Home KRYESORE Mendimi ndryshe që sjell unitetin Nga: Dr. Enriko Ceko

Mendimi ndryshe që sjell unitetin Nga: Dr. Enriko Ceko

Mendimi ndryshe është baza e zhvillimit. Pa asnjë dyshim, në të tëra fushat e jetës, sidomos tashmë që çështja e zgjidhjes së problemeve është kthyer në një sistem vlerash dhe sprovash për organizatat, qeveritë dhe njerëzimin në tërësi, të menduarit ndryshe përbën një bazë të rëndësishme ecurie përpara dhe konsolidimi të unitetit midis subjekteve dhe faktorëve që mendojnë së bashku ndryshe, për të arritur në fund në një rezultat a pikëpamje të përbashkët. Në fakt, gjatë gjithë kohës sejcili prej nesh ka ndryshuar mendje për një a disa çështje për të cilat më parë ka menduar se kanë qenë shumë të vështira për t’u zgjidhur. Gjithashtu, mendimi ndryshe ka ardhur edhe kur kemi kërkuar më shumë të dhëna, informacion, shifra e fakte, pas grumbullimit të të cilave e kemi më të lehtë të orientohemi e të marrim vendime.

E njëjta situatë paraqitet pak a shumë edhe në rastin e grupit. Një grup individësh që gjenden përballë një situate të vështirë kërkojnë zgjidhje së bashku dhe bashkojnë forcat e tyre fizike dhe mendore dhe burimet për zgjidhjen e problemit. Edhe shoqëritë e zhvilluara ndjekin pak a shumë të njëjtën rrugë për zgjidhjen e problemeve, duke marrë parasysh se në këto shoqëri, procesi i përzgjedhjes së drejtuesve në të tëra nivelet është cilësor dhe se drejtuesit e nxitin dhe zhvillojnë procesin e të menduarit ndryshe, si një proces që në fund sjell zgjidhje të mirëpranuara nga shumica e atyre që përbëjnë shoqërinë në një vend në një kohë të caktuar të zhvillimit.

Ne shqiptarët kemi një përvojë jo të mirë me të menduarit ndryshe. Deri përpara vitit 1991, të menduarit ndryshe mund të sillte edhe konseguenca dramatike personale dhe familjare. Në atë kohë pikëpamja socialiste ishte se e ardhmja ishte e lidhur me pronën kolektive dhe se duhej unitet mendimi dhe veprimi për zgjerimin e forcimin e pronës së përbashkët. Kjo, solli edhe përçarjen. Pikëpamja për unitet rreth partisë shtet solli ndarjen veri – jug, ndarjen fshat – qytet, ndarjen punëtor – intelektual, etj. Pas vitit 1991 e në vazhdim, te ne ka zënë vend përherë e më shumë pikëpamja se tregu i lirë është mënyra më e mirë e alokimit të burimeve dhe e përfitimeve, por mungesa e zgjidhjes së problemeve që i kanë dalë përpara shoqërisë shqiptare ka sjellë ndarje të natyrave të tjera si ndarja të pasur – të varfër, të majtë – të djathtë, punëdhënës – punëmarrës, autoktonë – të ardhur, etj.

Tashmë jetojmë në një botë që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Kjo na detyron që të mendojmë edhe më shpejt ndryshe dhe të shtojmë nivelin e ekspertizës. Kjo kërkon që energjitë tona intelektuale dhe emocionale si individë dhe si komb të investohen në drejtim të arritjes së qendrueshme të sigurisë, prosperitetit fhe paqes.

Në thelb, përpara çdo problemi duhet vënë procedura e diagnozës dhe e nivelit të tolerancës ndaj problemit. Për këtë nevojiten të dhëna, informacione dhe prova. Ne prodhojmë shumë statistika, por jo të tëra janë prova. Shumica e tyre nuk i hyjnë në punë askujt, janë thjesht statistika, por kur gjendesh në mes të rrugës së mbushur me prirje për ndryshime të shpejta dhe shpesh edhe ekstreme, kërkohen spjegime dhe një kuadër veprimi për një afat kohor të caktuar, nevojiten kategori të reja spjegimi dhe eksplorimi. Këtu lind nevoja e bashkëpunimit me të tjerët. Tashmë askush nuk është më i aftë të dijë gjithshka. Tashmë njohuritë e njerëzimit dyfishohen pothuajse çdo pesë vite. Me përfundimin e pesë viteve të studimeve të larta (bachelor dhe master) edhe në rastin kur shkolla ka qenë ekselente, pas përfundimit të studimeve, njohuritë qe merren në shkollë janë të vjetra ose në vjetërim. Po për ata që i kanë mbaruar studimet shumë vite më parë? Nëse nuk lexojnë e nuk përditësohen me zhvillimin e ndryshimet koha i le pas. Kjo kërkon që të jemi koshientë dhe të aftësohemi për të investuar energjitë, vlerat dhe besimin, për të arritur në një produkt apo shërbim që avancon në përputhje me kushtet dhe informacionin në ndryshim.

Kombi, vendi, shteti, organizatat kanë nevojë për stabilitet dhe kontroll dhe nga ana tjetër kanë nevojë për qasje inteligjiente për zgjidhjen e problemeve që dalin përpara. Si rezultat, tashmë nuk mund të ecim më përpara me unitetin e mendimit dhe veprimit, duke mos kundërshtuar shefin dhe udhëheqësin, e duke patur frikë se humbasim vendin e punës. Detyra e çdo individi është që të ndihmojë procesin e zgjidhjes së problemeve sipas pozicionit që ka në shoqëri, për të arritur qëllimet si individë dhe si komb.

Tashmë zgjidhja e problemeve kërkon përfshirjen e të tjerëve në organizatë dhe gjenerimin e sa më shumë ideve për zgjidhjen e problemit, duke u fokusuar te zgjidhja, duke ndërtuar grupe pune të suksesëshme dhe duke i bërë gjërat të thjeshta pa shumë komplikime të panevojshme dhe duke evidentuar punën e sejcilit. Kjo situatë kërkon që qeveria vetë të nxisë dëshirën e qytetarëve për të dhënë mendime për zgjidhjen e problemeve që kemi.

Në rastin e Shqipërisë është evidente që ka ardhur koha për mendimin ndryshe. I ftoj intelektualët e të tëra fushave që të thonë hapur mendimin e tyre për çështjet që i preokupojnë. Nuk ka asgjë të keqe që bie fjala një pedagog i taksimit të shprehet se ç’farë mendon për sistemin fiskal dhe të japë edhe zgjidhjet apo variantet më të mundëshme për një sistem fiskal efektiv dhe eficient, apo një studiues i shkencave politike të thotë ç’farë mendon për sistemin politik dhe gjendjen politike në vend dhe të japë edhe rrugët e zgjidhjes së problemit, apo një historian që ka fakte dhe të dhëna që hedhin poshtë historinë e shkruar me pavërtetësi nuk ka përse të mos deklarojë të vërtetë.

Indiferentizimi, servilizmi, heshtja përballë paaftësisë, dorëzimi përballë arrogancës dhe mendjemadhësisë nuk bën gjë tjetër veçse përçan kombin dhe vendin. Aq më keq, sharjet, ofendimet, fyerjet, shpifjet e të tjera si këto, që shpesh janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për të etiketuar ata që mendojnë ndryshe, janë thjesht metoda për të shkatërruar uniteti në shoqëri dhe unitetin kombëtar.

Nëse ne arrijmë të gjejmë çelësin për t’u përballur me mendimin ndryshe, me mendimin e tjetrit dhe me respektimin e mendimit të tij, atëhere zgjidhja e problemeve do jetë më e lehtë dhe punët do na shkojnë më mirë si individë dhe si komb, sepse nëse zgjidhja e problemeve tona vjen nëpërmjet debatit, atëhere të tërë që përfshihen në debat në fund bien dakord me zgjidhjen e problemit dhe rëënia dakord së bashku për zgjidhjen e problemeve sjell unitetin midis palëve. Koha për mendimin ndryshe.

Share: