Home KRYESORE Çapajev Gjokutaj: Iku dhe një Njeri i mirë e i heshtur për...

Çapajev Gjokutaj: Iku dhe një Njeri i mirë e i heshtur për të cilin nuk ka hapësirë mediatike dhe publike!

Nga Çapajev Gjokutaj

Vilson Braja nuk është më, iku me një modesti ngashënjyese ashtu siç edhe jetoi.

E di që për shumicën e miqve të mi virtualë ky emër nuk thotë gjë, megjithatë ishte njeri me Nj të madhe. Zëmërartë e duarflori. E bëri të lumtur jetën e Polit, motrës tonë të madhe. Deri pak ditë para se tumori t’i mirrte gojën, s’reshti duke i thënë shprehjen e tij të preferuar ‘të dua shumë, mos harro!’.

Punoi gjithë jetën si marangoz, mjeshtër e shkuar mjeshtrit, ç’i shihte syri ia bënte dora. Kishte një intuitë të çmuar prej konstruktori, që në rrethana të tjera jetesore mund ta kishin bërë të njohur e të pasur.

Punoi derisa bëri 72 vjet, vitet e fundit la edhe dy gishtrinj në sharrë, atje në Athinë ku bënte jetën e emigrantit, por me qasjen e tij prej babaxhani, duhet thënë ‘ku gëzonte jetën’.

Më ka mbetur në mend një detaj që ma pat treguar kohë të shkuara. Vitet e para si emigrant mbanin edhe një mace në shtëpi. Një darkë, kur veç mishit porositi edhe ca sallam të lirë, shitësi grek me dashamirësi i tha: edhe macen kishe mangut, o i gjorë. Po Vilsoni e dinte mirë ç’qe shpirtërorja e ç’qe materialja.

U kthye nga kurbeti që të kalonte vitet e fundit në Tiranë. Kishte llogaritur gjithçka, edhe shpenzimet e funeralit.

Iku modestësisht, po kurdoherë do të na shfaqet në kujtesë si NJERI dhe qoftë neve, pjestarëve të vllazërisë, qoftë Lidës, Almës, Danasë, Klitit, Donit e Jorgos do na sjellë në mend se jeta është punë e sakrificë, por mbi të gjitha është dashuri e perkushtim për tjetrin.

Jam i bindur se edhe në jetën tuaj të dashur miq e mikesha, njerëz të tillë s’janë të paktë. Mbase bëjmë mirë te vrasim mendjen pse mungojnë thuajse tërësisht në hapsirat publike e mediatike…

Share: