Home KRYESORE Trump shkarkon Prokuroren e Përgjithshme

Trump shkarkon Prokuroren e Përgjithshme

Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme në detyrë Sally Yates, për arsye se refuzoi zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për emigracionin dhe refugjatët.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se zonja Yates “ka refuzuar të zbatojë një urdhër të ligjshëm që synon të mbrojë qytetarët e Shteteve të Bashkuara”.

Të hënën pasdite, zonja Yates u tha juristëve të Departamentit të Drejtësisë të mos nxjerrin argumente ligjore në mbrojtje të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump. Yates “ka tradhtuar Departamentin e Drejtësisë,” tha Shtëpia e Bardhë.

Ajo njoftoi gjithashtu se Dana Boente, prokuror i Distriktit Lindor të Virxhinias është emëruar Prokuror i Përgjithshme në detyrë.

Zoti Boente e bëri betimin të hënën mbrëma në orën 21:00 sipas orës së Uashingtonit.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump çoi në një përplasje mes Shtëpisë së Bardhë dhe zonjës Yates, e cila ishte emëruar nga ish-Presidenti Barack Obama dhe duhet të shërbente si Prokurore e Përgjithshme deri në konfirmimin e zotit Jeff Sessions, i emëruar në këtë post nga zoti Trump.

Trump mbron urdhrin ekzekutiv

Presidenti Donald Trump ka vazhduar t’i dalë në mbrojtje urdhrit ekzekutiv për të ndaluar futjen e refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende kryesisht myslimane, ndërkohë që grupe për të drejtat e njeriut janë betuar të vazhdojnë padi ligjore dhe kur në qytete të ndryshme mijëra vetë po zhvillojnë protesta. Demokratët po përgatiten të propozojnë projekt-ligje për ta bllokuar zbatimin e urdhrit.

Në një seri komentesh në Twitter të hënën, zoti Trump tha se Sekretari i Sigurisë Kombëtare John Kelly i kishte thënë se “çdo gjë po ecën mirë, vetëm me probleme të vogla”.

Pentagoni po harton një listë me emrat e irakianëve të cilët kanë mbështetur personelin amerikan dhe të koalicionit për t’i përjashtuar ata nga vendimi i Presidentit Trump.

Zyrtarët thanë të hënën se lista do të përfshijë ata që kanë demonstruar ndjeshëm angazhimin e tyre në mbështetje të forcave amerikane. Ajo do të përfshijë kategori të tilla si përkthyesit, shoferët dhe forcat irakiane që mund të jenë duke u stërvitur në SHBA.

Reagon ish presidenti Obama

Një zëdhënës i ish-presidentit Barack Obama thotë se zoti Obama “në thelb nuk pajtohet” me diskriminimin që vë në shënjestër njerëzit bazuar në fenë e tyre.

Deklarata nuk e përmend në mënyrë konkrete urdhrin e Presidentit Donald Trump, ndonëse aludon për të.

Shtëpia e Bardhë tha se urdhri në fjalë nuk është ndalim për myslimanët, sepse dhjetëra shtete me shumicë myslimane nuk përfshihen në të.

Zëdhënësi i zotit Obama, Kevin Lewis, thotë se Obama është i inkurajuar nga përmasat e angazhimit që po shihet kudo në vend. Ai i referohej protestave kundër urdhrit të zotit Trump mbi emigracionin dhe refugjatët.

Ndërkohë, një numër në rritje ligjvënësish republikanë kanë shprehur shqetësime në lidhje me urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump.

Urdhri, i cili u nënshkrua të premten, përfshin një ndalim 120 ditësh të pranimit të refugjatëve dhe një ndalin 90 ditësh për persona nga Iraku, Irani, Siria, Somalia, Sudani, Libia dhe Jemeni./VOA

Share: