Home Gjeo-Ekonomia Më keq se ISIS-i: Rusët krime të tmerrshme, civilët ekzekutohen me duart...

Më keq se ISIS-i: Rusët krime të tmerrshme, civilët ekzekutohen me duart pas shpine!

Ato që po bëjnë ushtarët rusë në Ukrainë janë më keq se tmerret e Isis-it, thonë mediet e huaja, që flasin gjithashtu për një genocid po aq të rëndë ndoshta sa ai i luftrave ballkanike.

Trupa civilësh të ekzekutuar me gjakftohtësi dergjen nëpër rrugë e varret masive janë mbushur plot, një panoramë makabre kjo e një lufte të paimagjinueshme që trondit një shtet europian në shekullin e 21-të. Pamjet filmike tregojnë të paktën 20 trupa të pajetë, të gjithë me veshje civile, janë vendosur në të dy anët e një rruge në qytetin e Bucha-s, pranë Irpinit, shumica me duart të lidhura pas shpine. Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba foli për një masakër të qëllimshme: objektivi i rusëve tha ai, është të eliminojnë sa më shumë ukrainas që të munden.

Zyrtarët në Kiev thonë se 410 vetë janë gjetur të vrarë deri tani në qytetet përreth Kievit, 300 prej tyre vetëm në Bucha. 57 u zbuluan në një varr të vetëm masiv atje. Në mesin e e viktimave është edhe një djalë 14 vjecar. Ka po kështu raporte për përdhunime nga ushtarët e Kremlinit, dhe gjymtim të fëmijëve. Mizoritë nuk mbarojnë këtu. Thuhet se pranë Irpinit, skuadrat ruse të vdekjes kanë qëlluar gra e vajza, e pastaj i kanë shtypur me tank. Pretendohet se në kohën e masakrave, zonën e kontrollonin forcat çeçene.

Rusia i mohon akuzat se trupat e saj kanë ekzekutuar civilë. Sipas Moskës, asnjë rezident nuk ka qenë pre e dhunës së forcave ruse dhe e akuzoi Kievin për inskenim të këtyre situatave të tmerrshme, me qëllimin të tërheqë sipas saj, vëmendjen e medieve perëndimore.

Por reporter të huaj e konfirmuan praninë e trupave të civilëve të ekzekutuar, e po kështu, fotot satelitore të realizuara nga kompania Maxar, tregojnë një varr masiv gati 14 metra të gjatë në terrenin pranë një kishe në Bucha, i cili as nuk është mbyllur mirë, pjesë e tmerreve që dolën në dritë pas tërheqjes së trupave ruse nga qyteti i rimarrë nën kontroll prej forcave ukrainase.

“Këtu është një varr masiv, mund të jenë rreth 57 vetë. Dhe këtu 20 apo gati 40. Ky është perimetri në të cilin rusët na lejonin të mblidhnim trupat e t`i varrosnim. Por kur njerëzit tanë dilnin jashtë, ata qëllonin, kështu që dhe mbledhja e trupave ishte shumë e rrezikshme”, thotë Serhii Kaplychnyi, punonjës bashkie.

Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi se pamje të tilla janë dëshmi e faktit se në Ukrainë po kyrhen krime lufte, e u betua të shtojë ndihmën ushtarake për Kievin e të forcojë sanksionet mbi Moskën, në mënyrë që makineria e saj e luftës të vdesë nga uria.

“Kremlini nuk e mohon dot të vërtetën të cilën ne e dimë: Putini është i dëshpëruar, pushtimi i tij po dështon dhe vullneti i Ukrainës nuk ka qenë kurrë më i fortë. Ne do te ashpërsojmë sanksionet e do të shtojmë mbështetjen ushtarake dhe atë humanitare për personat në nevojë në terren, e do të përkrahim po kështu me forcë hetimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për mizoritë e kryera në Ukrainë. Nuk do të pushojmë derisa drejtësia të vihet në vend“, tha Johnson.

Më herët, Volodimir Zelensky pohoi për programin Face the Nation të CBS se ajo që po ndodh në vendin e tij, është genocid i pastër. “Ne jemi qytetarë të Ukrainës, e këtu ka më shumë se 100 kombësi të ndryshme, ata duan t’i shkatërrojnë e t’i shfarosin të gjitha këto kombësi”, u shpreh ai.

Top Channel

Share: