Home KRYESORE Top Story/ Cilët janë disa nga prokurorët e gjyqtarët që u shkarkuan...

Top Story/ Cilët janë disa nga prokurorët e gjyqtarët që u shkarkuan nga Vetting, por kanë gjetur strehë tek avokatia

Do të sjellim në vëmendjen e opinionit publik të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që u shkarkuan nga Vettingu dhe kanë hapur studio avokatie. Top Story verifikoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit emrat e gjytarëve dhe prokurorëve të shkarkuar që tashmë kanë një studio avokatie. Nga kërkimi rezulton se në shumicën e rasteve këto zyra avokatie janë hapur në 2019 dhe në 2020. Por cilët janë disa nga zyrtarët e shkarkuar që tashmë i janë futur avokatisë? 

Arben Zefi, kyegjyqtar i Shkodrës u shkarkua pasi u konstatua se kishte probleme të dy kriteret: deklarimin e pasurisë dhe dyshime për korrupsion si dhe kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar. Në mesin e vitit 2020 aktivizoi licencën e avokatit në QKB. 

Shkarkimi i Rovena Gashit, prokurore pranë prokurorisë së përgjithshme ka qenë një ndër betejat më mediatike. Gashi nuk pranoi të mbetej përgjithmonë jashtë sistemit të drejtësisë për shkak të problemeve me pasurinë dhe 16 apartamente në emër të babait. Së bashku me bashkëshortin e saj, Dritan Gina, asokohe ish kryeprokur në Elbasan lëshuan akuza të forta se procesi ndaj tyre ishte një hakmarrje politike. 

Por duke filluar që nga viti 2019, Rovena Gashi ka hapur një zyrë konsulence ligjore dhe avokatie. Ervin Metalla gjyqtari i dosjes së Gërdecit, u shkarkua nga detyra, pas gjetjeve se ai kishte kryer një sërë transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë. Ai ishte pjesë e treshes gjykuese së Apelimit, e cila vrasjet e kryera nga ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo i kanë konsideroi “vrasje nga pakujdesia”. Licencën e Avokatit e aktivizoi në fillim të vitit 2020.

Bashkim Dedja, kreu i gjykatës së Kushtetuses u rrëzua për shkak të kriterit të Pasurisë. Ai kishte probleme në justifikimin e pasurisë për tre asete, përfshi një apartament 98m2 në Tiranë një apartament 146 m2 dhe një garazh në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë dhe një apartament në përdorim në Golem. Bashkim Dedja i hyri avokatisë që në fillim të janarit 2019.

Prokurori Adriatik Cama u shkarkua pasi u gjet me probleme në të tre kriteret. Nga hetimi i KPK rezultoi se Cama, ish-prokuror i disa dosjeve me rëndësi, mes tyre ‘21 Janari’, nuk justifikon pasurinë, është i korruptuar dhe vihet në presion nga struktura kriminale. Ashtu si kolegët e tij që u rrëzuan në Vetting, edhe Adriatik Cama, aktivizoi më 2019 licencën e avokatit. 

Gentian Trenova ishte prokurori që nisi hetimet për të ashtëquajturën “Dosja 184” për shitblerjen e votave në Dibër. I vënë shpesheherë në shenjëstër për marrëdhënien miqësore me Shkëlzen Berishën, Trenova u dogj për kriterin e pasurisë. Ndërsa më 2019-ën iu fut avokatisë. 

Ahmet Jangulli, gjyqtar në gjykatën administrative të Shkodrës është shkarkuar si i paaftë profesionalisht, por edhe për fshehje pasurie dhe marrje ryshfeti. Trupa gjykuese tha se Ahmet Jangulli nuk di të shkruajë qartë vendimet dhe se ka zvarritur disa çështje. Pavarësisht se Vettingu e nxorri përfundimisht jashtë sistemit të Drejtësisë, ai do të jetë pjesë e kastës së avokatëve, pasi ka aktivizuar licencën e avokatit.

Share: