Home KRYESORE Karshillëku antieuroatlantik shqiptar!

Karshillëku antieuroatlantik shqiptar!

Nga Çerçiz Loloçi

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe mjaft politikanë të tjerë në Shqipëri kanë kontestuar rolin protagonist të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së Brukselit Romana Vlahutin për ndryshimet kushtetuese dhe sidomos për Reformën në Drejtësi.

Madje përtej kësaj pakënaqësie, mediat pranë tyre ka nisur një fushatë të gjerë denigruese ndaj dy ambasadave më të rëndësishme, që janë njëheri edhe përfaqësues të dy nga partnerëve strategjikë të Shqipërisë.

Kjo nuk është hera e parë dhe e vetme kur, vendime apo reforma që duan të kthejnë në normalitet një demokraci të brishtë si kjo e jona, pra kur bëhen përpjekje për një klasë politike më të shëndoshë, për institucione më të konsoliduara, për një administratë publike që nuk përpjestohet mes partive dhe hyjnë deri edhe “të hurit dhe të litarit” përkundër konkurimit- të ngrihen pengesa nga më të pa konceptueshmet.

Reforma në Drejtësi është vërtet jetike për vendin tonë dhe këmbëngulja në këtë rast nuk ka qenë as e Partisë Socialiste, as e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe as e opozitës. Këtë e kanë kërkuar dhe kanë këmbëngulur më shumë ndërkombëtarët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Pikërisht për këtë shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës duke shpresuar në një rithemelim të republikës të grabituar babëzisht nga politikanë, ish kryekomunarë e kryebashkiakë, gjyqtarë e prokurorë dhe nëpunës të të gjitha niveleve.

Të ishte për këtë klasë politike, për këta deputetë dhe ministra, asgjë nuk duhej bërë sepse kjo nuk prekte asnjë fije nga shpërdorimet që bënin me pushtetin, nga gjyqet farsë që janë bërë këto 27 vjet dhe politikanët më të lartë “kanë dalë vazhdimisht pa u lagur”.

Modeli i partive kryesore në vendin tonë nuk ka asgjë të përbashkët me partitë europiane apo edhe ato të vende fqinje ku mandati i drejtimit s’mund të shkojë më shumë se dy të tilla dhe ku kryetarët e partive nuk sillen si kryetarë çetash të 100 e ca vjetëve më parë.

Ky perceptim, por edhe realitet njëkohësisht, i bën politikanët tanë të pabesueshëm dhe të pavërtetë. Kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap që duhet përshëndetur, por paralelisht me të duhet bërë edhe kontrolli i krerëve më të lartë të partive kryesore duke iu nënshtruar ”makinës të së vërtetës”.

Share: