Home KRYESORE Neranxi: Bojkoti absurd në Gjermani. Po korrupsioni?

Neranxi: Bojkoti absurd në Gjermani. Po korrupsioni?

Nga Nikollaq Neranxi

E mbani mend shprehjen e famshme “Kjo është policia që duam!?” Sa herë e dëgjoja, mendoja se sa shumë duhen me njëri tjetrin, pushtetarë, kriminelë e një pjesë e mirë e policisë, sepse të gjithë bashkë kanë bërë punë të mëdha në drejtim të prodhimit dhe tregtisë së drogës. I vetmi problem i tyre ka qenë presioni i ndërkombëtarëve dhe reportazhet skandaloze që kanë bërë mediat më prestigjioze në botë.

Siç e dini, disa aksione kundër drogës ditëve të fundit, kanë arritur të boshatisin edhe komisariate të tëra, raste këto të denja për Guiness. Natyrisht këta efektivë policie janë thjesht zbatues të urdhrave të kupolës dhe kjo e fundit garante e paprekshëmrisë së tyre. Mu kujtua shprehja “Policia që duam!”, teksa po dëgjoja dje, konferencën për shtyp të Ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, me shpresën se ky mund të ishte ndërkombëtari që duam e që na duhet në këto kohë.

Përdorimi nga ana e tij e frazave klishe si pjesë e gjuhës institucionale, ishte diçka e zakonshme dhe e pritshme. Ministri tha se “Duhen çuar para reformat”, “Duhet gjetur rruga për dialog”, apo “Duhet respektuar shteti ligjor si kusht për t’iu bashkuar Europës”. Z. Gabriel foli me tona të ashpra për opozitën: “Si mundet parlamentarët e zgjedhur të bojkotojnë Parlamentin? Në vendin tim dhe në Europë kjo është absurde!”. – tha ai. Teksa e dëgjoja, po mendoja: “Çfarë mund të kuptojnë gjermanët me “politikanë apo zyrtarë të korruptuar”, meqë ministri i jashtëm nuk foli as edhe një fjalë për këtë fenomen, por iu turr opozitës si e keqja e vetme në këtë vend?” Dhe mu kujtuan disa raste.

Gjermanët identifikojnë si korrupsion shumë të madh, nëse arrin të gjesh një punë me mik, pra krahas aftësive profesionale, mund t’i drejtohesh edhe ndonjë njohjeje për të patur më shumë shanse për tu punësuar. Tjetër rast korrupsioni ka qenë kur një ish Ministër Mbrojtjeje, u zbulua se kishte kopjuar tezën e doktoraturës dhe u largua menjëherë nga detyra. Rasti i Presidentit Federal Christian Wulff, i cili u zbulua se kishte marrë një borxh me interes pak më të vogël se mesatarja, krijoi skandal të madh.

Padyshim që rastet e përmendura më sipër janë të dënueshme, por për ne shqiptarët, tingëllojnë qesharake. Sepse aq i madh është bërë zullumi në këtë vend, sa të duket vogëlsi dhe aspak korrupsion, t’i japësh prioritet punësimi dikujt që ka njohje, por që ka profilin e duhur gjithsesi, kur tek ne, disa deputetë, Kryetarë Bashkish apo zyrtarë të lartë, janë individë që në CV-të e tyre kanë vetëm rekorde kriminale. Kryeministri shqiptar e justifikon fenomenin duke thënë se ata kishin dëshmi penaliteti të pastër, duke na bërë të besojmë se kjo që i ndodhi ishte një aksident.

Ai harron që në këtë vend, është rritur niveli i varfërisë, por jo i budallallëkut. Për të marrë pushtetin me çdo kusht dhe për tu bërë kryeministër, Rama vajti dhe i mblodhi këta individë, nga ishin e nga s’ishin, edhe nëpër botë, duke i sjellë këtu, me koshiencë të plotë se kush ishin dhe çfarë përfaqësonin.

Kalojmë tek korrupsioni tjetër alla gjerman. Rasti i tezës së doktoraturës së kopjuar, nuk na bën fare përshypje ne këtej. Ne kemi deputetë që gati nuk dinë as shkrim as këndim, që nuk flasin kurrë në parlament, se janë për punë të tjera aty, kështu që nuk arrin puna deri tek tezat e doktoraturës. Pra ky akt korruptiv, i ka shansat zero të ndodhë në Shqipëri, ku të pushtetshmit përgjithësisht kanë alergji nga dijet, plagjiaturë ose jo.

Përsa i përket rastit të tretë të korrupsionit të zbuluar në Gjermani, e bëj me dije Ministrin e Jashtëm gjerman, se një pushtetar shqiptar nuk e ul veten të kërkojë para borxh me interes pak më të vogël se të tjerët. Paratë e drogës dhe të punëve të pista, janë në duart e tyre, kështu që nuk lind nevoja për këtë akt korruptiv. Prandaj i nderuar zoti Ministër, nuk mund të krahasoni Shqipërinë me Gjermaninë në asnjë aspekt, sepse nuk mund të krahasohen të pakrahasueshmet. Çdo shqiptar në këtë vend kërkon të bëhet drejtësi sa më shpejt sepse gjykatat janë një gangrenë e vërtetë për ta, por këtë proçes nuk mund ta drejtojnë dhe ta çertifikojnë kriminelët në pushtet.

Çdo shqiptar kërkon që të shkojë tek kutia e votimeve për tu shprehur me votë, por këtë proçes nuk mund ta garantojë një qeveri e korruptuar dhe ta mbrojë një polici e droguar. Parimet janë një gjë dhe realiteti një gjë tjetër.

Si sipërmarrës, unë kam marrdhënie biznesi me Gjermaninë, madje me kompani të rëndësishme atje. Kur iu spjegoj se çfarë ndodh në vendin tim, ata mbeten pa fjalë, sepse një gjerman nuk mund të arrijë ta kuptojë se si një kastë politikanësh që na morën votën duke na premtuar një jetë më të mirë, sot janë vënë në shërbim vetëm të një grushti oligarkësh me të cilët punojnë paratë e krimit dhe kanë kapur biznese dhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, ndajnë paratë me ta, duke falimentuar biznesin e ndershëm e çuar këtë vend në greminë.

Nëse ndërkombëtarët që vijnë dhe flasin si miqtë e Shqipërisë, nuk e shohin situatën në të gjithë komponentët e saj, ata jo vetëm që nuk do na ndihmojnë për të arritur standartet, por përkundrazi, i japin oksigjen kësaj qeverie të korruptuar. Që ka kriminelë në Parlament dhe në qeverisje vendore dhe që vendi është i mbytur me drogë, nuk ka nevojë të presim të shprehet sistemi i reformuar i Drejtësisë, sepse janë fakte në dritë të diellit dhe të mjaftueshme për të besuar se edhe po të sjellin gjysmën e Gjermanisë si vëzhgues, zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk na garantojnë dot. Nëse këto fakte që rendita, janë më pak të rënda se një plagjiaturë doktorature apo marrje kredie me interes më të ulët, atëherë unë nuk qenkam njohës i mirë i hierarkisë së vlerave në demokraci!

Duke mbetur tek ideja se cilat vlera e bëjnë një vend demokratik, kam lexuar para pak kohësh klasifikimin e rasteve më flagrante të korrupsionit në botë. Njëri prej tyre fliste për vajzën e presidentit të Angolës, e cila kishte një pasuri prej 3,4 miliardë dollarësh. Sipas shkrimit, ajo e kishte vënë këtë pasuri që kur i jati mori postin, duke fituar pa garë publike, sektorët e diamantit dhe telekomunikacionit. Më pas u zgjerua me sektorin bankar, të naftës, çimentos, energjitikës etj. Ndërkohë populli i Angolës jetonte me 2 dollarë në ditë. Ky rast mu duk një histori tipike shqiptare, më tepër sesa afrikane, ku njerëz të veshur me pushtet, grumbullojnë pasuri pafund dhe të afërmit dhe miqte e tyre bëhen miliarderë.

Ndërkohë në ekrane dalin e flasin për mirëqënie dhe rritje të nivelit të ekonomisë për popullin. Pra na vjedhin e më pas edhe na tallin! Sepse për hir të së vërtetës, në aspektin ekonomik nuk është se jemi shumë larg Angolës, pasi një shqiptar jeton mesatarisht me 4 dollarë në ditë.
Në funksion të shtjellimit të idesë dhe mesazhit që dua të përcjell në këtë shkrim, vura përballë dy realitete dhe përshkrova dy botë ekstreme, sepse dua të di, këta ndërkombëtarë që vijnë dhe na thonë, “plotësoni kushtet për tu futur në Europë”, a e kanë si kusht që t’i bëjnë trasparencë këtyre miliardave të krimit dhe të drogës, apo ky fakt nuk përbën një problem për ta? Sepse, nëse nuk është në axhendën e tyre të paktën për tu evidentuar (jo gjykuar), unë mendoj se ne me standartet që kemi,na shkon më shumë të integrohemi në Afrikë se sa në Europë!

Që kjo të mos ndodhë, duhet patjetër që miqtë tanë perëndimorë t’i ndihmojnë palët politike që së bashku të gjejnë një zgjidhje. Vetëm atëherë do ta thonim me bindje se këta janë ndërkombëtarët që duam dhe që na duan./panorama.al

Share: