Home KRYESORE Ja deputetët më aktiv dhe më të “heshtur” gjatë 2017-ës në Kuvend

Ja deputetët më aktiv dhe më të “heshtur” gjatë 2017-ës në Kuvend

Standardi shqiptar i vlerësimit: nga deputetët më aktiv pesë prej tyre nuk u përfshinë në listat e ri-kandidimit nga partitë politike (Alhysa, Toci, Topalli, Kopliku, Agalliu), kurse nga lista e të “heshturve” rikandohen në vende të sigurta, 21 deri 27 deputetë. Në vendet me traditë demokratike ndodh e kundërta, në Shqipëri besnikëria dhe pasuria janë tregues më cilësorë sesa aftësia/efektiviteti.

Bazuar në monitorimin e kryer nga Instituti i Studimeve Politike për aktivitetin e deputetëve dhe të Kuvendit gjatë vitit 2017 rezulton se deputeti më aktiv në diskutimet parlamentare ishte Ben Blushi. Një kritik i ashpër i qeverisë dhe themelues i një partie të re politike, Blushi diskutoi në 15 nga 21-23 seancat aktive parlamentare, dhe në total, në 15 nga 17 seancat ku kishte diskutime parlamentare. Pas tij, gjithashtu deputeti më me shumë diskutime është Mimoza Hafizi, bashkëthemeluese e LIBRA bashkë me Blushin.

Nga PS deputeti më me shumë diskutime është Taulant Balla, kryesisht me fjalime politike adresuar opozitës ose me fjalime – replika ndaj Blushit dhe kritikëve të tjerë. Ervin Bushati ka shifër të lartë diskutimesh, por shumica e tyre janë diskutime që vijnë për shkak të funksionit të tij në komision ose me cilësinë e relatorit.

Edi Rama dhe Erjon Brace kanë të njëjtin numër diskutimesh. Fakti që kryeministri ka më pak diskutime sesa kryesuesit e listës së diskutantëve lidhet me mungesën e opozitës në parlament dhe për pasojë, mungesën e vëmendjes dhe të interesit të tij për replika politike. Të gjitha diskutimet e tij lidhen kryesisht me deklarime politike të momentit dhe replika ndaj një prej dy deputetëve të vetëm kritik në parlament, z.Blushi, siç ndodhi edhe në seancën e fundit të Kuvendit më 22 maj.

Gjashtë deputetë kanë nga gjashtë diskutime, – kryesisht përfaqësuese të komisioneve parlamentare ose relatorë të ligjeve të caktuara. Midis tyre përjashtim bën ish kryeministri Berisha, i cili ka diskutuar në çdo seancë të prezencës së tij në Kuvend. Opozita ka numër minimal deputetësh me rekorde pozitive, kryesisht për shkak të bojkotit, por edhe për shkak të dominimit të grupit dhe aktivitetit parlamentar nga vetëm 1-2 emra.

Në listën e deputetëve “të heshtur” për sesionin parlamentar të vitit 2017 kemi numër rekord deputetësh, në krahasim me sesionet parlamentare të viteve 2015-2016. Janë 48 deputetë që nuk janë përfshirë në debate parlamentare, nuk kanë diskutuar për lidhet ose mbi problematika të veçanta, nuk kanë pasur nisma ligjore dhe nuk e kanë shfrytëzuar tribunën parlamentare për deklarime politike.

Në listë bëjnë pjesë emra të njohur të politikës, drejtues të partive politike, disa drejtues aktiv të komisioneve parlamentare, si dhe një listë e gjatë njerëzish të biznesit, të cilët tradicionalisht nuk kanë qenë diskutues në parlament. Interesant është fakti se rreth 21 deri 27 prej tyre janë përfshirë në listat e ri-kandidimit në partitë e tyre politike në zgjedhjet e 25 qershorit, shumica e tyre në vende kryesuese të listës. Nëse i referohemi kontributit parlamentar, karriera e tyre në partitë politike do të kishte njohur rënie, por për shkak se partitë aplikojnë kritere të tjera promovimi, ata janë kualifikuar, pavarësisht gjurmës negative që kanë lënë në memorien e aktivitetit parlamentar.

Në listë janë edhe dy deputetë që kanë pasur probleme shëndetësore, pra kanë pasur mungesa prezence në disa seanca, si dhe gjenden edhe deputetë të rinj, të zgjedhur rishtas, për shkak të ndryshimeve në përbërjen parlamentare, dhe për të cilët mund të ketë një alibi për vlerësimin negativ në renditjen e deputetëve pa diskutime e kontribute publike parlamentare.

Per saktesim: Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) ka bërë monitorimin e pjesshëm të aktivitetit parlamentar gjatë periudhës janar-maj 2017. Monitorimi bazohet në dy elementë thelbësorë: nivelin cilësor të përfaqësimit nga deputetët të zgjedhësve të tyre (angazhimi në debate, problematika, komisione, interpelanca, seanca pyetjesh, etj), si dhe në sistemin e transparencës së institucionit dhe aktivitetit parlamentar me qytetarët (përfshirë nivelin e zbatimit të rregullores dhe akteve të tjera që rregullojnë aktivitetin e Kuvendit). Metodologjia është e njëjtë që aplikohet për një sërë parlamentesh dhe është pjesë e network-ut ndërkombëtar mbi parlamentin e hapur./ Instituti i Studimeve Politike

Share: