Home I pakategorizuar Mbi 18 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë britanike që prej vitit 1995

Mbi 18 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë britanike që prej vitit 1995

Gjithmonë ka qenë e vështirë për të kuptuar se sa është numri i shqiptarëve të legalizuar në Britaninë e Madhe që prej vitit 1998, kur dhe nisi emigrimi masiv drejt vendit ishullor.
Tvklan.al ka mundur të sigurojë këtë dokument nga Ministria e Brendshme britanike “Home Office”, ku për herë të parë publikohen statistikat, se sa persona me kombësi shqiptare dhe shqiptarë të Kosovës kanë fituar nënshtetësinë britanike.
Dokumenti zyrtar tregon se, nga periudha 1 Janar 1995 deri më 30 Qershor 2016, iu është dhënë nënshtetësia angleze 11,360 aplikantëve, me nënshtetësi shqiptare.
Nga periudha 1 Janar 2007 deri më 30 Qershor 2016, iu është dhënë nënshtetësia britanike 7,168 aplikantëve me nënshtetësi kosovare.
“Para vitit 2007, personat me nënshtetësi kosovare nuk identifikoheshin akoma më vete dhe konsideroheshin pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi”, citohet në dokumentin e “Home Office”.
Pra, zyrtarisht nënshtetësinë britanike që nga viti 1995 deri në vitin 2016 e gëzojnë 18,528 shtetas të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndërsa mendohet se numri i shqiptarëve në Britani pa dokumente të rregullta qëndrimi të jetë rreth 3 herë më i lartë se shifra e sipërcituar.
Ndërkohë, mësohet se “Home Office” ka identifikuar dhe ka çuar në gjykatë për heqje të nënshtetësisë britanike të fituar përmes mashtrimit, mbi 400 raste të shqiptarëve. Fatin e tyre pritet ta vendosë Gjykata Supreme, vitin e ardhshëm./tv klan/
Image
Share: