Home KRYESORE PD pyet prokurorinë: Çfarë fsheh Valdrin Pjetri, pse nuk shkel në Itali?

PD pyet prokurorinë: Çfarë fsheh Valdrin Pjetri, pse nuk shkel në Itali?

Partia Demokratike hedh dyshime mbi pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i zgjedhur kryetar Bashkie në Shkodër pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një letër dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD kërkon që organi i akuzës të verifikojë pa vonesë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit.

Kjo forcë politike thotë se ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

“Nëse këto të dhëna publike verifikohen pa vonesë nga Prokuroria, kjo do të thotë se Valdrin Pjetri nuk mund ta marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, as si rrjedhojë e votimeve të pavlefshme të 30 Qershorit”, thekson më tej PD. / Opinion.al

Share: