Home KRYESORE Makinat që merrnin me qera i trafikonin drejt Serbisë dhe pastaj…

Makinat që merrnin me qera i trafikonin drejt Serbisë dhe pastaj…

Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Rezervimi” ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, të akuzuar se merrnin makina me qera dhe më pas i deklaronin të vjedhura, ndërkohë që më tej i trafikonin jashtë Shqipërisë.

Gjatë ditës së sotme u bë arrestimi në flagrancë i Safet Rizvani, 22 vjeç, banues në Fier dhe 30- vjeçarit Denis Dukiç, banues në Zagreb, Kroaci.

Ndërkohë të shpallurit në kërkim janë M.K., 30 vjeç dhe F. B., por që të dhëna të tjera nuk jepen për arsye hetimi.

Ata akuzohen se ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit të mjeteve motorike, dhe se merrnin makina me qira në kompani të ndryshme, me qëllim trafikimin e tyre jashtë Shqipërisë, në drejtim të shtetit serb, ku më pas i deklaronin të vjedhura.

Safet Rizvani në bashkëpunim me shtetasin Denis Dukiç, dyshohet se më 11 dhjetor kanë tentuar të trafikojnë një automjet të tipit “Skoda Superb”, mjet i cili është marrë me qira nga Dukiç tek një kompani për dhënien e mjeteve me qira.

Gjithashtu Rizvani në bashkëpunim me shtetasin M. K., më 26 nëntor dyshohet të kenë trafikuar drejt shtetit serb, mjetin tip “Skoda Oktavia”, të marrë me qira tek një kompani për dhënien e mjeteve me qira, mjet të cilin e kanë denoncuar të vjedhur më datë 30 nëntor, në Kumanovë të Maqedonisë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se kjo veprimtari është organizuar nga i shpalluri në kërkim F.B.

Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera ku mund të jenë të përfshirë, ndërkohë që materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”./lapsi.al

Share: