Home Gjeo-Ekonomia Takimi Putin-Biden? Zëdhënësi i presidentit rus: Është herët të flitet për këtë

Takimi Putin-Biden? Zëdhënësi i presidentit rus: Është herët të flitet për këtë

Zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitri Peskov, ka thënë se është “e parakohshme” të flitet për plane specifike për një samit midis presidentit rus dhe Joe Biden.

Peskov tha se Putin dhe Biden mund të takohen nëse e konsiderojnë të nevojshme, por theksoi se “është e parakohshme të flitet për plane specifike për një samit” dhe nuk ka plane konkrete.

Më herët, zyra e Emmanuel Macron tha se presidenti rus kishte rënë dakord në parim për të marrë pjesë në një samit me Joe Biden që synon të de-përshkallëzojë krizën në Ukrainë, mes paralajmërimeve të mëtejshme të SHBA se lufta është e afërt.

Peskov gjithashtu e përshkroi situatën në rajonin e Donbasit të Ukrainës si “jashtëzakonisht të tensionuar”, duke shtuar se Putini do t’i drejtohej së shpejti Këshillit të Sigurimit të Rusisë, shkruan “The Guardian”.

Sipas agjencisë së lajmeve Tass, ai tha:

Situata është vërtet jashtëzakonisht e tensionuar dhe deri më tani nuk shohim shenja të uljes së nivelit të tensionit. Provokimet dhe granatimet po bëhen gjithnjë e më intensive, sigurisht që kjo shkakton shqetësim shumë të thellë.

Pavarësisht pretendimeve të përsëritura ruse, gazetarët në terren nuk kanë parë asnjë provë të granatimeve nga forcat ukrainase ndaj popullatës lokale./Opinion.al

Share: