Home KRYESORE Macron “merr masa”, çfarë i pret emigrantët shqiptarë në Francë?

Macron “merr masa”, çfarë i pret emigrantët shqiptarë në Francë?

Parlamenti i Francës ka miratuar zyrtarisht një ligj të ri për azilkërkuesit dhe emigrantët, pavarësisht kundërshtimeve të pothuajse të gjitha partive të tjera politike.

Qeveria e Emmanuel Macron ka shkurtuar afatet e aplikimit për azil, por ka dyfishuar kohën për të cilën mund të ndalohen emigrantët e paligjshëm. Ndër të tjera, Macron ka imponuar edhe dënim me deri në 5 vite burg për këdo që hyn në mënyrë të paligjshme në Francë.

Sipas rregullave të reja, tanimë refugjatët nuk do të qëndrojnë 120 ditë në pritje, ndërkohë që qeveria franceze përpunon kërkesat e tyre për azil, por 90 ditë.

Ligji i  ri u jep gjithashtu vetëm gjashtë muaj kohë ( dhe jo 11 muaj) të gjithë emigrantëve për të bërë kërkesë për azil, duke lehtësuar si dëbimin e atyre që refuzohen ashtu dhe pranimin e atyre që u aprovohet azili.

Çfarë i pret emigrantët shqiptarë në Francë?

Refugjatët shqiptarë ishin grupi më i madh i vetëm i azikërkuesve gjatë vitit të kaluar, pavarësisht se Shqipëria është shpallur si një vend i “i sigurt” origjine.

Pascal Brice, kreu i agjencisë franceze për mbrojtjen e refugjatëve tha se numri i aplikantëve ishte rritur me 6.5 për qind në vitin 2016 dhe 17 për qind gjatë vitit 2017.

Brice theksoi se shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të aplikantëve  për azil në Francë, duke paraqitur gjithsej 7,630 kërkesa.

Sidoqoftë, shkalla e pranimit ishte vetëm 6.5 për qind dhe shumica e qytetarëve shqiptarë, sipas ligjit të ri, do të përballen me dëbim dhe burg.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të ligjit të ri është se emigrantëve që nuk do t’u jepet azili mund të mbahen deri në 90 ditë në paraburgim, pothuajse dyfishin e periudhës ekzistuese.

Kundërshtarët u ankuan në parlament duke thënë  se emigrantët po trajtoheshin si kriminelë. Fëmijët mund të mbahen gjithashtu në paraburgim së bashku me familjet e tyre, edhe pse zyrtarët ranë dakord të ngrenë një grup pune për të shqyrtuar çështjen.

Emigrantët, përfshirë edhe ata nga Shqipëria, do të kenë 90 ditë kohë për të paraqitur aplikimin (jo 120 ditë) dhe dy javë për të apeluar kundër refuzimit.

Sipas ligjit të ri, Franca mund të burgosë edhe emigrantët e paligjshëm të kapur me letra të rreme me deri në pesë vjet, dhe me një vit burg ata që hynë në mënyrë të paligjshme në vend.


360grade.al

Share: