Home KRYESORE MANUELI ËSHTË NJERI I RËNDËSISHËM DHE I NEVOJSHËM

MANUELI ËSHTË NJERI I RËNDËSISHËM DHE I NEVOJSHËM

Nga Paulo Coehlio, shqipëroi Klodeta Dibra

Manueli duhet të jetë gjithnjë i zënë me punë. Nëmos, mendon se jeta nuk ka kuptim, se e bën dëm kohën, se nuk i duhet shoqërisë, se askush nuk e do, se asnjë nuk e urren.

Për pasojë, sa hap sytë, ka një sërë punësh për të kryer: të ndjekë lajmet në televizor (ka gjasa të ketë ndodhur diçka gjatë natës), të lexojë gazetën (duhet të ketë ndodhur diçka një natë më parë), t’i lutet gruas që të mos i lerë fëmijët të shkojnë me vonesë në shkollë, të marrë një veturë, një taksi, një autobus, por gjithnjë i përqendruar, duke parë zbrazëtinë, orën, nëse mundet të bëjë ca telefonata me celular – dhe mundësisht t’u tregojë të tjerëve se është njeri i rëndësishëm dhe i nevojshëm.

Manueli mbërrin në punë, përkulet mbi shkresurinat që e presin. Në është funksionar, bën çmos që shefi ta shohë se mbërrin në orar. Në është pronar, menjëherë i vë të tërë në punë; nëse nuk ka punë të rëndësishme në të ardhmen, Manueli i shpik ato, i krijon, përgatit një projekt të ri, përcakton drejtimet e reja të veprimit. Manueli drekon, por asnjëherë vetëm. Nëse është pronar, ulet me miqtë e tij, diskuton strategjitë e reja, shan konkurrentët, e ruan gjithnjë një fishek të fundit për vete, qahet (me një farë kryelartësie) ngaqë është i mbytur në punë. Nëse Manueli është funksionar, ulet me miqtë e vet, qahet për shefin, thotë se bën shumë orë suplementare, pohon me dëshpërim (dhe me krenari të madhe) se shumë gjëra në institucion varen nga ai.
Manueli – padron a nëpunës – punon gjithë pasditen. Herë pas here shikon orën. Tashmë ka ardhur vakti për t’u kthyer në shtëpi, por ka mbetur edhe një detaj për t’u zgjidhur këtu, një dokument për t’u firmosur atje. Ai është njeri i ndershëm, duhet të bëjë çmos të përligjë rrogën dhe t’u përgjigjet sulmeve të të tjerëve, ëndrrave të prindërve, që kanë bërë aq përpjekje për t’i dhënë atij edukimin e nevojshëm.

Më në fund, kthehet në shtëpi. Bën një banjë, vesh diçka të rehatshme dhe darkon me familjen. Informohet për detyrat e fëmijëve dhe aktivitetet e gruas. Herë-herë, flet për punën e tij, vetëm e vetëm për t’u marrë si shembull – nuk e ka zakon të shkaktojë shqetësime në familje. Sa mbaron darka, fëmijët – që nuk janë atje për shembuj, detyra apo gjëra të ngjashme – ngrihen sakaq nga tryeza dhe ulen para kompjuterit. Manueli vetë ulet përballë aparatit të vjetër të fëmijërisë së tij, të quajtur televizor. Shikon lajmet (diçka duhet të ketë ndodhur pasdite).

Gjithnjë shkon në shtrat me një libër të zanatit mbi komodinë – qoftë padron a nëpunës, ai e di se konkurrenca është e ashpër dhe ai që nuk është i përditësuar me të rejat rrezikon ta humbasë vendin e punës dhe të përballet me mallkimin më të keq: papunësinë.

Këmben ndonjë llaf me gruan – mbi të gjitha, është njeri i sjellshëm, punëtor, i dashur, që kujdeset për familjen dhe i gatshëm për ta mbrojtur atë në të gjitha rrethanat. Menjëherë e kaplon gjumi, Manulei dremit, duke e ditur se të nesërmen do të jetë i zënë dhe i duhet të rimarrë fuqitë.

Atë natë, Manueli sheh një ëndërr. Një engjëll e pyet: “Përse e bën këtë gjë?”. Ai përgjigjet se është njeri i përgjegjshëm.

Engjëlli vazhdon: “A do të mundeshe, të paktën pesëmbëdhjetë minuta gjatë punës, të ndaloje pak, të shikoje botën, të shikoje veten, dhe vetëm të mos bëje asgjë?”. Manueli thotë se do ta adhuronte këtë gjë, por nuk ka kohë. “Po tallesh me mua”, thotë engjëlli. “Të gjithë kanë kohë, por mungon vetëm guximi. Të punosh është bekim kur kjo vlen vetëm për të mos na lejuar të mendojmë për kuptimin e jetës.”

Manuelit i del gjumi në mesnatë, i gjithi i dërsirë. Guximi? Si mundet që një njeri që sakrifikohet për të vetët të mos guxojë ta ndërpresë punën për pesëmbëdhjetë minuta?

Më mirë të flejë sërish, sepse e gjitha kjo ishte një ëndërr, këto pyetje s’të shpien gjëkund dhe të nesërmen do të jetë tepër i ngarkuar me punë.

MANUELI ËSHTË NJERI I LIRË

Prej tridhjetë vitesh, Manueli punon pa pushim, rrit fëmijët, jep shembullin e mirë, ia përkushton gjithë kohën punës dhe nuk pyet kurrë: “Kjo që po bëj, ka ndonjë kuptim, apo jo?”. Shqetësimi i vetëm që ka është ideja se sa më shumë i zënë me punë të jetë, aq më i rëndësishëm do të duket në sytë e shoqërisë.

Fëmijët e tij rriten dhe lënë shtëpinë, ai ngrihet në detyrë, një ditë i falin një orë dhe një stilograf për ta shpërblyer për të gjitha vitet e përkushtimit, miqtë derdhin ca lot, dhe mbërrin çasti i pritur: tashmë është në pension, i lirë të bëjë çfarë të dojë.

Muajt e parë, shkon herë pas here në zyrën e tij, këmben ndonjë llaf me miqtë e vjetër dhe pajtohet me kënaqësinë që kishte ëndërruar gjithnjë: të ngrihej vonë në mëngjes. Shëtit në plazh apo në qytet, ka një shtëpi në fshat, që e ka blerë me djersën e ballit, ka zbuluar kopshtarinë dhe pak nga pak depërton në misterin e bimëve dhe luleve. Manueli ka kohë, gjithë kohën e duhur. Udhëton falë kursimeve që ka vënë mënjanë. Viziton muzeumet, mëson brenda dy orësh atë që piktorëve dhe skulptorëve të epokave të ndryshme u është dashur shekuj për ta zhvilluar, por të paktën ka ndjesinë se zgjeron kulturën e tij. Bën qindra, mijëra fotografi, dhe ua dërgon miqve – në fund të fundit, ata duhet ta marrin vesh që ai është i lumtur!

Muaj të tjerë kalojnë. Manueli mëson se kopshti nuk ndjek saktësisht rregullat e njeriut – ato që ka mbjellë, do të mbijnë me vonesë, dhe nuk ia vlen të shkojë për të parë nëse trëndafili ka çelë. Në një çast përsiatjeje të sinqertë, ai zbulon se gjatë udhëtimeve ka parë vetëm një peizazh brenda autobusit të turizmit, monumente që tashmë janë renditur mbi fotografi 6 x 9, por se, në të vërtetë, nuk ka ndjerë asnjë emocion të veçantë – më tepër shqetësohej t’u rrëfente miqve, sesa të jetonte përvojën magjike të qenies në një vend të huaj.

Ai vazhdon të ndjekë të gjitha lajmet në televizor, lexon më shumë shtypin (sepse ka më shumë kohë), e mban veten për një njeri jashtëzakonisht të informuar, të aftë për të diskutuar për gjëra që dikur nuk kishte kohë t’i studionte.

Ai kërkon dikë, me të cilin të ndajë mendimet – por të gjithë janë zhytur në lumin e jetës, punojnë, bëjnë diçka dhe e kanë zili Manuelin për lirinë që ka, duke qenë njëkohësisht të kënaqur që janë të vlefshëm për shoqërinë dhe të “zënë” me një aktivitet të rëndësishëm.

Manueli kërkon ngushëllim te fëmijët. Këta gjithnjë sillen me mirësi – ai ka qenë një prind i shkëlqyer, një shembull ndershmërie dhe përkushtimi – por edhe ata kanë halle të tjera, edhe pse e quajnë detyrë të jenë të pranishëm në drekën e së dielës.

Manueli është njeri i lirë, me një gjendje financiare të arsyeshme, i mirëinformuar, me një të shkuar që s’ke ç’i thua, po tani ? Çfarë duhet të bëjë me lirinë e tij të fituar me aq mund ? Të gjithë e përgëzojnë, i bëjnë lajka, por asnjë nuk ka kohë të merret me të. Pak nga pak, Manueli ndihet i trishtuar, pa vlerë – megjithë ato vite në shërbim të botës dhe të familjes.

Një natë, në ëndërr iu shfaq një engjëll: “Çfarë ke bërë me jetën tënde ? A ke kërkuar ta jetosh në pajtim me ëndrrat e tua?”

Manueli zgjohet i mbuluar nga djersë të ftohta. Cilat ëndrra? Ëndrra e tij ishte kjo: të merrte një diplomë, të martohej, të bënte fëmijë, t’i rriste ata, të dilte në pension, të udhëtonte. Përse engjëlli bën ende pyetje që nuk kanë kuptim?

Fillon një ditë e re dhe e gjatë. Binjakët. Lajmet në televizor. Kopshti. Dreka. Dhe pak gjumë. Të bëjë çfarë i do mideja – dhe atë çast, zbulon se ka dëshirë të mos bëjë gjë. Manueli është njeri i lirë dhe i trishtuar, buzë depresionit, sepse ishte tepër i zënë me punë për të menduar për kuptimin e jetës, ndërkohë që vitet ikin tutje. I kujtohen vargjet e një poeti : “Ai ka përshkuar jetën/ por nuk e ka jetuar.”

Por, meqenëse është tepër vonë për ta pranuar këtë gjë, më mirë të ndërrojë temë. Liria, e fituar me aq shumë mund, s’është gjë tjetër veç një mërgim i bërë tebdil.

MANUELI SHKON NË PARAJSË

E pastaj, i dashuri, i ndershmi dhe i devotshmi ynë Manuel një ditë vdes – çka do të ndodhë në jetë me të gjithë Manuelët, Paulot, Maritë, Monikat.

Dhe këtu, ia lë fjalën Henri Drumondit, në librin e tij të shkëlqyer “Dhuntia Supreme”, për të përshkruar se çfarë ndodh më pas.

Të gjithë ne, në një çast, ashtu si të gjithë brezat bëjmë të njëjtën pyetje: “Cila është gjëja më e rëndësishme në jetën tonë?
Ne dëshirojmë t’i përdorim ditët tona sa më mirë që të jetë e mundur, sepse askush tjetër nuk mund të jetojë për ne. Atëherë, ne duhet ta dimë ku t’i drejtojmë përpjekjet tona, cilin objektiv më të lartë duhet të arrijmë.

Ne jemi mësuar të dëgjojmë se thesari më i rëndësishëm i botës shpirtërore është Besimi. Mbi këtë fjalë të thjeshtë mbështeten shekuj fesh. E konsiderojmë Besimin si gjënë më të rëndësishme në botë? Eh, e kemi plotësisht gabim.

Në epistullin e tij për Korintasit, kapitulli XIII, Shën Pali na shpie në kohët e hershme të krishterimit. Dhe, në fund, thotë: “Nga këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria, dashuria është më e madhe.”

Bëhet fjalë për një opinion sipërfaqësor të Shën Palit, autor i këtyre frazave. Por, në fund të fundit, pak më lart, në të njëjtën letër, ai fliste për Besimin. Ai thoshte: “Edhe po ta kisha gjithë besimin e mundshëm, atë që zhvendos malet, po më mungoi dashuria, nuk jam asgjë.”

Pali nuk iu shtëmëng pyetjes, përkundrazi, e krahasoi Besimin me Dashurinë. Dhe e mbyll kështu : “(…) dashuria është më e madhe.”

Mateu na jep një përshkrim klasik të Gjykimin të fundit: Biri i Njeriut qëndron mbi një fron dhe ndan, si bariu, dhitë nga dhëntë.

Pra, pyetja e madhe e qenies njerëzore nuk është: “Si kam jetuar ?“. Ajo është: “Si kam dashuruar?”.

Prova e fundme e çdo kërkimi për Shpëtimin do të jetë Dashuria. Nuk do na pyesin për besimet dhe arritjet tona. Për këto nuk kemi gjë për të paguar. Do të japim llogari për mënyrën se si e kemi dashur të afërmin tonë.

Gabimet që kemi bërë do të harrohen. Do të gjykohemi për të mirën që kemi bërë. Sepse, ta ruash Dashurinë të kyçur brenda vetes, do të thotë të shkosh të takosh shpirtin e Perëndisë, provë kjo që nuk e kemi njohur kurrë, që Ai na ka dashur më kot, që Biri i tij ka vdekur më kot.

Në këtë histori, Manueli ynë ka shpëtuar në çastin e vdekjes sepse, edhe pse nuk i ka dhënë kurrë një kuptim jetës së tij, ka qenë i aftë të dashurojë, të kujdeset për familjen, të ketë dinjitet në ato që bënte. Gjithsesi, edhe pse fundi është i lumtur, ditët që qëndroi mbi tokë ishin të ndërlikuara.

(Pauolo Coehlio, nga vëllimi i tretë, shqipëroi k.d.)

Share: