Home KRYESORE Arrestimi i Henri Çilit, reagon Partia Demokratike

Arrestimi i Henri Çilit, reagon Partia Demokratike

Partia Demokratike ka reaguar për herë të parë në lidhje me aksionin e policisë ku u arrestuan 30 persona, ndër të cilët dhe gazetari dhe botuesi i njohur, Henri Çili.

Në një deklaratë për mediat, sekretari për cështjet ligjore i PD, Çlirim Gjata tha se prokuroria dhe policia kanë për detyrim të informojnë publikun se kush është zyrtari i lartë i sistemit të drejtësisë që është i përfshirë në këtë dosje.

“Emri i këtij zyrtari nuk përmendet as në materialet e përgatitura nga prokuroria. Mes të tjerash, thuhet se një drejtues i një organi të lartë të drejtësisë ka premtuar shqyrtimin tek 50 çështjet e para të dosjes, për të cilën prokuroria thotë së është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme. Emri i atij që në dokumenta identifikohet si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë mbetet mister. Kush është zyrtari i lartë i sistemit të drejtësisë i përfshirë në këtë dosje? Pse po mbahet i fshehtë emri i tij? Pse u kryen ndalimet përpara se drejtuesi i organit të lartë të drejtësisë të kryente takimin e radhës në mars, siç thuhet në dosje?”, tha Gjata.

“Aktualisht, në sistemin e drejtësisë janë vetëm dy persona që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë, ku do të shqyrtohet dosja për të cilën prokuroria pretendon se ka patur ndikim të paligjshëm. Ardian Dvorani, aktualisht i vetmi anëtar funksional i Gjykatës së Lartë, drejtues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sokol Sadushi, kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i të cilit pritet të ndodhë në mars. Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë” shtoi ai.

Shmangia e zyrtarit të lartë të drejtësisë nga emrat e personave nën hetim në lidhje me këtë operacion tregon sipas PD standarte të dyfishta në polici dhe prokurori. /Opinion.al

Share: