Home KRYESORE “Ideja e Universitetit” (1959), Kërkimi, arsimimi dhe mësimdhënia -Pjesa e Tretë-

“Ideja e Universitetit” (1959), Kërkimi, arsimimi dhe mësimdhënia -Pjesa e Tretë-

“Ideja e Universitetit” (1959), Kërkimi, arsimimi dhe mësimdhënia-Pjesa e Tretë- nga Karl Jaspers (1883-1969)

Përktheu nga anglishtja, Elvis Zaimi

“E ardhmja e universiteteve tona, përsa kohë asaj do t’i jepet një shans, qëndron në përtëritjen e shpirtit krijues që i ka pjellë ato” Karl Jaspers

Studenti vjen në universitet me qëllimin të studiojë artet dhe shkencat, dhe ta përgatisë vetveten për një profesion. Pavarësisht se në pamje të parë detyra dhe situata e tij duket e qartë, studenti ndjehet shpesh i shtangur dhe i pështjelluar. I përmbytur, hutuar dhe I dërrmuar nga sasia e madhe e asaj çfarë mund të mësohet, ai dëshiron të dijë se cila është më kryesorja për nga rëndësia. Leksionet orientuese, sesionet praktike dhe programet mësimore e ndihmojnë vetëm pjesërisht për të tejkaluar vështirësitë me të cilat përballet. Në analizë të fundit atij i duhet ta gjejë vetë rrugën në botën e leksioneve, laboratorëve dhe seminarëve.

Por studenti prêt akoma më shumë nga universiteti. Për të qenë i qartë, studenti studion një fushë të caktuar duke pasur ndër mend një profesion të caktuar. Për më tepër, nën aureolën e tij si mbartës i traditës që trashëgohet në breza, universiteti përfaqëson për studentin unitetin e të gjitha degëve të dijes. Ai e respekton këtë unitet dhe pret ta bëjë atë pjesë të përvojës së tij, si dhe prêt që nëpërmjet përjetimit të kësaj përvoje të arrijë në një botëkuptim-vizion për botën (Weltanschauung), të ngritur mbi themele të shëndosha. Ai kërkon të mbërrijë tek e vërteta, do të fitojë një vështrim të qartë mbi botën dhe mbi njerëzit. Ai synon takimin me të gjithësishmen, një rend kozmik të pafundëm.

Shkenca dhe të mësuarit i përkasin thelbësisht shpirtit; ata kërkojnë marrëdhënien me totalitetin e gjithçkaje që është për t’u njohur.
Prapëseprapë, megjithë këto, rinia nuk është e kënaqur.I riu/e reja ka një sens tepër të lartësuar mbi seriozitetin e jetës, për shkak se ai është i vetëdijshëm për vendimet me peshë për t’u marrë, dhe që ende e presin përpara në ardhmërinë. Ai ndjehet i ndikueshëm, “prej materiali plastik”, me plot mundësi për të zgjedhur dhe realizuar. Ai është i vetëdijshëm se çfarë ai do të bëhet në të ardhmen, varet në një masë të madhe nga ai vetë. Ai e ndjen se jeta e tij e përditshme ka rëndësi, çdo orë e saj, çdo impuls jetësor. I riu dëshiron të mësojë ose duke bërë stazhin si nxënësi i një mjeshtri, nëpërmjet vetë-disiplinimit, ose nëpërmjet diskutimeve të hapura dhe të lira me shokë të tij, të motivuar njëlloj si ai.

Vetëm në raste të ralla ndodh që pritshmëritë e ndokujt të përmbushen në universitet. Vrulli i parë i entuziazmit nuk zgjat. Ndoshta studenti nuk ka qenë kurrë i qartë se çfarë dëshironte, se çfarë ishte duke bërë. Sipas çdo vlerësimi që i është bërë kësaj çështjeje, ai kthehet në një të zhgënjyer, bëhet konfuz. Ai i pushon përpjekjet për të arritur diçka, dhe humbet në rrugica qorre. Ai studion vetëm për provime dhe e gjykon gjithçka me kutin e dobisë që do t’i sjellë për sezonin e provimeve. Ai nisë ta konsiderojë këtë periudhë studimesh si një tranzicion të dhimbshëm përpara fillimit të jetës profesionale. Është kjo e fundit tashmë që i “premton atij shpëtimin”. Ai thotë se ka të ngjarë që të jetë tepër budalla për të kapur thelbësoret, dhe heq dorë së praktikuari specialitetin e lëndës së tij. Nga ana tjetër, entuziazmi fillestar krijues i tij mund ta humbasë vitalitetin, duke u shndërruar në një lloj përkushtimi ndaj studimeve sipërfaqësor dhe vetëm në dukje, ose “sa për të larë gojën’. Ai bëhet përtac në punën e tij studimore, dhe dëshiron t’i kapë idetë, unitetin dhe thellësinë e tyre, drejtpërsëdrejti, pa ndonjë përpjekje për t’I vënë ato në dyshim dhe mos t’u pajtuar me to, e cila për mënyrën e tij të të menduarit kap vetëm gjërat e parëndësishme. Ai mendon se duke lexuar disa libra të mirë ai është duke bërë punën e dijetarit. Së fundmi, përpjekjen e vërtetë drejt mendësisë të dijetarit, studenti e bën kaq perverse, san ë përfundim të studimeve i gjithë formimi i ngritur në mendjen e tij është i instruktuar deri në atë pikë sa ai e konfondon sallën e mësimdhënies me katedrën.

Nëse është me fat, studenti individualisht, dhe i udhëhequr vetëm nga intuita e tij personale, çan vetë përpara në rrugëtimin e tij, i cili të shpie drejt zhvillimit dhe drejt një qëllimi të caktuar, Në analizë të fundit, ai që nuk e di se për ku është nisur, është ai i cili shkon edhe më larg se gjithë të tjerët. Një reflektim i përgjithshëm mbi nënkuptimet e punës së propozuar studimore nuk e ndihmon drejtpërsëdrejti studentin të gjejë koordinatat e vendndodhjes së tij, por do ta ndihmojë atë tërthorazi për ta bërë të vetëdijshëm mbi mundësitë dhe kufizimet e saj, duke parandaluar në këtë mënyrë konfuzionin. Kush aspiron të bëhet dijetar duhet të reflektojë më gjerësisht mbi pyetjet që kanë lidhje me drejtimin, rendin dhe qëllimin e punës së tij studimore. Sepse dëshira e dikujt për të ditur e nënkupton edhe dëshirën e tij për ta ditur qartë se çfarë është duke bërë. Diskutimi ynë këtu synon t’I bëjë ndihmesë kësaj kërkese për qartësi intelektuale si një mënyrë jetese, si një formë e ekzistencës.

Share: