundit. Sepse sado të pretendosh që po ndërron ca gjykatës dhe prokurorë me një ligj të sajuar shpejt e shpejt dhe keq me ca gjykatës dhe prokurorë të tjerë, nuk mund të bindësh shqiptarët që po e shpëton sistemin e kalbur të drejtësisë.

Kjo është thjesht t’i hedhësh hi syve qytetarëve të dëshperuar nga drejtësia dhe që fare qartë e kuptojnë se sistemi i drejtësisë është peng i politikës. I asaj politike që ka sot votat në Kuvend dhe nuk ka turp që për vettingun ka zgjedhur që ta votojnë dhe deputetë kriminelë dhe trafikantë, deputetë me precendetë penalë që falë vullnetit të kryetarëve të partive janë sot ligjvënës.

Ky është një makiazh i panevojshëm për një sistem të rrënuar, që zanafillën e ka tek politika dhe zgjatimet po aty. Reforma në drejtësi është një kusht drejt BE, por askush në Bruksel dhe që e njeh mirë Shqipërinë nuk mund të genjehet me makiazhet dhe hilet shqiptaro-ndërkombëtare që na kanë lënë jashtë Europës këto 20 vjet./Opinion.al

Share: