Home KRYESORE PIKËPYETJET E NJË DITE TË NGARKUAR

PIKËPYETJET E NJË DITE TË NGARKUAR

Nga Kastriot Cipi

Presidenti sot mblodhi mijëra vetë në shesh dhe paralajmëroi se pas 15 marsit do të hyjë në Kuvend bashkë me popullin, për të firmosur Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Si do të hyjë Presidenti dhe populli në Kuvend? Me “qetësi dhe me drejtësi” apo me dhunë? A do të ishte ky veprim revolucion apo grusht shteti?

Presidenti mund të shpërndajë Kuvendin në letër. Kuvendi mund ta shkarkojë Presidentin në letër. Që letra të bëhet ligj, duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka asnjë shans të ngrihet brenda këtij viti (nëse nuk improvizohet ndonjë zgjidhje konsensuale anti-kushtetuese). Çfarë fitojnë shqiptarët nëse shkojmë “me brekë nëpër këmbë” në zgjedhjet e qershorit 2021?

Presidenti valëviti flamurin amerikan. Ambasadorja amerikane (e emëruar nga Presidenti Trump) u “distancua” nga ky gjest. Cili ambasador amerikan më parë ka bërë një distancim të tillë? A thua nuk e di këtë “zakon” shqiptar Yuri Kim?

SHBA dhe BE kërkojnë heqjen e plotë dhe të menjëhershme të taksës “Haradinaj” mbi produktet serbe. LDK është dakord. Kurti i shkruan letër Trump-it dhe Pompeo-s dhe i kërkon mirëkuptim që të heqë fillimisht taksën vetëm për lëndët e para serbe. Të gjithë kryetarët e partive opozitare të Kosovës thanë sot në Kuvend se QEVERIA HARADINAJ U RRËZUA PËR SHKAK TË TAKSËS dhe paralajmëruan edhe Kurtin për të njëjtin fat!

Komisioni Europian përsërit raportin se Shqipëria ka arritur përparim të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi (asnjë fjalë për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë). Presidenti Meta thotë Mafia ka kapur shtetin dhe se po kryhet grusht shteti. KE u kërkon vendeve anëtare të votojnë pro hapjes së negociatave.

Turqia ka hapur kufijtë për emigrantët që duan të shkojnë në Europë. Sot në Turqi ka mbi 3 milion refugjatë dhe emigrantë klandestinë që synojnë Europën Perëndimore. BE i premtoi në 2015-n Turqisë ndihma ekonomike për të përballuar fluksin e emigrantëve, me kusht që Turqia të mos lejonte kalimin e tyre në Europë, por ato para nuk mbërritën kurrë në Turqi.

Brenda ditës së djeshme 13 mijë emigrantë u dyndën drejt pikave kufitare me Greqinë, e cila dha alarmin. Nëpër ishujt grekë, banorët vendas kanë nisur të përplasen me emigrantët. Greqia ka mobilizuar ushtrinë, në gatishmëri për ndihmë ndaj policisë. Së shpejti edhe Greqia do të detyrohet të hapë kufijtë, sepse ata emigrantë synojnë Europën Perëndimore, jo vendet anëtare të BE-së në Ballkan.

Sot Maqedonia e Veriut njoftoi se ka hartuar një plan operacional për përballimin e situatës së emergjencës me emigrantët klandestinë nga ushtria. Një fluks i tillë me siguri do të kalojë edhe në Shqipëri, por ne nuk po marrim asnjë masë.

Tani më thoni ju, çfarë të ardhme kanë projektuar për këtë vend dhe këtë komb BE dhe SHBA?

Share: