Home KRYESORE Dëgjoni një xhevahir nga çadra, tha Lilua…( Nga cikli ‘Kafe për llafe’...

Dëgjoni një xhevahir nga çadra, tha Lilua…( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Capajev Gjokutaj

Dëgjoni një xhevahir nga çadra, tha Lilua, dhe vuri telefonin mbi tavolinë. Në një video Lulëzim Basha ngrinte zërin gradualisht e thoshte:

‘Ajo që ka lindur më 18 shkurt është më e madhe se Partia Demokratike, është më e madhe se opozita, patjetër është më madhe se Lulëzim Basha, e madhe sa Shqipëria dhe shqiptarët.’

E ç’ka për t’u çuditur këtu?, prishi buzët Naqja. Enumeracioni është nga teknikat më të rëndomta të oratorisë.

Pikërisht aty ta kam, ia ktheu Lilua. Fillon nga PD, ngjitet tek një bashkësi më e gjerë, dmth opozita; ngjitet pastaj tek një gjë më e gjerë dhe më madhështore, dmth … vetja e tij, për të arritur tek Shqipëria dhe shqiptarët.

Logjika dhe modestia e duan ta fillonte nga vetja, pastaj të kalonte te PD e te ngjitej me radhë deri tek Shqipëria, përfundoi Lilua.

I thamë se, si zakonisht po tregohej dashakeq e tendencioz, se po merrej me cikërima, se kur njeriu flet pa letër bën dhe lapsuse.

Pikërisht tek lapsusi ua kam, vazhdoi Lilua gjithë qejf. Frojdi thotë se nuk ka lapsus të rastit, të gjithë burojnë nga subkoshienca, herë nga dëshira të fshehta, herë nga frikëra të brendshme.

Ta vësh veten mbi partinë, mbi opozitën, vetëm një shkallë para Shqipërisë, – u nervozua Lilua -, ose je delirant, ose të ka hyrë frika në palcë e do t’i japësh zemër vetes.

U nervozua dhe Naqja e ia ktheu se Frojdi është vjetëruar e s’mund të përdoret si kobure, shumë shumë mund të përdoret si pisqollë me strall, vetëm për zbukurim a për të demonstruar dituri.

Për kobure e xhephane ju qaka zemra, qeshi kamarjerja.
( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: