Home KRYESORE MAGNETËT E VAKSINËS

MAGNETËT E VAKSINËS

Nga dr. Erion Dasho

Dje isha pjesëmarrës në një emision televiziv ku merrte pjesë edhe një zonjë që nisi të shpjegonte se vaksina “injekton” fushë magnetike në gjak, fusha magnetike vepron mbi hekurin e rruazave të kuqe dhe kjo shkakton trombozë!!!

Ndoshta, si fëmijë zonja ka qënë e apasionuar pas vizatimorit me Popeye, po kjo është puna e saj… Në ekran ajo fliste me kompetencë të plotë dhe për një qytetar pa njohuri mjeksore mund të tingëllonte edhe bindëse!

Më pas dy anti-Vax-ët e studios ju kthyen një mjeku shqiptaro-amerikan, kardiolog, duke i kërkuar llogari pse mbronte vaksinën duke dalë jashtë fushës së vet të kompetencës dhe kërkimit mjeksor!!!

Pra, është bërë “normale” dhe e lejueshme që një anti-Vax të këpusë broçkullat më të pabesueshme dhe të flasë ç’i vjen ndër mend, por nga mjeku kërkohet të jetë imunolog që t’i “peshojë” fjala aq sa fjala e një anti-Vax-i!!!

Por edhe kjo, me sa duket, nuk mjafton! Po dje vura re se, në statusin e profesorit tim të imunologjisë, komentonin turlilloj personash, një pjesë edhe me fjalor të papërshtatshëm!!!

Me sa duket, sikundër edhe shumë fenomene të tjerë, pandemia nisi si tragjedi dhe po përfundon si farsë, apo më mirë të thuash si tragji-komedi!

Nuk duhet harruar se kur dëgjojnë të tillë “kompetentë”, dikush para ekranit vendos të mos vaksinohet duke rrezikuar kësisoj shëndetin dhe jetën e vet…

Share: