Home KRYESORE A ka një ftohje Berisha-Meta? Çfarë fshihet pas?

A ka një ftohje Berisha-Meta? Çfarë fshihet pas?

Analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja kanë komentuar në studion e emisionit “Pikat mbi i” të gazetares Ola Bruko, situatën politikë në vend dhe qëndrimet e opozitës, të cilës duket se i janë fikur “motorët” e ndezur në periudhën korrik-gusht, ku bëhej thirrje për protesta masive në shtator.

Duke u ndalur te thirrjet e nxehta të gushtit nga PD dhe PL, Zheji tha se ka një sërë faktorësh që kanë shtyrë opozitën të mos mbajnë fjalën e dhënë në gusht dhe sipas tij tempi i aksionit ka rënë.

Teksa konstatonte përplasjet e brendshme në selinë blu si problemi kryesor që po kushtëzon raportin e PD-së me qytetarët dhe mungesën e stimulit për t’u ngritur në protesta, Zheji i dërgoi një mesazh Berishës dhe Metës duke kërkuar që të ketë eliminojnë fjalët e nxehta dhe të godasin qeverinë me aksione të nxehta.

Pse nuk e bëri në shtator atë që premtoi. Dyshoj që shtatori ishte një pamundësi kohore. Kam përshtypjen që ka një organizim të brendshëm të vonuar dhe një axhendë opozitare të vonuar dhe kjo buron nga mosrakordim i brendshëm energjish, fraksionesh, faktorësh brenda opozitës dhe krahëve të opozitës. Ka edhe një dukuri tjetër pak cinike ta thuash. Ka shumë fjalë kërcënues që po t’i dëgjosh praktikisht do bëhej nami, por veprat mungojnë. Unë do ju sugjeroja zotërinjve të opozitës më pak fjalë të nxehta dhe më shumë aksione opozitare të nxehta. Nuk po hapin dot plagë të reja në trupin e qeverisë dhe kjo është shqetësuese”, tha Zheji.

Ndërkohë, Lubonja argumentoi se si opozitar që është atij i vjen hidhur kur duhet të konstatojë se mungon alternativa nga opozita përballë Ramës, por akuzoi edhe qeverinë se me politikat e saj e ka mpirë popullin dhe ia ka hequr prej mendjes dëshirën për revoltë dhe për të mbajtur qëndrim mbi gjendjen ku e ka zhytur Shqipërinë.

Po besoj se janë disa shkaqe. Nuk premton ndonjë alternativë për njerëzit dhe besoj se kjo është por nuk di nëse do ta vendosja kryesore. kryesoren e vendos te një punë e palodhur, rraskapitëse e qeverisë Rama për t’i mpirë dhe demoralizuar njerëzit, në format e mosdëgjimit, korruptimit. Të gjitha bashkohen sepse ka edhe një moment psikologjik njeriu kur proteston, ngre zërin dhe këta thonë, mirë proteston por duhet të behet edhe më i egër pastaj kur nuk dëgjohet. Por mosdëgjimi edhe të demoralizon, edhe të ul. Te ne nuk dëgjohet, nuk ka dialog, dialogun  e bën Rama vetëm me ato që i çon popullit, me këshillimin e famshëm. Unë them se njerëzit janë lodhur, opozita është e konsumuar. Kur themi që ka një pakënaqësi të madhe, mirë mo opozita është e konsumuar, po mirë mo ka të tjerë pse nuk dalin këta. Opozita është e pabesueshme, po ok ku janë këta të tjerët, pse s’nxjerr populli shqiptar. Nuk dalin dot as forca të reja në këtë situatë. Në këto kushte na duhen trauma edhe më të mëdha. Kur njerëzit shohin që s’kanë lek në xhep, siç ndodhi në ’97, por a  na duhet diçka e tillë ne? Këta luajnë politikë shantazhi, shih ca do të bëjmë ne. Këtu ka ikur dhe faktori lekë i Lulzim Bashës, që njerëzit thoshin dalim kapim ndonjë lek kur të vijnë këta në pushtet se kishte edhe bashkitë atëherë PD-ja”, deklaroi Lubonja.

Por, Zheji duket se nuk bie dakord me Lubonjën kur bëhet fjalë për hedhjen e fajit te qeveria kur bëhet fjalë për mungesën e protestave nga opozita.

Mendoj që është zemërgjerësi shumë e madhe që mos mbajtja e fjalës së opozitës të faturohet te qeveria. Ok mo e mbajmë me hatër opozitën por jo deri këtu. Unë mendoj që lufta e brendshme brenda PD ka konsumuar dhe shpenzuar energji shumë të mëdha. Pavarësisht dorës së fortë të Berishës që kemi njohur dikur, nuk do të thotë një opozitë e fortë me fjalët e forta dhe të shkuarën e njërit apo tjetrit. Tani s’ka më as deklarata të forta si ato të gushtit. Këta thonë do kemi protesta, por jo pa kalendar. Ndoshta po presin goditjen pas 1 tetorit kur të vijnë ato faturat e larta të energjisë dhe këta zotërinjtë e opozitës do thonë jemi dhe ne këtu, kur të ngrihet populli”, tha ai.

Lubonja theksoi se opozita duhet të dalë në shesh dhe të protestojë masivisht, madje duke mos u larguar prej aty, por kjo duhet bërë jo në mënyrë të dhunshme.

“Problemi që ne flasim për opozitën, opozita lidhet me atë që s’ka formë tjetër. Protesta, protesta, protesta sikur s’ka shpëtim tjetër. Ato duhet të jenë mosbindje civile që të rrëzohet qeveria. Kjo tregon që ne këtu s’kemi drejtësi se po ta kishim s’do kishim nevojë për protesta se hapej afera e incneratorëve dhe shkoi deri në fund se bie qeveria. për mua është e rënë me këtë. Unë them se koha e rrëzimit të qeverisë me formë të dhunshme është e gabuar se ata që vinë marrin dorë dhe bëhen të dhunshëm vetë. Unë them protesta jo të dhunshme, por masive dhe të përhershme. Këtë s’e bëjnë dot këta”, deklaroi Lubonja.

Edhe Zheji nënvizoji se revoltën e vërtetë kundër qeverisë Rama do ta shohim kur ushqimi të mungojë në tryezë dhe faturat ekonomike të rritën.

“Opozita ka fjalën, ka protestat dhe votën e vitit që vjen. Nëse kjo qeveri do vazhdojë t’i ngopi barqet. Tetori, nëntori, dhjetori, faturat e shtrenjta do të nxisin një opozitarizëm ekonomik dhe më pas atë politik. Duhet thjeshtë të shohim faturat ekonomike. Ne kemi një lloj donkishotizimi se duam që njerëzit të duan lirinë pastaj ushqimin. Por fillimisht do të shohim protesta për atë, ushqimin”, tha ai.

Share: