Home KRYESORE 2021: Tani ose kurrë është koha për ligatinat mesdhetare

2021: Tani ose kurrë është koha për ligatinat mesdhetare

Data 2 shkurt shënon Ditën Botërore të Ligatinave dhe për ne kjo është koha më e rëndësishme për të vlerësuar arsyen për çfarë dhe përse po festojmë. Kjo ndodh për shkak se e ardhmja e ligatinave tona dhe e ardhmja e vetë njerëzimit janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme dhe viti 2021 është mundësia jonë më e mirë për të bërë diçka për këtë.

Në pjesën më të madhe të historisë sonë të kohëve të fundit, ne i kemi trajtuar ligatinat si të parëndësishme. Brigjet gjenden aty për të ndërtuar mbi to, lumenjtë dhe liqenet gjenden aty për të siguruar furnizime të pafundme me ujë për fermat dhe fabrikat, kënetat gjenden aty për t’u tharë për zhvillim. Këtu në Mesdhe ne i kemi shndërruar dhe degraduar ligatinat tona për shekuj me radhë, dhe që më 1970 kemi humbur gjysmën e atyre që mbetën.

Ajo çfarë shumica prej nesh ende priremi të harrojmë është fakti se jeta fillon në ligatina, dhe ligatinat mbajnë në lëvizje vazhdimin e jetës. Nëse do të kishim ndonjë shpresë për të zgjidhur sfidat në rritje me të cilat përballet rajoni ynë dhe nëse do të donim të siguronim një të ardhme të qëndrueshme për popujt e Mesdheut, atëherë është koha për një fillim të ri dhe një përpjekje të bashkërenduar, të përbashkët për të shpëtuar dhe restauruar këto sisteme jetike.

Ligatinat janë të formave të ndryshme natyrore dhe artificiale, që nga lumenjtë dhe liqenet deri tek kënetat, pellgjet, sistemet bregdetare dhe zonat detare, dhe ndërmjet tyre ato sigurojnë shërbime të rëndësishme natyrore nga të cilat varet jetesa e miliona njerëzve në Pellgun e Mesdheut. Ligatinat jo vetëm që ruajnë dhe pastrojnë pjesën më të madhe të ujit tonë të pijshëm, por ato gjithashtu na furnizojnë me ushqim dhe lëndë të parë, duke mbështetur ekonomitë lokale. Ato janë gjithashtu qendra të rëndësishme për biodiversitetin, dhe luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Por aktualisht në Mesdhe kërkesat në rritje të bujqësisë, industrisë, turizmit dhe zhvillimit urban kanë bërë që ligatinat tona të prekin fundin. Shfrytëzimi i tepruar i ujit (dy të tretat e tij për bujqësinë) ka ulur nivelin e prurjeve ndërmjet shifrave 25-75% në dhjetëvjeçarët e fundit, dhe prania e ujit të pijshëm parashikohet të pësojë një ulje me 15% gjatë 20 viteve të ardhshme. Meqenëse habitatet e  ligatinave janë tharë dhe shkatërruar, sistemet natyrore jetike po prishen ndërkohë që kërkesa vazhdon të rritet.

Si mund të vijojmë kështu? Përgjigja e thjeshtë është se ne nuk mundemi. Parashikimet aktuale për rajonin mesdhetar tregojnë se afërsisht 250 milionë njerëz do të jetojnë nën kushtet e stresit ujor deri më 2040, duke nisur që tani me një shifër tronditëse prej 180 milionë.

Ndryshimi klimatik, i cili paraqitet me anë të shifrave po godet Mesdheun 20% më fort se pjesët e tjera të botës, po zmadhon krizën, po rrit temperaturat, po zvogëlon reshjet e shiut dhe po shkakton një rritje të shpejtë të përmbytjeve, stuhive, thatësirave dhe ngjarjeve të tjera ekstreme të motit.

Në të njëjtën kohë, në rajon po përhapet kriza e biodiversitetit. Ligatinat janë ndër ekosistemet më biodiverse, por në Mesdhe prania e lartë e vertebrorëve është pothuajse përgjysmuar që nga viti 1990, dhe mbi një e treta e llojeve të ligatinave kërcënohet me zhdukje. Zhvillimi dhe ndotja kanë pësuar një rritje të frikshme.

Humbja e biodiversitetit dhe ndryshimet klimatike janë dy anët e të njëjtës monedhë: të dyja shkaktohen nga veprimtaritë e njeriut, dhe secila përkeqëson tjetrën.

Megjithatë, ekosistemet e ligatinave mund të sigurojnë zgjidhje të paçmuara natyrore, por vetëm nëse ne i lejojmë që ato të funksionojnë siç duhet.

Ligatinat e shëndetshme ruajnë dhe pastrojnë ujin, dhe këtu në Mesdhe ne kemi nevojë për më shumë ujë të pastër, meqenëse atmosfera nxehet dhe popullsia jonë vijon të rritet.

Ligatinat e shëndetshme gjithashtu kapin gazet me efektin serë, duke ftohur temperaturën e planetit. Ligatinat bregdetare sekuestrojnë karbonin për njësi sipërfaqeje me një shpejtësi prej 10-20 herë më të madhe se sistemet tokësore, por kur ato shkatërrohen, pjesa e atij karboni çlirohet sërish në atmosferë.

Ekosistemet e ligatinave luajnë një rol jetik në mbrojtjen e komuniteteve të Mesdheut për shkak të rrezikut në rritje i cili shoqërohet me ndryshimet klimatike. Ato na mbrojnë nga të gjitha ekstremitetet e motit, të tilla si rritja e vazhdueshme e nivelit të detit apo shtimi i valëve të shpeshta e të forta të stuhive. Më në brendësi të tokës, ligatinat thithin reshjet e dendura të shiut, shërbejnë si mbrojtëse ndaj përmbytjeve, dhe plotësojnë prurjet e pakëta në kohë thatësire. Ato referohen si zgjidhje të mbështetura tek natyra duke ofruar shërbime me vlerë të madhe sociale, ekonomike dhe mjedisore ndaj njerëzimit.

Më shumë se më parë, begatia dhe mirëqenia e njerëzve të Mesdheut varen nga mënyra se si ne kujdesemi për kapitalin tonë natyror. Më shumë se më parë, ne kemi nevojë të investojmë për ligatinat mesdhetare ndërkohë që përballemi me një të ardhme të pasigurt.

Për të përmbushur sfidën ne kemi nevojë për ndryshime drastike, dhe viti 2021 ofron mundësi që nuk duhen humbur për të bërë ato ndryshime: bota do të vendosë për një kornizë të re globale për biodiversitetin, Bashkimi Europian është angazhuar për një të ardhme më të gjelbër në bazë të Marrëveshjes Europiane të Gjelbër dhe Kombet e Bashkuara po hapin periudhën dhjetëvjeçare për restaurimin e ekosistemeve.

Kjo është koha e duhur për paraqitjen e politikave dhe skemave të reja të menaxhimit në rajon duke promovuar restaurimin e ligatinave dhe qëndrueshmërinë si edhe përdorimin në shkallë të barabartë e të njëjtë të burimeve në bujqësi, industri dhe turizëm. Të gjithë aktorët, komunitetet lokale, sektori privat, autoritetet publike, bota akademike, OJQ-të dhe donatorët ndërkombëtarë, do të luajnë rolin e tyre për t´i dhënë ruajtjes dhe restaurimit të ligatinave mbështetjen e duhur. Stabiliteti social, ekonomik dhe politik në Pellgun e Mesdheut është me të vërtetë në rrezik.

Po përsa i përket publikut, çfarë mund të bëjmë? Ligatinat na shqetësojnë të gjithëve, dhe është në interesin më të mirë të gjithë secilit të mësojmë më shumë se sa të rëndësishme janë këto ekosisteme të mahnitshme dhe të mbështesim gjithkënd i cili i ruan dhe i restauron ato.

Dita Botërore e Ligatinave 2021 është mundësia e përsosur për të filluar me ndryshimin për të ardhmen e biodiversitetit dhe njerëzve të Mesdheut, në të gjitha nivelet./albspirit

Nga organizatat anëtare të projektit: “Rritja e ruajtjes së ligatinave bregdetare në Pellgun e Mesdheut”

BirdLife International;
CZIP;
Euronatur;
Hyla;
IUCN ECARO;
IUCN Mediterranean Centre (Qendra Mesdhetare e IUCN);
Fondacioni MEDSEA; 
Iniciativa MedWet; 
Iniciativa e Ishujve të Vegjël Mesdhetarë (PIM);
MSJA;

Nature Trust Malta-FEE;
Terra Cypria – Fondacioni i Ruajtjes në Qipro;

Tour du Valat;
Vertigo Lab;

WWF Adria;
WWF Greqi;
WWF Afrikë e Veriut;
WWF Spanjë;
WWF Turqi;
Wetlands International

Shënime  
1) Projekti: “Rritja e ruajtjes së ligatinave bregdetare në Pellgun e Mesdheut” sjell së bashku më shumë se 30 partnerë nga 10 vende, me mbështetjen financiare të fondacionit MAVA dhe ka objektivat e mëposhtme:
• Të restaurojë ligatinat bregdetare dhe t´i bëjë ato të funksionojnë si zgjidhje të mbështetura tek natyra për të zbutur ndikimet e klimës në rajon

  • Të nxisë përdorimin e qëndrueshëm të ujit dhe të zvogëlojë shpërdorimin e tij
    • Të ulë kërcënimet të cilat ndikojnë në ligatinat bregdetare dhe habitatet detare përkatëse
  • Të krijojë mundësi të reja socio-ekonomike të bazuara në ligatinat bregdetare

2) Dita Botërore e Ligatinave ka për qëllim të rrisë vëmendjen dhe veprimin ndaj rëndësisë së ligatinave për biodiversitetin dhe jetën e njeriut në Tokë. Ajo gjithashtu shënon miratimin e Konventës RAMSAR për ligatinat, e cila këtë vit feston 50 vjetorin e saj. Në Mesdhe, zbatimi i Ditës Botërore të Ligatinave, është mandati i posaçëm i Iniciativës së Ligatinave Mesdhetare (MedWet) e cila sjell së bashku 27 vende të cilat janë Palë në Konventën Ramsar. Falë mbështetjes së OFB – Zyrës Franceze për Biodiversitetin, Medwet ka përfshirë më shumë se 300 aktorë mesdhetarë rreth organizatës së WWD (DBL).alb spirit

Share: