Home KRYESORE Zgjedhjet 2017, politika perballe krimit te organizuar dhe droges

Zgjedhjet 2017, politika perballe krimit te organizuar dhe droges

Nga Kasem Seferi

Zgjedhjet po afrojnë. Përditë e më shumë, po shtohet shqetësimi qytetar se cili do të jetë qëndrimi dhe kontributi i politikës shqiptare për të larguar/mënjanuar ndërhyrjen e krimit të organizuar në zgjedhjet e vitit 2017. Më saktë, çfarë vlere konkrete do të ketë jo vetëm vettingu kaq i përfolur në media?

Krimi i organizuar është një dukuri e kudondodhur, e shfaqur në kultura, shoqëri dhe vende të ndryshme në të gjithë botën; pra, është global në shkallë dhe jo vetëm në disa zona gjeografike, grupe etnike të vetme, ose sisteme shoqërore të veçanta.

Rrugëzgjidhjet e hershme për të analizuar kushtet ligjorë, shoqërorë dhe politikë për krimin e organizuar duket se, tashmë, janë diskretituar gjërësisht. Përpjekja më e fundit, ndoshta më e suksesshmja, për shqyrtuar krimin e organizuar, mund të gjendet në analizën ekonomike të organizatave kriminale, mjedisin, strukturën dhe operimet e tyre

Individi i krimit të organizuar i llogarit të gjithë mundësitë e tij praktike të fitimit të të ardhurave legjitime, shumat e të ardhurave të ofruara nga këto mundësi, shumat e të ardhurave të ofruara nga metoda të ndryshme të paligjshme, mundësinë e arrestimit në qoftë se vepron në mënyrë të paligjshme si dhe ndëshkimin e mundshëm në qoftë se kapet. Pas bërjes së këtyre llogaritjeve individi zgjedh veprimin me fitimin më të madh.

Studjuesi Dwight Smith, pas investigimit të veprimtarisë kriminale, sugjeroi se krimi dhe manifestimet e tij të ndryshme mund të pozicionohen sipas veprimtarisë ekonomike që vijon: bujqësi, industri, tregti, komunikacion, etj. Pra, veprimtari e paligjshme, e organizuar, krahinore dhe/ose e paorganizuar (krimi individual kundër pronës).

Infiltrimi i krimit të organizuar në ekonomi bëhet me anë të kërcënimit me dhunë, përdorimit të burimeve financiare, kontributit të firmave që simpatizojnë krimin e organizuar, dërgesave nga emigrantët nëpërmjet qarkullimit informal të sistemit bankar, kontrolli ndërkombëtar dhe blerjes së kompanive, infiltrimit në tregjet financiare ndërkombëtare, veprimtarisë tregtare, veprimtarisë klasike kriminale dhe bashkëpunimit me punëmarrës ose funksionarë (pra, korrupsionit).

Burimet e financimit të krimit të organizuar që kanalizohen nëpërmjet sistemeve formale dhe informale, vijnë nga një varietet origjinash, disa kriminale disa jo, por më të rëndësishmet janë: të brendshmet – individuale dhe firmës si paraja nën dorë dhe korrupsioni, diaspora – komunitetet migrante me anë të kontributeve për mbrojtje, nivelit të lartë të krimit të organizuar si mashtrimi, prodhimi i paligjshëm dhe kontrabanda e drogës, pengmarrja, vjedhja me armë, trafikimi i qenieve njerëzore dhe investimet në biznese legjitime (ku paraja përdoret për të blerë ndërmarrje dhe për t’u angazhuar në tregti me fitim).

Në vitin 1972, mbi bazën e librit të shkrimtarit Mario Puzo u prodhua dhe u shfaq për herë të parë filmi artistik me të njëjtin emër “The Godfather – Kumbari”; libri “Kumbari” ka shumë material interesant në lidhje me analizën ekonomike të krimit të organizuar (pavarësisht veçorive) me krimin e organizuar në Shqipëri.

Thënia e Don Korleones “do t‘ ju bëj një ofertë që ju nuk mund ta refuzoni”, si dhe thënia se “një avokat me çantën e tij mund të vjedhë më shumë se sa njëqind njerëz me armë”, me shembuj të njohur tregojnë të njëjtën dukuri.

Një prej temave përsëritëse të romanit është se njerëzit kthehen te krimi i organizuar për ndihmë për shkak të korrupsionit dhe natyrës vetë – shërbyese të shumë institucioneve ligjore dhe politike që i lejojnë elitat ta plaçkisin të dobëtin sistematikisht.

Mario Puzo, ashtu sikundër e ka shpjeguar sistematikisht sociologu Diego Gambetta, krimi i organizuar lulëzon për arsye se siguron “mbrojtje” më të mirë kundrejt krimit dhe dhunimeve të të drejtave të pasurisë dhe kontratës në krahasim me atë që bëjnë autoritetet zyrtare që, zakonisht, mbrojnë vetëm elitën e fuqishme politikisht

Për aq kohë sa trafikantët dhe tregtarët e drogës nuk mund të shkojnë në gjykata për të detyruar zbatimin e kontratave dhe përgatitje të tjera të biznesit, nuk u ngelet zgjidhje tjetër përveç dhunës private.

Natyrisht organizimi i një tregu të zi që nis me anë të sigurimit të dhunës mbrojtëse ka gjithashtu nxitës të fortë për t’u angazhuar në agresion, gjë që shprehet duke i karakterizuar veprimet e dhunshme të mafiozëve thjesht si “biznes” dhe jo “personale”

Përfundimisht dhe, pothuajse në mënyrë të përsëritur, duhet të theksohen ngjashmëritë ose më saktë se sa diferencat, ndërmjet të fortëve të krimit të organizuar , politikanëve të zakonshëm dhe zyrtarëve publikë. Të dy palët i detyrojnë njerëzit të paguajnë për “mbrojtje”, ose të bëjnë çfarë do politika. Të dyj palët portretizohen të korruptuara dhe vetë – shërbyese, si dhe i mbulojnë krimet me një llustër të retorikës moralizuese.

Çdo lexues i këtij shkrimi me hamendje nuk i harron ngjarjet e këtyre viteve të fundit që nga vrasjet e oficerëve të policisë, te hyrjet e kriminelëve në Kuvendin e Shqipërisë, te zgjedhjet në krye të organeve të pushtetit vendor, te lirimi nga burgu i disa krerëve të krimit të organizuar, te pazaret midis politikanëve për të eleminuar konkurrentët e mundshëm, etj, etj, deri te neveria e përditshme e lajmeve të kronikës së zezë.

Në sfond në politikë: çoroditje dhe konflikt; në ekonomi: konkurrueshmëri e ulët dhe frymë mbytëse për sipërmarrjen; në shoqëri: myk i shoqërisë civile dhe monopol i shëmtuar i pseudo – analistëve dhe pseudo – gazetarëve të mirëpaguar; në varfëri: një popull me një zemërim tipik të mbijetesës që priret të drejtohet nga ndonjë rrymë populiste që mund t’ia kalojë populizmit partiak të partive politike.

Rreth e rrotull shqiptarëve, në ”Ballkanin Perëndimor”, përveç “acarit” ekonomik dhe një acar që fryn nga grykë të vjetra (por jo të harrura) të historisë së vjetër dhe historisë së re.

Zgjedhjet e 2017, janë prologu i së ardhmes (të mirë, ose të keqe) politike, ekonomike dhe shoqërore (varfërisë ose mirëqënies së dëshiruar).

Le të mendohen mirë politikanët (nëse e njohin veten për të tillë dhe nëse e kanë një qëllim të tillë në ndërgjegje. Zëri që vjen nga poshtë, më kujton disa tinguj që nuk i dëgjojnë njerëzit e zakonshëm, por thonë se i kapin njerëzit me vizion.

Dritë në fund të tunelit ZGJEDHJET E VITIT 2017!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: