Home KRYESORE Në pritje të turistëve, Durrësi shpall emergjencën mjedisore nga mbeturinat

Në pritje të turistëve, Durrësi shpall emergjencën mjedisore nga mbeturinat

Situata me mbeturinat në Durrës ka bërë që Këshilli Bashkiak të shpallë sot emergjencën mjedisore.

Koshat e mbeturinave në Durrës janë të tejmbushur dhe janë derdhur në rrugët e qytetit duke shkaktuar një katastrofë ekologjike si në askpektin e higjenës por edhe në atë turistik pasi rrugët e qytetit që pritet të presë turistët tashmë duken si fushë grumbullimi plehrash.

Me shpalljen e gjendjes së emergjencës, Këshilli Bashkiak është dorëzuar duke pranuar se bashkia nuk ka më mundësi të përballojë situatën e plehrave.

“Miratimi i propozimit të shpalljes së emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së vend-depozitimit të Porto-Romanos”, shkruhet në vendimin e miratuar nga këshilli Bashkiak.

Ky është hapi i parë që merret nga bashkia e qytetit për t’i hapur rrugë më pas marrëveshjes që mund të nënshkruhen me inceneratorët dhe të përcaktohet në mënyrë ligjore dhe institucionale se si do të trajtohen nga sot e tutje mbeturinat në qytetin e Durrësit.

Shkak i kësaj situate që po kthehet në problem për shëndetin e qytetarëve është bërë mbyllja e vend-depozitimit të mbeturinave në Porto Romano nga qeveria e cila ka vendosur që atje të ndërtojë një park ekologjik.

Mbeturinat u vendosën të dërgoheshin në Sharrë por kostoja ishte e papërballueshme dhe Bashkia Durrës vendosi t’i dërgonte në Manëz.

Kjo shkaktoi protesta të banorëve duke bllokuar kamionët me mbeturina pasi tymi dhe era e keq po u merrte frymën dhe djegia e tyre ndodhet pranë banesave ku jetojnë. Dërgimi i mbeturinave  në Manëz zgjati vetëm 3 ditë. Ata u dogjën duke shkaktuar tym dhe erë të rëndë, ndërsa u groposën nga ekskavatori.

Në një kohë krize ekonomike, ku industria e turizmit është në prag falimentimi, Bashkia e Durrësit pret një fond shtesë nga Ministria e Financave për të menaxhuar mbeturinat të cilat kanë mbetur rrugëve të qytetit pas një vendimi që mesa duket nga pasojat që solli ka qenë i pa studiuar. /Opinion.al

Share: