Home KRYESORE Tramp shërohet nga COVID-19

Tramp shërohet nga COVID-19

Presidenti i SHBA Donald Tramp ka rezultuar negativ për COVID-19 dhe ai nuk paraqet më rrezik për ta transmetuar virusin, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë të hënën, 10 ditë pasi zoti Tramp njoftoi se ishte prekur nga koronavirusi.

Në një njoftim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë vetëm disa orë para se zoti Tramp të rifillonte tubimet e fushatës, Dr. Shon Konli tha se presidenti ishte testuar negativ për disa ditë rresht duke përdorur një test antigjeni të Laboratorëve “Abbott, BinaxNOW”.

Dr. Konli tha se testet negative dhe të dhëna të tjera klinike dhe laboratorike “tregojnë një mungesë të replikimit viral të dallueshëm”.

Ekipi mjekësor i zotit Tramp kishte arritur në përfundimin se bazuar në të dhënat dhe udhëzimet nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “presidenti nuk është inektues për të tjerët”, tha Dr. Konli.

Presidenti Tramp po i rikthehet fushatës të hënën në mbrëmje me një tubim në Sanford, të Floridës, i pari që kur zbuloi më 2 tetor se ai ishte pozitiv për COVID-19.

Kritikët fajësojnë Presidentin Tramp se nuk ka inkurajuar mbështetësit në aktivitetet e fushatës, dhe madje as stafin e Shtëpisë së Bardhë, që të mbajnë maska mbrojtëse dhe t’i përmbahen udhëzimeve të distancimit fizik. Të paktën 11 ndihmës të afërt të zotit Tramp kanë rezultuar të infektuar me koronavirus./ VOA

Share: