Home KRYESORE ‘Të hekurta’ në politikë, të brishta përpara disa meshkujve!

‘Të hekurta’ në politikë, të brishta përpara disa meshkujve!

Janë të gjitha politikane dhe janë të gjitha nëna. Pjesën e racionalitetit dhe forcës që tregojnë në parlament apo në debatet politike, e harrojnë kur janë pranë familjes. Veçanërisht me fëmijët e tyre djem; këtë e kanë pohuar vetë ato drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Majlinda Bregu, Mimi Kodheli, Jozefina Topalli, Grida Duma, Eglantina Gjermeni janë nëna krenare të djemve, para të cilëve janë aq të dhembshura e të ndjeshme, sa mund ta ekzagjerojnë.

Mimi Kodheli

Ministrja e Mbrojtjes pranoi në një intervistë për “News 24” se, ndonjëherë e tepron pak me kujdesin ndaj të birit, Mikelit:

“Gratë kanë prirjen për të qenë mbrojtëse të familjes dhe të fëmijëve. Unë e mbroj tim bir në mënyrë të ekzagjeruar. Por nënës i falen këto gjëra.”

Nga ana tjetër, në politikë thotë se asgjë nuk e bën me ndjeshmëri, dhe nuk e lë asgjë të kalojë lehtë, pa thënë asnjëherë “let it be” (le të shkojë si të shkojë).

Grida Duma

Është një ndër debatueset më të zjarrta në diskutimet politike. Çdo debat e çon deri në fund me të gjitha argumentat. E ndërsa vetë duket shumë racionale, shumë larg iluzioneve, të birin e ka lejuar të jetë fëmijë dhe të besojë tek Babagjyshi.

“Darienin e surprizoj çdo vit, ai kënaqet me dhuratën që i kërkon Babagjyshit.”, tregoi ajo në një intervistë për “Noa” para dy vitesh.

Tani Darieni është rritur; në ditëlindjen e tij të 11-të, Grida Duma e suprizoi përsëri me një festë të madhe, plot me të ftuar dhe një tortë të madhe me fishekzjarre.

Eglantina Gjermeni

Gjermeni është nënë e dy fëmijëve me shumë diferencë. I madhi, djali Erik tani ka hyrë në moshën e pjekurisë, e megjithatë Ministria e Zhvillimit Urban vijon të kujdeset për të, edhe pse atij nuk i pëlqen edhe aq shumë.

“Jam e dhembshur, e kujdesshme, shumë e ndjeshme, mundohem t’i ofroj shumë dashuri e përkujdesje, madje ndonjëherë më duket sikur e teproj, sidomos me djalin që tani është adoleshent dhe nuk i do shumë përkujdesjet. Shpesh më thotë: “Ti ma’ bëhesh shumë merak”. , tregoi ajo në një intervistë për “Panorama”.

15 vite pas lindjes së Erikut, erdhi në jetë edhe fëmija i dytë, Megi, e cila është ende e vogël. Duke qenë në një moshë kur formësohet ajo çfarë do të bëjë në jetë, Gjermeni thotë se kujdeset shumë, deri në tepri, që ai të përgatitet siç duhet.

“Ndonjëherë më duket se bëhem shumë mbrojtëse e mbase nuk i lë hapësirën e duhur, por nga ana tjetër, jam kritike, stoike. Kur është puna për gjëra që duhet t’i bëjë, nuk toleroj!”

Jozefina Topalli

Ish-kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Jozefina Topalli, pranoi se edhe pse i do shumë të dy fëmijët, djalin e ka “pikë të dobët”.

“Të dy fëmijët i dua shumë.”, tregoi ajo në një intervistë për “News 24”, “Megi më ka bërë të ndihem nënë për herë të parë. Emocionet dhe netët pa gjumë janë të paharrueshme. Por aty ku dridhem, është djali.”

Genari është fëmija më i vogël i Jozefinës, që ka edhe një vajzë më të madhe, Megin.

Majlinda Bregu

Majlinda Bregu është krejt tjetër gjë në parlament dhe krejt tjetër gjë me familjen. Këtë mund ta kuptojë çdokush që shikon Instagram-in e saj, ku poston momente të bukura pranë familjes, me vajzën Kejda apo djalin Enes. E ndërsa ruan një marrëdhënie shumë të mirë, “si shoqe” me vajzën e saj adoleshente, të birin e shfaq shpeshherë gjatë veprimtarive të tij të përditshme: teksa pikturon, teksa luan, dhe për ditëlindje i organizoi një festë ku torta kishte formën e topit me ngjyrat e skuadrës së tij të zemrës, Milanit./360grade.al

Share: