Home KRYESORE The Economist: Transformimi i Tiranës dhe pse ia vlen ta vizitosh

The Economist: Transformimi i Tiranës dhe pse ia vlen ta vizitosh

Gazeta prestigjoze britanike “The Economist”, i ka kushtuar Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj një artikull të veçantë, ku përshkruan punën që ai ka bërë në dy vitet në drejtimin e kryeqytetit dhe transformimin që ka sjellë në kaq pak kohë.

“The Economist” shkruan se në 25 vitet e fundit Tirana ka ndryshuar aq sa asnjë qytet tjetër i Europës, ndërkohë që Veliaj po e ndryshon atë edhe më shumë.

Në dy vitet e tij të para si kryetar bashkie, Veliaj, anëtar i Partisë Socialiste, punoi me qendrën e qytetit. Në qershor ai përfundoi punimet me sheshin “Skënderbej” në zemër të Tiranës. Dikur në atë që ishte një rrethrrotullim i trazuar, makinat janë zëvendësuar me pemë e shatërvane. Tani ka në plan rinovimin e piramidës së Tiranës.

Një çerek shekulli më parë, Tirana ishte më shumë kryefshat se sa kryeqytet. Gjatë komunizmit aty jetonin rreth 200 mijë njerëz. Deri në vitin 1991, makinat personale ishin të ndaluara, kishte shumë pak dyqane e mungonin mundësitë e argëtimit.

Tani, pjesërisht falë ndryshimeve kufitare, Tirana është shtëpi e 1 milionë banorëve, më shumë se 1/3 e popullsisë së Shqipërisë. Qyteti gjeneron gjysmën e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit”, shkruan gazeta britanike.

Prestigjozja britanike vijon me një histori të shkurtër të karrierës politike të Veliajt, për të cilin thotë se e nisi punën aty ku e la Edi Rama në 2011-ën.

Kur Veliaj ishte 10 vjeç, babai i tij vdiq dhe ai shkoi drejt Greqisë duke kaluar kufirin malor mbi supet e xhaxhait të tij.

Më vonë ai studioi në Amerikë dhe Britani. Si fillim, erdhi në vëmendjen e publikut me organizatën “Mjaft”, një grup aktivist anti-korrupsion që sulmonte qeverinë e Sali Berishës, i cili ishte kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013.

Tani, që është në gjysmë të mandatit të tij, Veliaj e ka zhvendosur vëmendjen në periferi të Tiranës. Pothuajse të gjitha ndërtesat atje ishin ilegale. Disa shtëpi dhe biznese të ndërtuara në parqe e zona të tjera ku nuk duhet, janë shkatërruar.

Për shumë, kjo është hera e parë që shteti po bie në kontakt me periferinë në 25 vite”, përfundon gazeta e njohur.

Share: