Home KRYESORE Kryeministrat e rajonit mblidhen në Durrës në kulmin e debateve për ndryshimin...

Kryeministrat e rajonit mblidhen në Durrës në kulmin e debateve për ndryshimin e kufijve

Kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor takohen sot në qytetin bregdetar të Durrësit. Në qendër të këtij takimi informal do të jenë “Integrimi i Ekonomisë Rajonale”dhe krijimi i një vizioni të përbashkët për strategjinë e integrimit europian.

Krahas tyre do të diskutohen edhe njohja reciproke e kualifikimeve akademike dhe profesionale dhe marrëveshjet roaming. Takimi i sotëm në Durrës, i dyti në serinë e takimeve të tilla, zhvillohet 4 vjet pas prezantimit të Procesit të Berlinit nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në 28 gusht 2014 dhe disa javë pas Samitit të Londrës, të zhvilluar në fillim të muajit të kaluar, i pesti samit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili që prej 4 vitesh ka marrë përsipër të nxisë dhe përshpejtojë ritmet e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Samiti i Londrës në konkluzionet e tij theksoi ”konfirmimin e potencialit transformues të Zonës Ekonomike Rajonale dhe rënien dakort për nevojën e forcimit të lidhjeve ekonomike mes 6 vendeve të BP, partnerëve të Procesit të Berlinit dhe institucioneve të BE”.

Komisioni Europian ka fjalën e vet me peshë në këtë drejtim. Komisioneri i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, i ftuar në takimin që zhvillohet sot në Durrës, e ka quajtur “prioritet kyç ndërtimin e Zonës Ekonomike Rajonale për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin në BP”. Në takimin e parë informal të Durrësit, vitin e kaluar, u prezantua miratimi i një plani veprimi prej 115 pikash për Zonën Ekonomike Rajonale, të dakortësuar nga kryeministrat e 6 vendeve- Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Bosnjë-Herzegovinë- me arsyetimin e provuar se ekonomia është në krye të transformimit europian të BP, ose ndryshe të progresit në procesin e integrimit europian të rajonit.

Sakaq, ky takim zhvillohet në kulmin e debateve për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse kjo ҫështje nuk përfshihet në axhendën e takimit të sotëm hija e saj pritet të jetë e pranishme.

Në konferencën për shtyp të 6 kryeministrave, që do të mbahet pas mesditës, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabić, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn do të jenë përballë pyetjeve të gazetarëve edhe për këtë ҫështje./Opinion.al

Share: