Home KRYESORE Ja mesazhet e Mogherinit për politikën e Tiranës:

Ja mesazhet e Mogherinit për politikën e Tiranës:

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federika Mogerini flet për nevojën e dy reformave, atë në drejtësi dhe atë zgjedhore, në një mesazh të shpërndarë për mediat para vizitës në Tiranë. Kërkesës së opozitës për qeveri teknike, Bashkimi Europian i vë përballë reformën zgjedhore.

Paralelisht me të kërkohet reforma në drejtësi, pra votimi i Vetingut në parlament. Qëndrimi i pritshëm i Mogerinit në Tiranë, pak a shumë zbërthehet në një shkrim që zyra e BE në Tiranë ka shpërndarë për mediat.

PËR VETINGUN

  1. Zbatimi jo vetëm i reformës së drejtësisë, por edhe i reformës zgjedhore në Shqipëri është vendimtar që vendi të ecë përpara në udhën e tij të integrimit në BE, por edhe për të garantuar zgjedhje të besueshme dhe demokratike. Nxitja e këtyre reformave është detyrë e brezit tonë. Nëse duam të japim rezultate të dukshme dhe të prekshme për qytetarët tanë dhe të përmirësojmë jetët e njerëzve, duhet ta forcojmë bashkëpunimin tonë sot, jo nesër.
  2. Reforma e drejtësisë në Shqipëri, që kaloi pas muajsh pune të përbashkët, hapi një fazë krejt të re në udhën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe unë pres me padurim të shoh zbatimin e saj të menjëhershëm.

PER BOJKOTIN E PARLAMENTIT

Do të takohem me të gjitha qeveritë dhe do të flas në parlamentet kombëtare, aty ku ende nuk kam pasur rastin ta bëj: ajo është qendra e çdo demokracie, ku politikëbërësit duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre. Sepse kjo është puna jonë e përbashkët. Reformat në secilin vend kanë rëndësi jo sepse qeveritë apo Bashkimi Evropian i duan ato, por sepse ato mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë për shumë njerëz në këtë rajon.

PËR QEVERISJEN E VENDIT

Debatet politike shpesh kanë zënë vendin e ndjekjes së interesave të qytetarëve. Premtimi për kushte më të mira jetese nuk është ndjekur gjithnjë me progres të vërtetë dhe të dukshëm.

PËR ROLIN E SHQIPËRISË NË RAJON

Por është po ashtu e qartë se bashkëpunimi, dialogu dhe pajtimi kanë një ndikim të mundshëm si mbi jetët e përditshme të qytetarëve, ashtu dhe në udhën drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian në mbarë rajonin. Dhe Shqipëria ku luajtur një rol shumë pozitiv në dinamikat rajonale gjatë viteve të fundit.

Shkrimi i plote nga Federica MOGHERINI

Ta udhëheqim Ballkanin Perëndimor drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Kjo është detyrë e brezit tonë politik, jo e atij që do të vijë. Ballkani është pjesë e Evropës dhe gjithnjë ka qenë, asnjë kufi politik nuk mund ta ndryshojë këtë realitet gjeografik, historik dhe kulturor. Popujt e Ballkanit janë evropianë, ata meritojnë të njëjtat mundësi, të njëjtën mbrojtje dhe të drejta si gjithë qytetarët e këtij kontinenti. Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë për sa kohë që ky rajon në zemër të Evropës nuk është i bashkuar, si pjesë e komunitetit tonë. Gjatë vitit të kaluar, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Shumë nga sukseset tona të përbashkëta ishin të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë.

Reforma e drejtësisë në Shqipëri, që kaloi pas muajsh pune të përbashkët, hapi një fazë krejt të re në udhën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe unë pres me padurim të shoh zbatimin e saj të menjëhershëm. Dy dekada pas luftërave të fundit, rajoni është më i qëndrueshëm dhe më demokratik se kurrë më parë. Megjithatë, stabiliteti dhe zhvillimi rajonal janë ende arritje të brishta. Debatet politike shpesh kanë zënë vendin e ndjekjes së interesave të qytetarëve. Premtimi për kushte më të mira jetese nuk është ndjekur gjithnjë me progres të vërtetë dhe të dukshëm. Një mjedis ndërkombëtar kompleks – me krijimin e sfidave të reja, rimëkëmbjen e ngadaltë ekonomike dhe zhvendosjen e balancës globale të pushtetit e ka rritur edhe më shumë trysninë mbi një rajon të brishtë. Ndonjëherë, kemi pasur përshtypjen se vetë paqja nuk mund të merrej si e mirëqenë. Të gjithë jemi të interesuar ta bëjmë paqen në Ballkanin Perëndimor të pakthyeshme, ashtu si dhe progresin social, ekonomik dhe demokratik. Nëse kjo ndodh, progresi drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian do të jetë gjithashtu i pakthyeshëm. Kjo është thelbësore për Bashkimin Evropian, po aq sa dhe për qytetarët dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

Për të kontribuuar për këto synime, BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të angazhohen vazhdimisht me të gjitha kryeqytetet e rajonit. Për këtë arsye, këtë javë do të vizitoj të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke u takuar me liderë dhe qytetarë në Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd, Tiranë dhe Prishtinë. Desha që gjatë këtij udhëtimi të ndaloja në të gjashta qytetet dhe që ai të ishte vërtet “rajonal”. Secili prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ka identitetin, sfidat dhe aspiratat e veta. Por është po ashtu e qartë se bashkëpunimi, dialogu dhe pajtimi kanë një ndikim të mundshëm si mbi jetët e përditshme të qytetarëve, ashtu dhe në udhën drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian në mbarë rajonin. Dhe Shqipëria ku luajtur një rol shumë pozitiv në dinamikat rajonale gjatë viteve të fundit. Ditët e ardhshme do të vizitoj universitete dhe do të dëgjoj frustrimet dhe shpresat e të rinjve të Ballkanit. Vizioni i tyre është thelbësor për t’i dhënë formë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, të lirë nga paragjykimet dhe armiqësitë e së shkuarës. Do të takohem me të gjitha qeveritë dhe do të flas në parlamentet kombëtare, aty ku ende nuk kam pasur rastin ta bëj: ajo është qendra e çdo demokracie, ku politikëbërësit duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre. Sepse kjo është puna jonë e përbashkët. Reformat në secilin vend kanë rëndësi jo sepse qeveritë apo Bashkimi Evropian i duan ato, por sepse ato mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë për shumë njerëz në këtë rajon. Zbatimi jo vetëm i reformës së drejtësisë, por edhe i reformës zgjedhore në Shqipëri është vendimtar që vendi të ecë përpara në udhën e tij të integrimit në BE, por edhe për të garantuar zgjedhje të besueshme dhe demokratike. Nxitja e këtyre reforma është detyrë e brezit tonë. Nëse duam të japim rezultate të dukshme dhe të prekshme për qytetarët tanë dhe të përmirësojmë jetët e njerëzve, duhet ta forcojmë bashkëpunimin tonë sot, jo nesër. Dhe kjo është përgjegjësia jonë në mbarë Evropën, si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.

* Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë/ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian

Share: