Home KRYESORE Shpërthen Julian Deda/Për çfarë do të votojë anëtarësia e PD?

Shpërthen Julian Deda/Për çfarë do të votojë anëtarësia e PD?

Nga Julian Deda

Kam 4 vjet, që bëj opozitë me mundësitë e mija. Kam 4 vjet që përkrah opozitën dhe në veçanti PD në aksionet e saj, sepse më dukeshin dhe akoma më duken të drejta. Nuk kam asnjë fije pishmanllëku për këtë dhe madje do vazhdoj ta bëj, përsëri me aq mundësi sa kam.

Gjatë fushatës, sigurisht mbështeta opozitën edhe pse nuk isha fare dakort me përbërjen e listës, këtë e kam shprehur hapur dhe nuk e fsheh. Gjithsesi isha aty, sepse mendoj se rilindja është fatkeqësi për këtë vend. Duke patur parasysh programet respektive, jam i bindur se e djathta mund ta qeveriste shumë më mirë vendin. Por përfundimin e shohim me sy të lire. PD i humbi zgjedhjet.

Mund të themi 1000 të zeza, si vjedhje apo blerje vote, presione etj etj, por ajo që nuk deshifroj dot është, se ku kemi gabuar ne? Çfarë është bërë gabim, që jemi 200 mijë vota më pak? Ky gabim është bërë me qëllim apo nga paaftësia? Në të dy rastet është skandal.

Mund të themi se ata “të poshtrit” që nuk duan Bashën nuk punuan? Më falni po cila është detyra që iu dha dhe ata nuk e zbatuan? Nëse mos angazhimi i tyre na ka sjellë rezultatin me 200 mijë vota minus, atëherë këta qenkan të rëndësishëm, paskan vota, dhe unë do e quaja gafë të lidershipit mos përfshirja e tyre në këtë proçes.

Pra kemi të bëjnë me një ton pyetje, të cilat të çojne te analiza, e cila për mendimin tim duhet të ishte bërë para zgjedhjeve të kryetarit. Se për çfarë do votojnë anëtarësia e PD? Për atë që bëri çfarë, apo për atë që çfarë do bëjë? Paqartësi e madhe.

E megjithatë kjo forcë politike, që po përjeton ditët e saj më të ngatërruara, është futur në garë për liderin. Por a kemi të bejme me një garë? Unë mendoj jo tamam.

Nejse, ndjesë se bëra shumë pyetje, por po të rilexoni 5 fjalitë e para të këtij statusi, do kuptoni se kam të drejtë të pyes dhe pse jo, si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD të marr edhe përgjigje. Tung.

Share: