Home KRYESORE Shqiptarja.com: Largimi i Tahirit pakt parazgjedhor Rama-Meta

Shqiptarja.com: Largimi i Tahirit pakt parazgjedhor Rama-Meta

Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pika më e fortë e qeverisë ‘Rama’, befas është larguar nga kabineti qeveritar. I konsideruar si një prej ministrave më të suksesshëm të qeverisë, njëherësh qendër e graviteti e akuzave më të rënda të opozitës prej katër vitesh, Saimir Tahiri, është larguar më në fund si ministër i Punëve të Brendshme.

Lajmi për largimin e ministrit Tahiri qarkulloi menjëherë pas një takimi të tij me kryeministrin Edi Rama, duke zënë në befasi jo vetëm opozitën, por edhe vetë mazhorancën, ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë, madje edhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Largimi i mundimshëm

Shqiptarja.com ka mësuar se, kryeministri Edi Rama, mbrëmjen e së premtes, ka thirrur në zyrë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilit i ka kërkuar që të japë dorëheqjen. Kërkesën për dorëheqje, kryeministri Rama e ka argumentuar me interesin parësor të Partisë Socialiste, domosdoshmërinë për një angazhim më të madh në fushatën elektorale, por edhe me mbarëvajtjen e koalicionit PS + ­LSI në tërësi.

Nga ana e tij, ministri Tahiri ka refuzuar kërkesën për të dhënë dorëheqjen. Ministri i ka bërë me dije Ramës se një vendim të tillë do ta merrte vetëm nëse i vërtetonte një shkelje apo dështim në punën e tij.

Ndërkaq, kryeministri Rama i ka bërë me dije se nëse nuk do të jepte dorëheqjen, do ta shkarkonte ditën e hënë. Burime pranë Tahirit kanë bërë me dije se ministri ka pranuar shkarkimin, ndërsa nuk do të ketë një ‘rebelim’ ndaj kryeministrit Rama.  Takimi i djeshëm ishte në kuadër të takimit të një dite më parë.

Pakti Rama­ – Meta

Pas largimit të mundimshëm të Saimir Tahirit fshihen zhvillimet, lëvizjet dhe bisedimet për finalizimin e një marrëveshje parazgjedhore mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Saimir Tahiri është ‘koka e turkut’ e një pakti parazgjedhor mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, marrëveshje e cila pritet t’i sigurojë të majtës një mandat të dytë qeverisës.

Shqiptarja.com ka mësuar se, një nga pikat e marrëveshjes, e kërkuar si kusht nga Lëvizja Socialiste për Integrim, parashikonte largimin e ministrit Tahiri.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për një rinegocim të marrëveshjes së 2013, e cila nuk përfshin thjeshtë daljen sëbashku të PS­LSI në zgjedhjet e 18 Qershorit, por edhe zgjedhjen e Presidentit të ri, kryeprokurorit etj. Mes sigurisë për një mandat të dytë qeverisës me LSI në koalicionin dhe mbrojtjes së ministrit Tahiri, Rama ka zgjedhur opsionin e parë.

Siç duket, është një lëvizje e bërë pa dëshirë nga Rama, por që i shërben unifikimit të koalicionit para zgjedhjeve. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mësohet se e ka marrë vesh vetëm dje lajmin për largimin e Tahirit.

Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme, Meta duket se nuk e ka pritur lëvizen e Ramës. Ndërkaq, që para ndërhyrjes në Lazarat, ka pasur një tentativë publike të disa deputetëve të LSI për zëvendësimin e ministrit Tahiri.

Ndërsa javët e fundit, disa deputetë dhe ministra të LSI kanë artikuluar akuza në adresë të Policisë së Shtetit, duke i dhënë një mesazh edhe ministrit Tahiri.

Negociatat e Lu

Largimi i ministrit Tahiri përkon me angazhimin e ambasadorit amerikan Donald Lu për të nxjerrë Partinë Demokratike nga tuneli politik. Kauza e ngujimit të opozitës janë zgjedhjet e lira. Siç dihet, Ministria e Brendshme ka një rol të rëndësishëm në administrimin e zgjedhjeve, ndërsa mosbesimi i PD ndaj saj është i madh.

Në këto kushte, largimi i Tahirit dhe zëvendësimi i tij me një personazh më të moderuar dhe të pranuar, konsiderohet si një lëshim i mazhorancës për opozitën dhe si një mundësi për PD për të dalë nga çadra dhe për të marrë pjesë në zgjedhje. Jo rastësisht, dje, përfaqësues të opozitës nxituan për ta konsideruar largimin e Tahirit si fitoren e parë të

Partisë Demokratike dhe të çadrës në bulevard.

Me largimin e Tahirit, i cili do të pasohet me largime të tjera, kauza e Lulzim Bashës ka marrë tashmë një goditje të fortë.

Reagimi i Tahirit

Pas takimi me kryeministrin Rama, ministri Tahiri drekoi me të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit, e cila duket se ishte edhe dreka përshëndetëse me bashkëpunëtorët gjatë 4 viteve si Ministër i Brendshëm. Insistimit të Report Tv për një përgjigje pas drekës, Tahiri iu përgjigj me heshtje.

Gjithsesi lajmi jo vetëm u përhap në të gjitha mediat, por me po aq shpejtësi nisën edhe analizat dhe hamendësimet për të hedhur dritë mbi prapaskenat e largimit të tij.

Duke parë reagimet, pak minuta më pas, ministri i Brendshëm theu heshtjen me një status në Facebook, duke pohuar se nuk ka dhënë dorëheqjen dhe askush nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë.

“Për saktësim, as më ka kërkuar kush e as kam dhënë dorëheqje deri tani. Sidoqoftë, më të fortë do jemi, sot e gjithmonë, bashkë”, shkroi ministri. Gjithsesi, edhe përmbaja e statusit të tij, sidomos togfjalëshi “deri tani”, konfirmoi deri diku largimin e afërt, pra vendimin për shkarkimin e tij./shqiptarja.com

Share: