Home KRYESORE Veterania e gazetarisë letër të hapur kryeministrit: Më thoni ju lutem, ku...

Veterania e gazetarisë letër të hapur kryeministrit: Më thoni ju lutem, ku kam gabuar, që nuk po gjej zgjidhje?!?

Nga Kozeta Zavalani

Sot kujtesa e FB më tregon këtë foto, dalë së bashku në ditëlindjen e Prof. Rexhep Qosjes më 15 qershor 2014, ku me dorën tuaj më mësuat selfi-en e parë dhe mora shkas për t’ju shkruar…

Ju i nderuar kryeministër, keni riformatuar institucionet tona shtetërore, por në këndvështrimin e një qytetari të thjeshtë rezultati shpesh mbetet i njejtë. Përpiqemi duke besuar në formën e këtyre institucioneve, por mungon përmbajtja, sepse trokasim tek ato për ndihmë, largohemi me iluzionin se do të gjejmë zgjidhjen e kërkuar dhe mbetemi të zhgënjyer, duke krijuar idenë se kemi humbur kohë kot!

Po ju drejtohem për një problem sa personal e familjar, aq edhe social, veçanërisht për ne që jetojmë në komunitet… Mendoj se, në se hesht, nuk zgjidh asgjë, ndaj po e bëj publike problemin tim. Jetoj në katin e tretë në një nga pallatet e vjetra tek “21 dhjetori”, për shkak të tubacioneve të amortizuara, kemi probleme të rrjedhjes e lagështisë, nga ata që janë sipër nesh. Ndaj vendosëm të ndërrojmë tubacionet. Në datën 15 maj 2020 i dërguam kërkesë Njësisë Bashkiake nr. 7 për të kryer punime mirëmbajtjeje brenda apartamentit, konkretisht tubin e shkarkimit të ujërave të kuzhinës, pjesë e impiantit higjieno-sanitar.

Komshia e katit të sipërm, Sofika Koci, që e administron, nuk banon aty, pasi e ka dhënë me qira, një nga 5 vajzat e të ndjerit Spiro Koçka, u njoftua me shkrim në formë të detajuar mbi problemin tonë bashkë me foto ilustruese, ndërkohë që ishte lajmëruar më parë me telefon dhe i ishte kërkuar të ndërhynte në apartamentin e vet, ashtu sikurse ne dhe kati i dytë.

Në 19 maj marrim dokumentin e përgjigjes së kërkesës që na lejon “Ndërhyrjen e mirëmbajtjes së zakonshme” që nuk kërkon pajisje me leje ndërtimi.

Në 23 maj fillojmë punimet, hidrauliku heq tubin ekzistues prej qeramike në kuzhinë dhe e zëvendëson me tub të ri. Seksioni i tubit që vjen nga komshia sipër është i lagur dhe llaçia përreth tij është i mbingopur nga lagështia. Komshies sipër i çohen fotot dhe i rikërkohet të vijë të ndërhyjë në apartamentin e vet.

Në 23 maj pasdite njoftohet edhe Policia Bashkiake për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit. Vijnë dy policë që e shohin gjendjen, mirëkuptojnë problemin, por thonë se nuk ndërhyjnë dot, pasi i takon Inspektorit të Zonës për të ndërhyrë.

Njoftohet inspektori i zonës në Rajonin nr. 2 dhe vjen pas dy ditësh për të parë gjendjen. Telefonon pronaren e katit sipër, por ajo nuk ia hap telefonin. I çon sms, por nuk merr përgjigje dhe largohet duke na premtuar se do të përpiqet vetë.

Pas dy ditësh e marrim Inspektorin në telefon dhe na thotë se, është përpjekur për t’u lidhur me Sofika Kocin, por pa sukses. Këkresës sonë për të na ndihmuar ta zgjidhim problemin i përgjigjet me “Unë jam për të futur në burg, nuk kam ç’të bëj. Zgjidheni problemin me mirëkuptim, ne mund të ndërhyjmë në fund. Shko interesohu te Drejtoria e Objekteve në Bashkëpronësi.”

Djali shkon në Drejtorinë e lartpërmendur ku i sugjerojnë t’i drejtohet me shkrim bashkisë ose Minibashkisë, pasi problemi duhet t’i referohet me shkrim Policise Bashkiake për të ndërhyrë.

Në datën 29.05.2020 i drejtoj me shkrim kërkesë-ankesë Njësisë Bashkiake nr. 7, duke shpieguar se kati i dytë ka përfunduar punimet, ne jemi në mes, të bllokuar nga kati i katërt, duke mos jetuar siç duhet, nga stresi i shkaktuar prej dëmit të saj. Ju luta të kryejnë detyrën që ju takon, në bazë në Ligji nr.10112 datë 9.4.2009 për rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, mbështetur në objekt bashkepronesie neni 5 pika 2. Detyrimi i pronarit, neni 10 pika b. e Mirëmbajtja e bashkëpronësisë, neni 32, pika 3.

Nuk di çfarë të bëj ndaj institucioneve, që nuk mbajnë përgjegjësi ndaj individëve të papërgjegjshëm si shkaktarja e dëmit tonë, e cila në komunikimin e fundit, midis të tjerash më ka lënë këtë mesazh ”…por te bej me dije qe ne rast te mesazheve te ngjashme ne te ardhmen nga ju apo te afermit tuaj do te ndihem pse jo e shantazhuar/kercenuar dhe do te bej denoncim ne polici. Uroj t’a zgjidhni sa me shpejt problemin qe ju ka rene, ndonese kam ndjesine qe po e kerkoni zgjidhjen ne rrugen/menyren e gabuar. Gjithe te mirat Sofika”

Ndaj duke mos ditur tjetër se, ku ta kërkoj zgjidhjen, bëra unë kallzimin në polici, me shpresë se do të gjej zgjidhje nga institucionet që ju drejtoni, Më thoni ju lutem, ku kam gabuar, që nuk po gjej zgjidhje?!?

Me respekt, Kozeta Zavalani

Share: