Home KRYESORE Erdogan: Kemi drejtësi të pavarur, gjykata vendos për pastorin amerikan

Erdogan: Kemi drejtësi të pavarur, gjykata vendos për pastorin amerikan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se fatin e pastorit amerikan, i cili është arrestuar mbi akuza për terrorizëm duke tronditur marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit, do ta përcaktojnë gjykatat turke dhe jo politikanët.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ishte shprehur të hënën se, shpresonte që Turqia ta lironte pastorin evangjelist, Andrew Brunson, këtë muaj. Ai ndodhet në arrest shtëpiak që prej muajit korrik, pasi kaloi 21 muaj në paraburgim.

Në një intervistë për “Reuters”, të martën vonë teksa ishte në Nju Jork për takimet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Erdogan tha se çdo vendim për Brunsonin do të merret nga gjykata.

“Kjo është një çështje gjyqësore. Brunson është arrestuar mbi akuza për terrorizëm. Më 12 tetor do të ketë një tjetër seancë dëgjimore, por ne nuk e dimë se çfarë do të vendosë gjykata. Politikanët nuk mund të flasin fare mbi verdiktin”, tha Erdogan.

Nëse shpallet fajtor, Brunson mund të burgoset për të shumtën 35 vite, edhe pse ai mohon akuzat.

“Si president nuk kam asnjë të drejtë për të urdhëruar lirimin e tij. Drejtësia jonë është e pavarur. Le të presim dhe të shohim se çfarë do të vendosë gjykata”, tha më tej Erdogan.

Presidenti Donald Trump, i irrituar nga ndalimi i Brunsonit, autorizoi dyfishimin e tarifave ndaj importeve turke të aluminit dhe çelikut në muajin gusht. Turqia u kundërpërgjigj duke rritur tarifat mbi automjetet amerikane, alkoolin dhe importet e duhanit.

Por, prej atëherë, lira turke ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj përkundrejt dollarit, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e Erdoganit te politikat monetare dhe mosmarrëveshjet diplomatike mes Ankarasë dhe Uashingtonit.

“Çështja Brunson nuk është aq e lidhur me ekonominë e Turqisë. Sfidat aktuale ekonomike janë ekzagjeruar më shumë nga sa ishte e nevojshme, por Turqia do t’i tejkalojë ato me burimet dhe mjetet e veta”, u shpreh presidenti turk.

Banka Qendrore e Turqia rriti normën e saj të referencës me 625 pikë gjatë këtij muaji, duke forcuar lirën dhe duke lehtësuar disi shqetësimet e investitorëve mbi ndikimin e Erdoganit në politikat monetare. Erdogani vet u shpreh se ishte kundër këtij vendimi të Bankës Qendrore.

“Kjo tregon se Banka Qendrore është e pavarur. Si president jam kundër normave të larta të interesit dhe e përsëris qëndrimin tim edhe këtu, – tha ai. – Ky vendim është marrë nga Banka Qendrore dhe unë shpresoj dhe lutem që pritshmëritë e tyre të përmbushen. Normat e larta sjellin edhe inflacion të lartë. Shpresoj që të ndodhë e kundërta e asaj që mendoj unë këtë herë”.

Burimi: Top Channel

Share: