Home KRYESORE Gjykata e Apelit shfuqizon Zhukrin, “zvarritet” sërish çështja e Partisë Demokratike! “Timoni”...

Gjykata e Apelit shfuqizon Zhukrin, “zvarritet” sërish çështja e Partisë Demokratike! “Timoni” i PD-së i mbetet Alibeajt

Pas rreth tetë orësh, ka përfunduar seanca gjyqësore për vulën e Partisë Demokratike, gjatë së cilës nuk u bë hap konkret për të ecur para në lidhje me fatin e partisë opozitare më të madhe në vend, megjithatë kishte një gjysmëfitore për padinë e dorëzuar nga Enkelejd Alibeaj.

Gjykata vendosi të shfuqizojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri dhe automatikisht çështja do të rikthehet në Gjykatën e Tiranës për rishqyrtim me një tjetër trupë gjykuese.

Vendimi ishte unanim nga të tre gjyqtarët që e dërguan çështjen për rigjykim, të cilët pranuan kërkesat e depozituara nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj, që të prishej vendimi i Zhukrit me të gjitha ndryshimet e miratuara më 25 mars dhe çështja të rikthehej për rigjykim duke rrëzuar foltoren.

Për momentin “timoni” i partisë Demokratike do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, i cili është në cilësinë e nënkryetarit, deri kur të jepet një vendim tjetër nga Gjykata e Tiranës.

Pasi sot Apeli la pezull çështjen, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me PD-në. Ndërsa nuk dihet ende vendimi që do të marrë Berisha dhe nëse do të gjejë në mënyrë tjetër për të marrë pjesë në zgjedhje.

Dy avokatët e Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi pas përfundimit të seancës, u shprehën se kërkesa e tyre u pranua ndërsa deri ditën e hëne PDja do të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet lokale.

Indrit Sefa: Dua t’ju falenderoj për këtë seancë maratonë dhe u jam shumë mirënjohës që e ndoqët. Sot gjykata vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues. Kërkesa jonë u pranua, çështja do rikthehet dhe do gjykohet nga tjetër trup gjykues. Partia Demokratike vazhdon të drejtohet nga organet e saj legjitime ditën e hënë do të regjistrohemi në KQZ. Të gjitha organet legjitime të PD vazhdojnë të kenë kompetencë në parti. Gjykata e Tiranës nuk ka asnjë mundësi të marrë vendimin e z.Zhukri. Nuk është çështje godinash, por mentaliteti dhe drejtësie. Kjo është përfundimtare. Pd ka një seli, atë zyrtare.

Rezart Kthupi: Vendimi i gjyqtarit është nul. Kur flet gjykata nuk ka nevojë për përfundime. Për njerëzit fjalia është e qartë. Vendimi Zhukrit nuk ekziston më. Ka organe legjitime partia. Do t’i marrim njoftimet përmes qelisë. Sot vendimi i Zhukrit u zhbë, a mund ta mbyllim këtë diskutim këtu. Organet përcaktohen nga statute, këtu mbaron historia. Ditën e hënë do ta çojmë dosjen. Në momentin më të parë të mundshëm do të paraqitemi, duke filluar nga e hëna që vjen.

Nga ana tjetër Oerd Bylykbashi është shprehur se vendimi i sotëm është marrë nën presionin e Edi Ramës dhe se ka shënuar një ditë të zezë pasi Gjykata provoi që ka rënë përfundimisht dhe totalisht nën thundrën e Edi Ramën.

Oerd BylykbashiKy vendim i sotëm është marrë nën presionin e Edi Ramës që ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe dhe ishte edhe sot në sallë. Është për përjashtimin e opozitës në zgjedhje. Ka thyer çdo rregull që deri më sot ka vendosur jurisprudencën, duke pranuar ankimin e një palë që nuk përben as minorancë por i ka shërbyer vetëm një qëllimi, përpjekjes së Edi Ramës që të mos ketë përballë një opozitë të vërtetë. Ka treguar vullnetin e opozitës për të mos qenë palë me Edi Ramën, sot Gjykata zhbëri 11 dhjetorin, gjithë përpjekjen 1-vjeçare. Me këtë vendim sot, që shënon një ditë të zezë për drejtësinë dhe politikë shqiptare. Me vendim gjykata sot vrau pluralizmin. Çdo hap tjetër do të merret nga instancat e zgjedhura të PD, jo ato që ka zgjedhur kryeministri Rama. Do të marrim vendime organet e PD. Vendimet e PD do t’i marrin organet e saj, ky ishte vendim që ka shënuar një ditë të zezë. Gjykata provoi që ka rënë përfundimisht dhe totalisht nën thundrën e Edi Ramën.https://www.youtube.com/embed/D3YCWjPOVRE

Berisha doli në një deklaratë në selinë blu, nga ku priti verdiktin e Gjykatës dhe hodhi akuza në drejtim të trupës gjykuese, të cilët sipas tij lexuan vendimin e përgatitur kohë me parë në zyrën  e kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, vendimi u mor me qëllim 3 ditë para skadimit të afatit për t’u regjistruar në zgjedhje dhe ka si qëllim ‘likuidimin’ e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

Sali Berisha: Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të PD-së, qytetare dhe qytetarë shqiptarë.
Sot në darkë Edi Rama, komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

Seanca e sotme në Gjykatën e Apelit ka nisur që në orën 11:00, ku trupa gjykuese e përbërë nga nga Elona Mihali, gjyqtare relatore, dhe anëtare Irida Kacerja e Astrit Kalaja, ka shqyrtuar ankimimin e Alibeajt për rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri i cili njohu Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim. Grupi i Alibeajt përfaqësohej në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues nga kryetarit të PD-së Berisha, është Ivi Kaso, i cili u shoqërua nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.

Top Channel

Share: