Home Gjeo-Ekonomia Dimensioni Kulturor i Formatit 17+1 për Nxitjen e Bashkëpunimit të Kinës me...

Dimensioni Kulturor i Formatit 17+1 për Nxitjen e Bashkëpunimit të Kinës me Vendet e EQL-së

Kultura dhe arti janë një trashëgimi e çmueshme dhe e larmishme e Kinës dhe vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore (EQL) dhe si të tilla janë bërë komponentë përparësor bashkëpunimi midis tyre në kuadrin e formatit 17+1. Zhvillimi dhe pasurimi i shkëmbimeve kulturore në plan dypalësh dhe shumëpalësh janë kthyer në kontribues potencial për përparimin e bashkëpunimit në aspekte të tjera jetike si turizmi, tregëtia, sportet dhe shendetësia. Për pasojë dimensioni kulturor po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në kuadrin e partneritetit midis Kinës dhe vendeve të EQL-së. Për më tepër si anëtare e Forumit të Vendeve të Qytetërimeve Antike Kina ka shumë për t’i ofruar botës nga trashëgimia e qytetërimit të saj të lashtë dhe kur bota po bëhet gjithnjë e më e vogël në kuptimin e ndërveprimit të gjithanshëm kultura dhe arti nuk njohin kufi dhe pengesë, dhe tashmë asnjë syresh nuk mund të gjykohen si superiore në këtë sistem të ri të multilateralizmit.

Kësisoj është inkurujues fakti se edhe në formatin 17+1, por edhe në megaprojektin ‘Një Brez, Një Rrugë’ kultura dhe arti, turizmi, arsimi dhe sporti janë elementë madhorë të bashkëpunimit ndërveprues midis Kinës dhe vendeve të EQL-së. Që në lashtësi rruga ka sjellur përparim ekonomik por ka transmetuar ndërsjelltas edhe kulturë. A nuk përçojnë të njëjtën gjë- kulturë dhe qytetërim- edhe me mijra trena numri i të cilëve po shtohet dita- ditës ndërmjet Kinës dhe Europës. Pireu, Milano, Praga, Varshava, Nurembergu, Hamburgu,Tilburgu, Budapesti e shumë e shumë destinacione të tjera veç mallrave preken nga gjurmët e qytetërimit kinez të mbrujtur pikërisht në praninë fizike të atyre trenave që koha e sotme kovidiane i ka kthyer në ‘trenat e jetës’!

Shumë simbolizëm kishte iniciativa e zyrtarëve kinezë që organizuan një veprimtari dy-ditore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të lartë diplomatikë të vendeve të EQL-së të akredituar në Pekin në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar në Suzhou and Kunshan ku u shpalosën vlerat e kulturave kineze dhe europiane duke i paraprirë Samitit të 9 shkurtit të këtij viti.

Duke iu përmbajtur synimit sa më shumë shkëmbime kulturore dhe arsimore, artistike dhe sportive aq më shumë miqësi midis popujve, aq më shumë shkëmbime njerëzore, Presidenti kinez Xi Jinping zbuloi në fjalimin e tij në Samitin Kinë-CEEC të formatit 17+1 mbajtur më 9 shkurt 2021 se priten një dialog i ri mbi politikën e arsimit dhe një mbledhje e përbashkët e universiteteve, duke u theksuar partnerëve europianë nevojën e forcimit të shkëmbimeve në kulturë, arsim, turizëm, sporte, media, botime, think tanks, rini dhe fusha të tjera. Në atë rast Xi njoftoi gjithashtu se Kina do të mbështesë Universitetin Fudan për të ngritur një kampus studentor në Hungari. “Ne do të zhvillojmë një raund të ri të Dialogut të Polikës Arsimore dhe takime të Konsorciumit të Instituteve të Arsimit të Lartë këtë vit, dhe të mbështesim hapjen e një universitetit në Hungari nga Universiteti Fudan”.

Në dhjetor 2019, Universiteti Fudan në Shangai, i krijuar me 1905, nënshkroi një memorandum me Ministrinë hungareze për Inovacion dhe Teknologji mbi ngritjen e kampusit të ri në Budapest. Sipas njoftimeve të zyrës së informacionit të Universitetit Fudan të cituar nga Xinhua më 10 shkurt 2021 është filluar faza përgatitore për të ngritur këtë kampus dhe pritet që faza e parë e projektit të fillojë punë më 2024. Aty do do të diplomohen studentë vendas dhe të huaj me tituj arsimorë hungarezë, kinezë ose të dyfishtë (kino-hungareze), të cilët do t’u përgjigjen standardeve hungareze dhe europiane.

Shkëmbimet arsimore dhe kulturore midis Kinës dhe Shqipërise kanë një histori të pasur dhe të hershme që i paraprijnë shumë dekada formatit 17+1 dhe kjo traditë nuk është bjerrur, përkundrazi është ridemensionuar në nivele më të larta me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja në fushat e arsimit dhe kulturës. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të bëra të ditura nga Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding se pala kineze u ka ofruar bursa 151 studentëve shqiptarë për studime në Kinë, dhe ka sjellur 63 studentët e saj për studime në Shqipëri. Gjithashtu ka shumë të rinj shqiptarë që shkojnë të ndjekin arsimin e lartë në Kinë me fondet e veta. “Natyrisht që duke krahasuar me vende të tjera, studentë shqiptarë në Kinë nuk janë aq shumë, çka tregon se kemi ende shumë potencial në bashkëpunim. Aktualisht palët po programojnë aktivisht planin e ri të bashkëpunimit në fushën arsimore, e jam i bindur se shkëmbimet në këtë drejtim do të jenë gjithnjë e më aktive”, u shpreh Ambasadori në një bisedë me revistën Europa më 24 shtator 2020. Me këtë rast Ambasadori Zhou kujtoi një takim në ambasadë me miq shqiptarë që kishin studiuar në Kinë në kohë të ndryshme, duke përfshirë brezin e vjetër që shkoi në Kinë në shekullin e kaluar, të rinjtë që janë kthyer në Shqipëri vitet e fundit e flasin rrjedhshëm kinezisht, por ashtu edhe ato në prag të udhëtimit të ri për në Kinë e me plot pritshmëri” tha ai.

Ndërkohë në Shqipëri funksionon Instituti Konfuci pranë Universitetit të Tiranës i cili është themeluar më 18 Nëntor 2013. Ky Institut është krijuar në bazë të marrëveshjes që Universiteti i Tiranës ka firmosur me Qendrën e Institutit Konfuci, Kinë (HANBAN), si dhe me Universitetin e Gjuhëve të Huaja Pekin (BFSU). Qëllimi i Institutit Konfuci-UT është promovimi i gjuhës dhe kulturës kineze. Ky Institut ka ofruar mundësi që studentët e Univeritetit të Tiranës të mësojnë gjuhën kineze pranë tij.

Ndërkohë veprimtaritë e organizuara nga Ambasada kineze në bashkëpunim me autoritetet vendase me rastin e Vitit të Ri kinez në qëndër të Tiranë më 2019 sollën atmosferën karakrakteristike festive të kësaj ngjarje në jetën e kryeqytetasve dhe meqënësë isha i pranishëhm si shumë të tjerë patëm mundësinë të shijojmë se si kjo ngjarje festohet në Kinë. Ndjemë aromën e ‘Festivalit të Pranverës’ në Tiranë e binjakëzuar me Pekinin që nga viti 2016. Në parantezë veç Tiranës janë vendosur lidhje binjakëzimi edhe midis 5 qyteteve të tjera të Shqipërisë dhe Kinë ku veprimtaritë kulturore kanë qënë të larmishme para pandemisë.

Duhet përshëndetur edhe puna e lavdërueshme e Radios Ndërkombëtare Kineze (China Radio International) e cila ka pasuruar seksionin e saj në shqip duke u kthyer në një dritare për të mësuar jo vetëm për zhvillimet politike, ekonomike e sociale në Kinë por edhe për kulturën, artin, historinë dhe patjetër edhe për kuzhinën kineze tashmë mjaft poopullore në Tiranë.

Në nivele të ndryshme shkëmbimet kulturore, arsimore dhe fusha të tjera sociale janë në zhvillim në nivele të ndryshme në vende të ndryshme të formatit 17+1. Konkretisht vendi fqinj i Shqipërisë, Greqia sëbashku me Kinën e kanë shpallur 2021 si një vit të veçantë për ta nën moton si ‘Viti i Kulturës dhe Turizmit’ në të dy vendet. Mund të thuhet se do të jetë një ‘ritakim’ i dy kulturave ndër më të lashtat në botë dhe ai merr një kuptim të veçantë se përkon më dy ngjarje të rëndësishme për të dy vendet: Greqia feston 200- vjetorin e Revolucionit grek ndërsa Kina përkujton 100-vjetorin e krijimit të Partisë Komuniste.

Në një videoconference në muajin janar 2021, ambasadorja e Kinës në Greqi Zhang Qiyue dhe kryetarja e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Greqisë (GNTO) Angela Gerekou shkëmbyen mendime për organizimin e ‘Vitit të Kulturës dhe Turizmit’ bashkërisht nga Kina dhe Greqia dhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën turistike. Viti i Kulturës dhe i Turizmit do të demonstrojë kulturën e lashtë historike dhe sukseset e zhvillimit të sotëm dhe do të thellojë mirëkuptimin dhe miqësinë midis dy popujve. “Programi i veprimeve të përbashkëta Kinë-Greqi në fushën turistike 2021-2023”, që pritet të nënshkruhet nga sektorët e turizmit të të dy vendeve, do të sigurojë nga ana politike bashkëpunimin turistik midis dy vendeve.

Nga ana e saj, Angela Gerekou tha se kulturat e qytetërimet e lashta janë nyja të rëndësishme të miqësisë midis dy popujve. Të dyja vendet, si anëtare të Forumit të Vendeve të Qytetërimeve Antike, duhet të përfitojnë nga rasti i Vitit të Kulturës e Turizmit, për thellimin e shkëmbimeve midis qytetërimeve. Për turistët kinezë, pala greke do të pasurojë përmbajtje turistike me më shumë elemente kulturore, shfaqje artistike etj.

Por ka mjaft simbolizëm promovimi i shpirtit olimpik në kuadrin e Lojrave Olimpike dhe Paraolimpike të Pekinit më 2022 çka Athina e shikon si një rritje të rolit të Greqisë në kuadrin e iniciativës 17+1.

Edhe jeta artistike e Serbisë u pasurua me edicionin e dytë të festivalit teatror ‘Festa e Fatit’ (Svetkovina Sudbina) që përçoi një reflektim interesant mbi disa pika kulmore të kulturës kineze. Simbolike ishte hapja e festivalit në Beograd në shtator 2020 nën moton ’10,000 Li’ ose 5,000 kilometra çka është referencë për gjatësinë e Murit të Madh kinez. Repertori përfshiu shfaqje të tilla si ‘Arti i Luftës’ me temë mënçurinë e strategjisë ushtarake të lashtë kineze, ‘Harmonia e Vdekjes’, ‘Mrekullia e Dashurisë’ dedikuar Li Yu, një shkrimtar i mirënjohur i shekullit të 17-të, si dhe ‘Jeta e Artë’ mbi Zhuangzi, filozof i lashtësisë kineze. E veçanta është se regjizorë të pjesëve ishin artistë serbë dhe sikurse tha një ndër organizatorët e eventit ai ishte një kontakt i pazakontë me kulturën kineze i artit dhe publikut serb.

Një ngjarje interesante ngjau edhe në shkollën e mesme të gjuhëve në Hradec të Republikës Ceke ku më 19 qershor 2020 në provimet e maturës studentë kishin zgjedhur gjuhën kineze si temë diplome. Kjo ndodhi se gjuha kineze është përfshirë në sistemin e diplomimit në arsimin e mesëm çek për herë të parë.

Kronikat tregojnë se veprimtari të shumta janë zhvilluar edhe në vende të tjera të EQL-së, por është rasti të shënohet se Kina nuk ka kërkuar dhe as synon të imponojë kulturën e saj në vendet e EQL-së apo pjesë të tjera të botës. Në fakt janë plejada të tëra intelektualësh europianë, amerikanë e nga pjesë të tjera të botës që kanë hulumtuar dhe janë surprizuar nga madhështia e kulturës së lashtë kineze. Dhe tradita vazhdon prej qarqeve të ndryshme shkencore dhe Kina e ka mirëpritur e mbështetur një gjë të tillë.

Nga ana tjetër populli kinez është i etur për të përfituar nga kulturat e tjera që janë të mirëprituara nga çdo brez. Kam kënaqësi të sjell shëmbullin e Shqipërisë filmat arstistikë të së cilës kanë qënë aq popullor saqë edhe sot janë të njohur në Kinë. Ata kanë qënë të mirëpritur pa asnjë paragjykim, dhe kjo në fund të fundit tregon se populli kinez nuk ushqen ndjenja ksenofobiste ndaj kulturave të tjera, por përkundrazi i përthith ata, i vlerëson duke pasuruar jetën kulturore dhe artistike por edhe arsimore të vendit të vet. Më duhet të theksoj në këtë rast se diferencat politike midis Shqipërisë dhe Kinës në vitet 1980 nuk ndaluan vazhdimësinë e pranisë së kinematografise shqiptare në Kinë.

Si konluzion mendoj se nuk ka ‘ndeshje’ kulturash, ka shkëmbim kulturash, nuk ka supremaci të njërës apo tjetrës kulturë, ka pasurim të tyre të cilat janë shtrat për të ushqyer ndjenja miqësore midis popujve. Në rastin e formatit 17+1 Kina si vend promotor i kësaj iniciative nuk i është kundërvënë dhe as konkuron kulturat e vendeve të EQL-së apo të popujve të tjerë sikurse pretendohet nga disa qarqe perendimore. Përkundrazi ka qënë në mbështetje të tyre me projekte konkrete sipas specifikave të secilit vend anëatar.

Në fund të fundit mësimet e historisë botërore na tregojnë se janë vetë europianët ndër shumë të tjerë ata që kanë zbarkuar më parë në Kinë prej ku mësuan për historinë e kulturën e atij populli dhe kanë mbetur të mahnitur nga filozofë të shumtë ndër të cilët Konfuci është ndër më të shquarit. Dhe jo më kot institutetet Konfuci anembanë botës janë mbiquajtur ‘ambasadorë të vullnetit të mirë’ të Kinës. Sipas të dhënave ka më tepër se 500 institute Konfuci me mbi 1000 klasa në mbarë botën si pjesë e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore me vendet e tjera duke u bërë qëndra ku mësohet mbi fusha të ndryshme të kulturës së lashtë por edhe të tashme të Kinës.

E gjithë kjo gamë veprimtarish sjell në mënyrën më elegante edhe nxitjen e turizmit sepse veç tërheqjes nga natyra piktoreske, deti apo mali atraksione për njerëzit jane edhe historia, kultura e arti, janë traditat dhe zakonet e secilit popull që i japin ‘jetë’ dhe ‘shpirt’ iniciativave të tilla si mekanizmi 17+1 që as më shumë as më pak po shërben si platformë të afrojë popujt, ta pasurojë jetën e tyre dhe ta bëjë atë më të bukur dhe të larmishme në harmoni larg armiqësive dhe urrejtjes që prodhon politika hegjemoniste, izolacioniste dhe ksenofobe./CRI

Genc Mlloja

Share: