Home Gjeo-Ekonomia Greva në Rinas/ Avokati i kontrollorëve: Kjo s’është grevë, ja kërkesat

Greva në Rinas/ Avokati i kontrollorëve: Kjo s’është grevë, ja kërkesat

Avokati i kontrollorëve të trafikut ajror, Rezart Kthupi, në një deklaratë për mediat ka folur lidhur me kërkesat që kontrollorët kanë dhe arsyet e pezullimit të punës. Avokati tha se kjo nuk është grevë, ndërsa theksoi se ulja e pagës është vetëm një nga arsyet e pezullimit të punës. Sipas tij ndryshimi i procedurave operacionale ka sjellë këtë situatë.

“E para, e kemi thënë që në fillim që kjo nuk është një grevë. Është një detyrim ligjor. Në momentin që kontrollorët ndihen në kushtet e paaftësisë për të ushtruar detyrën, ky është një detyrim ligjor që ligji shqiptar e njeh. Menjëherë nisën procedurat e shkarkimit nga puna. Kjo ka prodhuar stresin e gjithë kontrollorëve të tjerë, që mund të ndodhë të hiqen edhe ata nga puna.

Nuk është vetëm çështja e uljes së pagës, është vetëm një nga arsyet, kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale, që kanë të bëjnë me sigurinë që ofron ky shërbim. Nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës, kontrollorët vijojnë të shkojnë në vendin e punës, por nuk ushtrojnë detyrën. Braktisja e vendit të punës është mos shkuarja në punë pa asnjë arsye. Kjo nuk është një çështje politike, nuk kemi asnjë lloj interesi të përfshihemi në politikë. Ka dy kërkesa shumë të thjeshta nga kontrollorët, që nuk janë të komplikuara dhe të vështira për shoqërinë.

Ne gjykojmë që nuk ka hapësirë ligjore për të çuar kontrollorët për ndjekje penale. Nuk ka asnjë ligj të shkelur. Kontrollori ka detyrimin të saktësojë që nuk është i aftë për punë, e ka detyrim ligjor. Nëse njëra palë e quan këtë shkelje ligjore, ne nuk e zgjidhim dot”, tha avokati.
Ndërsa lidhur me deklaratat e fundit të politikës avokati i kontrollorëve të trafikut ajror tha:” Nuk është çështje politike. Na është shtuar stresi”./Opinion.al

Share: