Home KRYESORE Idil… Nga Inida Brahimi

Idil… Nga Inida Brahimi

Idil,
Mbrëmë aq e pat’ gjumi
Aty në kthinë
Shpirti m’humbi …
Në pikën ku s’ishte mirëfill as natë e as ditë
Më ra i imi shpirt…
Mes resh të hirta tek hëna griste agun
U bë pëlhurë
Zbriti e zbriti nëpër lëkurë
Për të trandur pak
në një tjetër shtrat
Një burrë
Idil
Mbrëmë aq e pat’ gjumi
U bë ëndërr në sytë blu të tij
U bë një zëmër nën mbulesë
U bë fryma në nënkresë
Mes resh…
Ti s’e beson Idil ?
Vëre veshin mbi kraharorin tim
E dëgjo se si tani
Kuaj të harbuar rendin e rendin
Në të hënës lëndinë
“Është vonë për ta vërtetuar”-do të thoje ti ?!
Po hëna pak nga pak vjen prapë
E çik nga çik edhe këtë natë
Unë nanuris
Po e përsëris ;
Mbrëmë tek nata shtrohej si bojë shkrimi
Në fletën e hirtë të agut
Shpirti im frymëmerrte shtratit
Ashtit
Gjakut
Të tij
Dridhjes së syve të tij të harruar
Flokut tim…
E sot n’agim
M’u bë shikimi i tij qielli i latuar
M’u bë zëri i tij melodi
Nuk kam për ta harruar
Idil …!

Share: