Home KRYESORE Fati i Gjykatës së Lartë brenda korrikut, përpara KPK-së 3 gjyqtarët e...

Fati i Gjykatës së Lartë brenda korrikut, përpara KPK-së 3 gjyqtarët e fundit

Fati i Gjykatës së Lartë mbyllet brenda muajit korrik. Gjyqtarët e mbetur për të kaluar në Vetting, do dalin përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit brenda kësaj jave.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) publikoi gjatë pasdites së të mërkurës edhe dy seancat e tjera ndaj gjyqtarëve Shkëlzen Selimi e Artan Broci.

Shkëlzen Selimi ka trajtuar çështje shumë delikate si rasti i Arben Frrokut, Ilir Xhakës, Indrit Dokle, Dritan Dajti apo Aldo Bare, duke dhënë në disa raste burgime të përjetshme për njerëz që ndaj tij mund të hakmerreshin nëse humb “imunitetin” që mban me rolin e gjyqtarit.

Procesi dëgjimor ndaj tyre do të mbahet të premten, ndërsa në datën 30 korrik do të jetë seanca e anëtarit tjetër të Gjykatës së Lartë, Medi Bici.

Shkëlzen Selimi do të ketë seancën e tij dëgjimore në orën 11:00. Trupa gjykuese e tij përbëhet nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.

Seanca dëgjimore e Artan Brocit do të zhvillohet në orën 13:00, me të njëjtën trupë gjykuese, shkruan shqiptarja.com.

Nga Gjykata e Lartë janë konfirmuar në detyrë Xhezair Zaganjori, Ardian Dvorani dhe Edmond Islamaj. Ndërkohë që janë shkarkuar nga detyra Admir Thanza, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca.

o.j/dita

Share: