Home KRYESORE Zambakë me krahë fluturash

Zambakë me krahë fluturash

Nga Gladiola Busulla

Në ditët me stuhi,
mund të sfilitesh pa jetuar,
as dhe një grimcë të vetme dashurie.
Mendimet ndjekin gjurmët e reve.
Mund të vdesësh nga mornicat e shpirtit.
Gjethet luten për degët ku thurën ëndrrat.
Më merr malli për kundërmimet
që fluturuan larg.

Nuk dua të bjerë shi në sytë e mi.
As dëborën të më akullojë mbi flokë.
Asnjë erë të mos ndryshojë veriun tim.
Kur s’ ke më ç’të presësh – shiko yjet.
Secili është historia e një jete
që dëgjonte përmes zemrës.
Dhe kur shpresa të shfaqet e dëlirë,
e pafajshme, lakuriqe si një foshnjë e porsalindur.

Mbështille me mantelin e dritës.
Bëhu strehë – e paprekur të mbetet,
në vorbullën e shakullinës.
Ballin mbështete pas horizontit.
Dhe ëndrrat e çmendura
do të bëhen zambakë gjetheheshtë
me krahë fluturash.

Share: