Home KRYESORE Ministri Xhafaj i trembet protestës së opozitës, aludon për skenar dhune:

Ministri Xhafaj i trembet protestës së opozitës, aludon për skenar dhune:

Lideri i opozitës Lulzim Basha mohoi sot të ketë skenar dhune në protestën e neserme të opozitës. Madje ai theksoi se do të ishte në Bulevard me familjen e tij. Përkundër deklaratës së tij shkon Ministria e Brendshme e cila për mediat mesditën e sotme, jep paralajmërime të ashpra dhe aludon se mund të ketë skenar dhune!

Po kështu Ministria e Brendshme e drejtuar nga Fatmir Xhafaj thotë se do monitorojë situatën bashkë me ekspertë të huaj pa specifikuar se kush janë të huajt…, por me sa duket nga ambasadat kryesore dhe kjo nuk eshte gje e keqe.

Më poshtë deklarata e plotë

Ministria e Brendshme, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi mbështet punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.

Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme.

Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit. Në të njëjtën kohë, ajo do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor.

***

Ja çfarë deklaroi Basha rreth orës 13:30

Ne të gjithë do të jemi në këtë protestë. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë, nuk do të jetë as spektakël, do të jetë një protestë madhështore popullore që do të japë këtë mesazh: Do të shpallë që shumica e shqiptarëve të ndershëm nuk e pranojnë më realitetin e banditëve në qeveri.

Ndaj ejani të gjithë, mos rrini në shtëpi duke mallkuar, mos rrini gojëkyçur e të heshtur para padrejtësive që ju bëhen. Dita e nesërme është dita e shpalljes së bashkimit më të madh të shqiptarëve të ndershëm.

Dua të theksoj edhe një herë ne do të jemi në protestë me familjarët dhe çdo gjë informacion apo “fake news” që shpërndahet për një skenar ndryshe të një proteste, shpreh panikun dhe përpëlitjet e fundit të kriminelëve në pushtet dhe interesave të kriminelëve që mbron pushteti i korruptuar i Edi Ramës.

Mund ta them me gojën plot që paniku është i justifikuar për arsyen e vetme, sepse nesër do të marrë formë dhe do të ketë konturet më të qarta për t’u parë për çdo faktor politik vendas dhe të huaj bashkimi i madh i shqiptarëve për ndryshim, pavarësisht prej gjërave që na ndajnë.

Share: